Drejtori i Shkollës: Njoftova drejtorinë e arsimit për keqpërdorime

Gjakova

Drejtori i Shkollës: Njoftova drejtorinë e arsimit për keqpërdorime

Më: 24 mars 2018 Në ora: 09:17
Gjykimi i ish-drejtorit të shkollës

Në gjykimin e Adem Musliut, ish-drejtorit të shkollës “Nexhmedin Nixha” të Gjakovës, dëshmoi drejtori aktual i kësaj shkolle Neshet Këpuska.

Adem Musliu akuzohet për keqpërdorim detyre e marrje ryshfeti që lidhet me lëshimin e diplomës së Mentor Qunit, edhe pse ai nuk kishte hyrë në provime të  vitit të katërt.

Neshet Këpuska, drejtori i shkollës “Nexhmedin Nixha”, tha se keqpërdorimet i kishte lajmëruar në Drejtorinë e Arsimit në Gjakovë.

“Unë kam qenë në shkollë, ka ardhur Mentor Quni me prindin e tij për ta regjistruar një vajzë e aty kanë përmendur keqpërdorime dhe se kanë dhënë të holla dhe pa cekur se kujt e pastaj unë jam drejtuar Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe kam kërkuar që të hulumtohet ky rast”, tha Këpuska.

Ai deklaroi më tutje se “po thuhet se janë marrë para për këtë diplomë, e unë e kam nënshkruar këtë diplomë”.

Sipas aktakuzës, Adem Musliu dyshohet se në cilësinë e personit zyrtar, drejtor në shkollën e mesme “Nexhmedin Nixha”, në Gjakovë, në fillim të vitit shkollor 2015/2016, ka shpërdor detyrën zyrtare dhe në kundërshtim me vendimin e MASHT, ka tërhequr diplomën e të dëmtuarit Mentor Quni, me arsyetimin se kinse privatisht e ka kryer vitin e IV të kësaj shkolle.

Po ashtu, Adem Musliu, akuzohet se në vendin dhe kohën e njëjtë, në emër të diplomës së lëshuar për të dëmtuarin Mentor Quni, kinse ka kryer vitin e IV të shkollës së mesme, ka marrë 400 euro ryshfet.

Shqyrtimi gjyqësor do të vazhdojë me 10 prill 2018.

Kur dëshmoi i dëmtuari i këtij procesi Mentor Quni, deklaroi se i kishte dhënë 400 euro për diplomën, por pranoi se nuk e kishte të kryer vitin e katërt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat