Mbledhja e Kuvendit të Gjakovës nis me një minutë heshtje për Demaçin - Bota Sot
Mbledhja e Kuvendit të Gjakovës nis me një minutë heshtje për Demaçin

Gjakova

E diel, 18 nëntor 2018

Mbledhja e Kuvendit të Gjakovës nis me një minutë heshtje për Demaçin

Më: 27 korrik 2018 Në ora: 14:46
Mbledhja e Kuvendit të Gjakovës

Është mbajtur sot mbledhja e 8-të e Kuvendit Komunal, e cila filloj me një minute heshtje në nderim të ndarjes nga jeta e veprimtarit Adem Demaçi.

Në këtë mbledhje  janë shqyrtuar dhe miratuar një sërë pikash të rendit të ditës, të cilat janë propozuar nga zyra e kryesuesit Anton Shala.

Fillimisht, me propozim të Kryetarit të Komunës Ardian Gjini, janë hequr nga rendi i ditës 3 pika të propozuara, pasi, sipas kryetarit Gjini, të tria këto kanë nevojë për ndërhyrje procedurale para se të dalin në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Komunal. Bëhet fjalë për Propozim – Vendimin për Emërtimin e memorialit kushtuar të rënëve të LNÇ-së (eshtnores) me emrin Fadil Hoxha si dhe dy pika tjera që kishin të bënin dhënie në shfrytëzim të pronës komunale.

Në vazhdim të takimit, kryetari Gjini ka dhënë raport për punët e realizuara gjatë 6 muajve të fundit, me ç ‘rast ka folur për situatën financiare të komunës si dhe ka përmendur disa prej projekteve kryesore që kanë nisur së realizuari.

Më tej, drejtori i drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Durim Halilaj, ka raportuar për situatën financiare për periudhën janar – qershor 2018, ndërsa gjendjen financiare e ka cilësuar si të mirë. Theks të veçantë drejtori Halilaj ka vendosur tek rritja e të hyrave vetanake, të cilat kanë qenë 7.58% më shumë se planifikimi ndërsa mbi 15 për qind më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar.

Një raport para anëtarëve Kuvendit Komunal e ka dhënë edhe drejtori i drejtorisë për Arsim, Bernard Frrokaj, i cili ka thënë se gjysmë vjetori i parë është përmbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme, ndërsa ajo që gëzon më së tepërmi janë rezultatet e mira dhe niveli i lartë i sigurisë në shkollat e komunës së Gjakovës.

Drejtori Frrokaj gjithashtu ka njoftuar se Komuna e Gjakovës qëndron shumë mirë edhe sa i përket krijimit të hapësirave dhe renovimit të objekteve shkollore.

Në këtë seance, nga ana e drejtorit për Punë Inspektuese Nikollë Lleshi, është prezantuar edhe draft rregullorja për Shërbimet Publike dhe Rendin Komunal, rregullore e cila është vlerësuar lartë dhe është miratuar nga anëtarët e Kuvendit Komunal.

Për herë të parë në një mbledhje të Kuvendit Komunal është prezantuar edhe informata e realizimit të planit të punës së prokurimit, veprim ky që ndikon në ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies së Komunës së Gjakovës. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test