Familja Thaqi ia falë gjakun e mbesës familjes Selmani

Gjakova

Familja Thaqi ia falë gjakun e mbesës familjes Selmani

Më: 15 gusht 2017 Në ora: 07:50
Falja e gjakut

Është bërë pajtimi në mes të dy familjeve, asaj Thaqi nga fshati  Damjan si dhe Selmani nga fshati Botushë. Gjyshi Mustafë Thaqi ia shtriu dorën e pajtimit dhe ia fali gjakun e mbesës së tij familjes Selmani. Ceremonia e faljes së gjakut u bë në Xhaminë e fshatit Lipovec ku të pranishëm ishin klerik fetarë, familjarë të dy palëve si dhe qytetarë.

Banorë të rajoneve të ndryshme të komunës së Gjakovës, përfaqësues fetarë si dhe familjarë të familjeve Thaqi dhe Selmani u mblodhën në xhaminë e fshatit Lipovec. Qëllimi i këtij takimi ishte mbajtja e një ceremonië të faljes së gjakut në mes të dy familjeve. Ishte familja Thaqi nga fshati Damjan e cila kërkoi që të mbledhë burra e pleqnarë dhe të falë gjakun e vajzës, motrës dhe mbesës së tyre Liridonës, e cila humbi jetën në një aksident trafiku.

Këtu erdhën edhe familja Selmani nga fshati Botushë i komunës së Gjakovës, ku u pritën nga pala e tjetër. Ceremoninë  e pajtimit e udhëhoqi Hoxhë Fetah Bekolli nga Malisheva. Në prani të të gjithë të pranishmëve dhe në ambientet e këtij objekti fetar u shtri dora e pajtimit në mes të dy palëve. Mustafë Thaqi iua fali gjakun e mbesës familjes Selmani. Gjyshi Mustafë ia shtriu dorën përfaqësuesit të familjes Selmani i cili ishte Mehmet Aga….Me këtë rast Hoxhë Fetah Bekolli përveçse se çmoi lartë aktin heroik të familjes Thaqi, ai u bëri thirrje gjithë të pranishmëve që tash e tutje të çmojnë dhe respektojnë lartë këto familje që bënë këtë akt burrëror. 

Liridona Thaqi humbi jetën tragjikisht një muaj më parë në një aksident në komunikacion, pikërisht në qendër të qytetit të Gjakovës. Ishte Refki Selmani personi i cili nga pakujdesia e ka goditur me mjet transportues Liridonën dhe shoqën e saj.Dhe nga kjo për shkak të lëndimeve të rënda Liridona Thaqi ka humbur jetën 20 minuta pas aksidentit.

Mirëpo një muaj  pas kësaj ndodhie, gjyshi i Lirdonës, Mustafë Thaqi mori vendimin që të ia falë gjakun e mbesës familjes Selmani nga fshati Botushë. Pajtimi në mes të këtyre dy familjeve u vlerësua edhe nga qytetarët të cilët ishin present.Në këtë ceremoni të pajtimit mes tjerash u tha se ky akt i faljes së gjakut duhet të shërbejë si shembull edhe për familjet e tjera shqiptare që janë në hasmëri./TV Syri Vision/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat