Hoti premton se do të jetë në shërbim të qytetarëve

Gjakova

Hoti premton se do të jetë në shërbim të qytetarëve

Më: 27 shtator 2017 Në ora: 13:14
Ramadan Hoti

Arsimi, shëndetësia dhe të rinjtë janë prioritetet kryesore që ka kandidati për kryetar të Komunës së Gjakovës, nga Partia Demokratike e Kosovës Ramadan Hoti.

Ai në një intervistë për KosovaPress,  ka shpalosur programin qeverisës për Gjakovën, duke u zotuar se do të jetë afër qytetarëve dhe në shërbim të tyre, për çfarëdo lloj kërkesë dhe nevoje që ata kanë. 

Hoti ka folur për shumë gjëra por, duke mos i harruar edhe pjesën më të ndjeshme të shoqërisë që sipas tij janë  familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e luftës.

Hoti: Prioritetet e mia, arsimi, shëndetësia, bujqësia, rinia

“Shtyllat kryesore që unë i mendoj për zhvillimin e Komunës së Gjakovës, do të jenë arsimi, depolitizimi i tij, shëndetësia në të cilën ka nevojë të investohet shumë, për  shumë arsye. Ne e dimë që shëndetësia është prapa. Po ashtu është fusha e bujqësisë, duke pasur parasysh që komuna e Gjakovës mbi 60 përqind e përbën pjesa rurale. Rinia, kultura dhe sporti. Do të mundohemi që në të gjitha sektorët,  gjitha profilet të jemi shumë të kujdesshëm që shtresat e luftës,  të cilat dihet Gjakova për kontributin që kanë dhënë gjatë luftës. Kemi  invalidë të luftës , familje të dëshmorëve, veteranë të luftës që nuk e kanë një tretman të veçantë . Duke e pasur parasysh kontributin e tyre, sakrificën, mundin, do të mundohemi që gjithmonë të jemi afër tyre”, tha Hoti.

Kandidati i PDK-së thotë se komuna e Gjakovës nuk  është në gjendje të mirë ekonomike për arsye se siç thotë ai ka pasur mos harmonizim të pushtetit qendror me atë lokal. Dhe kjo ka bërë që Gjakova të mbetet prapa me shumë projekte.

Hoti ka përmendur investimet që ai si nënkryetar i Komunës së Gjakovës ka bërë në projekte, të cilat thotë se kanë qenë mbi 5 milionë euro.

Hoti: Për tre vite kam realizuar 5 milionë euro investime

“Mund të them që vlera e projekteve që unë i kam realizuar në komunën e Gjakovës kap vlerën mbi 5 milionë euro për këto tre vite e gjysmë. Projekti i fundit veç është në procedurë sipër . Është shtëpia e kulturës në Rogovë të Hasit, e cila kap shumën mbi 1 milion e 400 mijë euro “, tha Hoti.  

Ndërsa fokusi kryesor i Hotit për katër vitet e ardhshme do të jetë krijimi i vendeve të reja të punës dhe të rinjtë.

Hoti: Do të përqendrohem tek të rinjtë

“Unë kam menduar që në ekipin tim, kabinetin tim rinia e Komunës së Gjakovë ta ketë zyrën e vet. Dhe për çdo problem, çdo hall , të jemi afër rinisë . Tani kemi një fat të madh që ministrin Beqaj(Besim) e kemi ministër të Inovacionit që me i dhënë të gjitha mundësitë, kapacitetet e mia dhe gjithë autoritetin politik edhe personalisht e njoh mirë ministrin Beqa. Do të mundohem që sa më shumë të jemi të kujdesshëm,  sidomos te hapja e vendeve të punës që është e domosdoshme për rininë e Komunës së Gjakovës. Sa kam qenë nënkryetar i komunës ballafaqimi im më i madh ka qenë me rininë. Çdo ditë kam pasur grupe të ndryshme dhe kërkesa të ndryshme të punësimit. Shumë pak kemi mund me bërë në atë drejtim. Po besoj që për katër vitet e ardhshme, fokusi im do të jetë punësimi i rinisë“, tha Hoti.

Ndërsa për projektet në infrastrukturë, Hoti ka thënë se ka në plan ta realizoj planin për investime që nuk janë realizuar deri më tani.

Hoti: Do të investoj në infrastrukturë mbi 20 milionë euro

“Përveç projekteve të shumta që janë nisur prej vitit 2009 dhe për arsye të shumta që nuk kemi pasur mundësi t’i realizojmë ne kemi projekte  tjera për zgjerimin  e hyrjeve dhe daljeve, rrugës për Prishtinë, zgjerimi i hyrjeve daljeve për Prizren dhe zgjerimi i hyrje daljeve për Pejës. Ky është një projekt që kushton mbi 20 milionë euro ”, tha Hoti.

Hoti thotë se kandidimi i tij për kryetar të Gjakovës edhe pse nuk është kryetar dege i PDK-së në këtë komunë, është bërë në harmoni me kryetarin e partisë Kadri Veselin dhe kryetarin e degës në Gjakovë Hajdar Beqa,  i cili është deputet në Kuvendin e Kosovës.

Në fund, Hoti u ka bërë thirrje qytetarëve të komunës së Gjakovës, që të ia japin besimin dhe se gjithmonë do të jetë zëri i tyre dhe do të jetë afër dhe në shërbim të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat