Gjenden mbetje mortore të tre personave afër Gjakovës

Gjakova

Gjenden mbetje mortore të tre personave afër Gjakovës

Më: 27 nëntor 2017 Në ora: 12:55
ilustrim

Mbetje mortore të së paku tre personave, janë gjetur ditëve të fundit në një lokacion në dalje të Gjakovës, në afërsi të zonës industriale që ndodhet rrugës për Prizren.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu.

“Ne gjatë tërë javës jemi duke punuar në atë teren. Kemi gjetur edhe mbetje mortore të minimum tre individëve. Terreni është i vështirë dhe i papërshtatshëm. Situatën e komplikon edhe më shumë fakti se në ato vende ka shumë kafshë të ngordhura. Na nevojitet edhe së paku një javë punë aty”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu theksoi se punimet janë paraparë të vazhdojnë të mërkurën më 29 nëntor, por sipas tij “duket se moti nuk do t’i lejojë të shkojnë në terren”.

Së bashku me Institutin e Mjekësisë Ligjore, në vend të ngjarjes të pranishëm janë edhe ekspertët e EULEX- it.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me kryesuesin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetajn, i cili tha se ende nuk mund të dihet nëse këto mbetje mortore u përkasin personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë apo rasteve të tjera.

“Ende nuk mundemi të tregojmë se a konsistojnë këto mbetje mortore me personat e pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë. Paraprakisht, mbetjeve mortore do t’u bëhet analiza e ADN-së, e pastaj dërgimi në komision ndërkombëtar për analizë. Ende nuk mund të dihet se a i takojnë personave të pagjetur apo ka të bëjë me raste të tjera”, tha Gjetaj.

Ai tha se mbetjet mortore të gjetura në këtë lokacion janë të përziera edhe me eshtrat e kafshëve, andaj antropologët duhet të shikojnë se cilat mbetje u përkasin njerëzve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat