Gjakova dhe Fort Dodge do të shkëmbejnë përvojat në fushën e artit

Gjakova

Gjakova dhe Fort Dodge do të shkëmbejnë përvojat në fushën e artit

Më: 29 qershor 2017 Në ora: 12:34
Në një konferencë për media, kryetarja Kusari Lila është shprehur se ndjehet e lumtur të presë delegacionin nga Iowa dhe qyteti i Fort Dodge.

Kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka pritur sot në kabinetin e saj  delegacionin Amerikan nga Iowa i përbërë nga kryetari i Fort Dodge, Matt Bemrich, drejtori i sektorit të ekonomisë dhe inxhinierisë, Chad Schaeffer, dhe presidentin e kolegjit qendror të Iowa, Dr. Dan Kinney.

Në një konferencë për media, kryetarja Kusari Lila është shprehur se ndjehet e lumtur të presë delegacionin nga Iowa dhe qyteti i Fort Dodge, qytet ky i binjakëzuar me qytetin e Gjakovës, ku përgjatë ditës së djeshme kemi pasur mundësi që të vizitojmë disa vende tek zjarrfikësit, qendrën multifunksionale - BoneVet, qendrën inovative - Jakova Innovation Centre si dhe zonën industriale. Kjo është një mundësi shumë e mirë për qytetin tonë për të shkëmbyer përvojat me qytetin e Fort Dodge. “Gjatë takimit kemi biseduar edhe për mundësitë e lidhjes me universitetin me fokus kryesor në artin dhe kulturën për shkëmbimet e artistëve dhe punimeve artistike mbi identitetin e të dy qyteteve Gjakovës dhe Fort Dodge” është shprehur më tutje Kusari-Lila. Ajo po ashtu ka theksuar se do të shikojnë mundësitë e ndërlidhjes edhe me zonën industriale për të shkëmbyer në potencialin industrial për investime të mëtutjeshme.  

Ndërsa, kryetari i Fort Dodge, Matt Bemrich, ka theksuar që ndjehet i nderuar të ketë bashkëpunim me Gjakovën si dhe ka përgëzuar për punën dhe lidershipin e kryetares Mimoza Kusari-Lila. Kryetari Bemrich, gjithashtu ka folur për bashkëpunimin në fushën e artit dhe kulturës e cila do të ketë shumë benefite për qytetarët e të dy vendeve.
Në fund, ai ka falënderuar kryetaren dhe qytetarët e Gjakovës për mikpritjen e mrekullueshme që iu është bërë gjatë qëndrimit të tyre në Gjakovë. 

Image
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat