Në Ludwigshafen përkujtohet Presidenti Rugova

Gjermania

Në Ludwigshafen përkujtohet Presidenti Rugova

Nga: Idriz Zeqiraj dhe Xhevat Berisha Më: 7 shkurt 2019 Në ora: 15:30
Pamja nga salla: Nga e djathta: Xhevat Berisha, nënkryetar i Nëndegës

Nëndega e LDK-në në Rheinland Pfalz, organizoi Akademi Përkujtimore, kushtuar Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, në Ludwigshafen, Gjermani. Bie në sy pjesëmarrja në rritje, nga viti në vit, e mërgimtarëve, në Akademitë për Presidentin Rugova. Shprehja nostalgjike: "Rugova na mungon", - gjithnjë e më aktuale. 

Moderatorja e shkathtë dhe simpatike, Labinote Syla, uron mirë se ardhjen të pranishmëve mergimtarë dhe mysafirëve nga Kosova, në Akademinë Përkujtimore, në përvjetorin e 13-të të shuarjes fizike të Presidentit Rugova. Të pranishmit nderojnë, me ngritje në këmbë, intonimin e Flamurit Dardan: "Kur ka ra kushtrimi n`Kosovë".

Nën përkujdesjen babë e djalë, përkatësisht, Alush dhe Getoar Zeqiraj, në ekran shpaloset Dokumentari, kushtuar jetës dhe veprës të Dr. Ibrahim Rugovës. Ishte një shpalosje filmike shumë mbresëlënëse.

Image
Kryetari Fazli Hajdaraj dhe moderatorja Labinote Syla

Moderatorja Labinote, fton në skenë nikoqirin, kryetarin e Nëndegës të LDK-së, në Republikën e Rheinland Pfalzit, Fazli Hajdaraj, për një fjalë rasti, i cili përshëndeti Familjet e Dëshmorëve, të pranishme në sallën e Akademisë: Familjet Rugova, Çekaj, Hajdaraj dhe Zeqiraj. 

Kryetari Hajdaraj, në emër të Organizatorit, përshëndeti mysafirët të ardhur enkas nga Kosova, Akademik Frashër Demajn, profesor në Universitetin e Prishtinës dhe Dr. Naser Rugovën, deputet dhe profesor në Universitet; Degën e LDK-së në Beneluks, me kryetar Bahtir Kastratin, Lidhjën e Krijuesëve Shqipëtarë në Mërgatë, të përfaqësuar nga Mentor Thaqi e Neki Lulaj; Kryesinë e Degës së LDK-së në Gjermani, Kryesitë e Nëndegëve të Landeve në Gjermani. 

Veprimtarët e vjetër Florije Hysenaj, Xhafer Lecin, Zymer Lulaj, ish-deputet në Parlamentin e Kosovës, Mejdi Laçaj, Shege Selmanaj dhe Ramë Dreshaj, me shokë  shumë.

Shoqatat: " Kadri Zeka" në Kirchheim-Teck, me kryetar Nderi Xhafer Lecin; " Dardania " në Wiesbaden, me kryetar Hajdar Nitaj më bashkëpuntorë; "Kosova" në Aschaffenburg, më profesor Niman Mulliqin;  "Dardania" në Pforzheim, me kryetar Xhevdet Nikçi; Lidhja Shqipëtare në Botë, dega në Gjermani, me kryetar Sebastian Nuiqi; "Salih Çekaj " në Zvicër, e përfaqësuar nga Dinë Gashi e Saim Tahiraj; "Sali Çekaj " në Gjermani, me kryetar Osman Ferizin; drejtuesin e Bibliotekës Popullore "Mark Krasniqi", në Pilsting; këshilltarin komunal në Mannheim, Tefik Ramadani, ish i burgosur politik; mësueset e Shkollës Shqipe, në Mannheim e Kaiserslautern, përkatësisht,  Ramadani e Krasniqi; "Dardania" në Mannheim, me kryetar Naser Hoxhën; "Djemtë e Skenderbeut", të kryesuar nga Arben Zeqiraj; "Çamëria", me kryetar Ismet Xhaka, Pleqnarin e mirënjohur të katër shteteve, Haxhi Rrahman Lajçin, mysafir nga Kosova, i kudondodhur në organizimet e ndryshme kombëtare.

Veprimtarët veteranë e dominonin sallën e Akademisë Përkujtimore, madje, ata sfidojnë moshën dhe nuk llogarisin as rrugëtimet e gjata, për të qenë pjesë e veprimtarive të Mërgatës: Sebastian Nuiqi, Ragip Prapashtica, Rashid Nikçi, Ahmet Kolgeci, Sefer Zeqiraj, Haxhi Kurti, Rexhep Rexhepi, Ali Lutolli-Baca, Skënder Alimetaj, Feriz Lukaj, Sali Uka, Durak Ahmetaj, Bekë Dreshaj me shokë. 

Tradita vazhdon edhe tek brezi i mesëm, të cilët janë të shumtë në numër. Ndërkohë, ne përmendim vetëm disa syrësh, që janë të pa mungueshëm në aktivitetet e Mërgatës: Agim Aliçkaj, Cenë Berisha, Smajl Çekaj, Tahir Buçolli, Gani Blakaj, Demë Kelmendi, Mustaf Luli, Selami Morina, Tahir Zeqiraj, nga Zvicra, Xhafer Fetahaj, nga Brukseli dhe të tjerë.

Bashkëluftëtarët dhe ushtarët e Heroit Sali Çekaj: Saim Tahiraj, Osman Ferizi, Zymer Lulaj, Isuf Qetaj, Florim Blakaj, Bujar Lajçi, tani, veprimtarë të LDK-së dhe të Shoqatave të zëshme.

Si gjithmonë, edhe kësaj radhe po u mbetëm borxh botës femërore, duke i anashkaluar dhe harruar ato, edhe pse prania e tyre vërehet në organizimet e ndryshme, sidomos në datat e shënuara festive, por, nuk mungojnë as në përkujtime, siç ishte kjo Akademi.

Image
Haxhi Rrahman Lajçi, Xhafer Leci, Smajl Çekaj, Dinë Gashi-nga Shoqata "S.Çekaj", në Zvicër 

Në fjalën e tij të rastit, kryetari Fazli Hajdaraj, përgëzoi Këshillin Organizativ të kësaj Akademie dhe anëtarët e Kryesisë të Nëndegës, si dhe anëtarët aktivistë të LDK-së në Landin e Rheinland Pfalzit.

"Ndër shqiptarët shquhen tri përsonalitete: Gjergj Kastrioti Skenderbeu - luftarak, që luftoi Perandorinë Osmane dhe pengoi invadimin osman në Europë; Nëna Tereza - humaniste e madhe në botë, dhe Ibrahim Rugova - intelektual, në fushën e letrave, më vonë, edhe burrështetas e politikan, që udhëhoqi Lëvizjen për Pavarësi. Ky intelektual atdhetar i shqiptarëve, ishte dhe mbeti më i shquari, që nga epoka e Gjergj Kastriotit, duke bërë histori në kohë moderne. 

Ne, si dëshmitarë dhe veprimtarë, krenarë që i përkasim kohës së Rugovës, kemi obligim kombëtar e moral, ta ruajmë e kultivojmë veprën, filozofinë dhe trashëgiminë e begatë të Dr. Ibrahim Rugovës. Dhe, këtë që bëjmë sot për Atë, është gjëja më e vogël, në raport me veprën madhore kombëtare, të bërë nga Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova. 

Respekt dhe mirënjohje për të gjithë juve që jeni prezent në këtë Akademi Përkujtimore",- tha, veç tjerash, kryeorganizatori, Fazli Hajdaraj.

Folësi i radhës është nënkryetari i Nëndegës të LDK-së, në Rheinland Pfalz, Xhevat Berisha, i cili, në emër të Kryesisë së Nëndegës, mbajti referatin, për jetën dhe veprën e Presidentit Rugova. Ai, ndër të tjera, tha: "Të gjithë ata që menduan se Dr. Ibrahim Rugova iku pak para se ta bënte realitet ëndrrën e tij për pavarësi, u gabuan. U gabuan, sepse dita e fundit mbi dhe e Dr. Ibrahim Rugovës, ishte, de-fakto, ajo, pavarësia e vërtetë e Kosovës. 

Në një kryeqytet ende të pa shënuar, në asnjë hartë të botës, si kryeqytet shteti, brenda një dite, u ulën mbi 40 burra shtetësh, nga vendet më të fuqishme të botës, për ta nderuar Presidentin Dr. I. Rugova. Në asnjë rrethanë tjetër, në asnjë vend tjetër të botës, apo më mirë me thënë në asnjë shtet të njohur ndërkombëtarisht, vdekja e një presidenti nuk është përcjellur, dhe nuk besoi kurrë se do të përcillet me një ceremoni të tillë mortore.

Ai na befasoi edhe ditën e fundit të Tij mbi tokë, dhe na dëshmoi se ç’fuqi kishte edhe i vdekur, për t’i dhënë Kosovës të gjitha elementet e shtetësisë të saj. Jeta e tij, vërtet, ishte e shkurtër, por ishtë e mbushur ma shumë me vepra, se sa me ditë të jetës së Tij. Pra, sado i madh që ishte pikëllimi ynë përballë asaj humbjeje, rrespekti dhe krenaria për këtë Njeri sa vjen e shtohet…

Unë jam i bindur se emri i Dr. I. Rugovës, do të përfshihet në gjurmët e historisë së ndritur të kombit tonë, sepse ai vet ishte historia. Si duket edhe Zoti e pa si të padrejtë, që ta ndajë nga Burrat e Janarit, dhe e rradhiti në listë përkrah tyre, ku tani pushojnë së bashku! 

Sot, në karrikën e Tij është i ulur një argat i shantazhuar, i cili përveç që po i valvitë flamujtë e Çubrilloviçëve, ai po e shpenzon edhe buxhetin e shtetit, duke bërë propagandë kundër Dr. I. Rugovës, përmes disa shkrimtarëve, të cilët shitën si lavire! Por, pavarësisht këtyre rrethanave, profili i Perlës kombtare, do të mbetët i pa ndryshuar, për deri sa bota të këtë njerëz, sepse Dr. Ibrahim Rugova, është një provë e pavdekësisë. 

Lavdi Presidentit Rugova, për veprën madhore që la pas, për brezat shqiptarë, - pëmbylli fjalën e tij, nënkryetari Xhevat Berisha.

Pamje nga salla, në ballorën e mesit - Akademik Frashër Demaj dhe deputeti Naser Rugova

oderatorja Labinote Syla, fton në skenë Idriz Zeqiraj, për të evokuar kujtimet për shokun e klasës, Ibrahim Rugova. Veç tjerash, ai rrëfeu: "Emrin e nxënësit Ibrahim Rugova e dëgjova në valët e Radio-Prishtinës, ku lexoheshin hartimet edhe poezitë e tij, kur ishte në Shkollën 8-vjeçare.

Bursa e akorduar, për shkollarin e zgjuar - Rugovë, nga gazeta "Rilindja", me inrteresimin e redaktorit isniqas, Haki Hoxha, me shokë, për të vazhduar Shkollën Normale në Prishtinë, u ndërpre, me relacionin biografik të Familjes Rugova, dërguar Kshillit Krahinor të Kosovës, nga Byroja e partisë të komunës të Istogut.  

Në Shkollën Normale në Istog, ishim shokë klase. Ishte nxënës i shkëlqyer në mësime, buzagaz, i dashur, i heshtur. Lexues i pasionuar, veç gjuhës amëtare, edhe në gjuhën serbokroate, ruse dhe frenge, të cilat i mësoi  mrekullisht mirë, përgjatë Shkollës së mesme.

Në një eskursion të bërë nëpër Jugosllavi, Ibrahimi huazoi kostumin nga asrsimtari i gjuhës shqipe, Izet Jakupi. Ndërsa nuk pranoi të mbathte këpucët, por, preferoi opingat e "Batës", siç quheshin llastiqet e fabrikës "Bata". Ndoshta ishte shenjë proteste, për Kosovën e lënë në varfëri, nga pushtuesi serbo-sllavë.

Në Gjimnazin e Pejës, ku përfshihej edhe Normalja e mësuesisë, Ibrahimi dhe Jusuf Gërvalla shquheshin, i pari për lexime në gjuhë të huaja, kurse i dyti, në artet e bukura.

Edhe në Prishtinë, u shqua, madje, qysh në vitin e parë. Këshilli studentor e zgjodhi drejtues të shtypit të studentëve, oponencë e shtypit zyrtar të kohës. 

Në vitin 1971 Ibrahim Rugova, së bashku me shokun e tij të studimeve, vizitojnë Shqipërinë, me ftesë të Institutit të Historisë dhe të Gjuhë Letërsisë Shqipe, si dhe nga gazeta "Studenti" e Universitetit të Tiranës.

Kur djali i vetëm i Eqrem Çabejt, bëri vetëvrasje, ne, një grup studentësh, ikanak nga Kosova, vajtëm për ngushëllime. "Nuk jam babë i pa djalë. Kam djemë Ibrahim Rugovën dhe Rexhep Ismajlin me shokë",- na tha profesor Çabej. Dhe, për habi, profesor Çabej, botimin e veprës së Tij shkencore dhe jetësore, ua besoi, pikërisht, Rexhep Ismajlit dhe Ibrahim Rugovës!

Amaneti i pa thënë i Ukë Rugovës

Në shkrimin e biografive dhe evokimin e kujtimeve, duhet përkujdesje e besnikëri. E vërteta duhet thënë pa lakime. Shtrembërimet, ndonjëherë, janë edhe të pa qëllimshme, për mungesë të informacionit. Për shëmbull: Së fundi, është thënë e shkruar se fëmiu Ibrahim Rugova është rritur ke dajtë; se ka filluar Shkollën fillore me vonesë, për shkak të varfërisë; se ka qenë shumë i varfër gjatë shkollimit dhe si student është detyruar të punojë mësues.

Realisht, Ibrahim Rugova është rritur e shkolluar nën përkujdesjen e axhallarëve të tij, Shaban dhe Ali Rugova. Kunata Shahë, nusja e Ali Rugovës, më ka thënë se Nëna Sofë e Ibrahimit, më ka ndihmuar me i rritë fëmijtë e shumtë. Fillimi dy vjet me vonesë i shkollës, nuk ka qenë varfëria. Por, gjyshja e Tij, nusja e Rrustë Rugovës, ka pasur pushtet në familje. "UDB-a i vret shqiptarët me shkollë",- thoshte ajo. Sepse, Uka i saj, kishte qenë më i shkolluar në fshat dhe shteti e kishte vrarë. Në mini-bibliotekën e tij familjare, kishte edhe libra në gjuhë italiane e gjermane. Kur Rrustemi, djali i axhës Shaban, u bë 7 vjeç, filluan shkollimin së bashku, për 13 vjet radhazi, në një klasë. Thjeshtë, Ibrahimi, si djalë hasreti dhe bonjak, nuk duhej lënë asnjëherë vetëm, i pa shoqërim. Ky ishte edhe vendimi i gjyshës me djem.

Ibrahim Rugova nuk ka qenë i varfër, në raport me shkollarët tjerë. Xhaxhai, Ali Rugova, ishte i arsimuar i lartë, i punësuar në komunë. Megjithatë, asnjëherë shteti nuk i dha pushtet, edhe pse kishte qenë pionier i luftës. Atë e ndoqi hija e babait Rrustë dhe vëllait Ukë, të ekzekutuar pa gjyq, në janarin e vitit 1945. Megjithatë, ai kishte rrogë mujore, plus vëllai Shaban që merrej me bujqësi e pak blegtori. 

Përgjatë kohës që unë kam jetuar në Kosovë dhe duke qenë afër Familjes Rugova, dy xhaxhallarët e Tij, kanë pasur përkujdesje të veçantë për nipin Ibrahim. Dhe, mund ta sakrifikonin cilindo nga fëmijtë e tyre, për të mbijetuar Ibrahimi, si i vetmi kujtim, shenjë dhe - amanet i pa thënë -, i vëllait të tyre Ukë Rugova. Gjithëçka që mund të kenë thënë e bërë, xhxhallarët e Ibrahimit, në kohët furtunë, qëllimi ka qenë ndjenjësor e fisnik, për ruajtjen e qenjes fizike të nipit të hasretit, deshirit. Përndryshe, Çarshia mund të flasë pa doganë fare!

Ibrahim Rugova nuk ka qenë as student i varfër. Vërtet, konvikti-barake, ku Ai me Teki Dervishin me shokë banonin, si brucoshë, ishte vjeturinë e skajshme. Ndërkohë që konviktet e reja, kishin standard evropian. Por, kjo nuk do të thotë se ai ishte i varfër. Ai filloi të bashkëpunonte  me "Flaka e Vëllazërimit" të Shkupit; revistat letrare e  gazeta "Bota e re" të Kosovës. Madje, Ibrahim Rugova ka qenë i vetmi student i kohës, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë, i cili, me aftësitë e tij krijuese, ka arritur ta këtë faqen e tij në javorën letrare "Fjala". Duke qenë shtetërore, honorari paguhej mirë. Pastaj ka punuar edhe mësues në Obiliq, siç kanë bërë edhe studentë të tjerë.

Ibrahim Rugova ideator i lirisë, paqës dhe pavarësisë së Kosovës

Image
Akademik Frashër Demaj mbanë kumtesën në Akademi

Organizatorët e Akademisë Përkujtimore, ishin përkujdesur për përzgjedhjen e mysafirëve të ftuar. Akademik Frashër Demaj dhe deputeti Naser Rugova, kanë një mbështeteje solide edhe në Mërgatën shqiptare. Prania e tyre në këtë përkujtesë domëthënëse, ishte admiruese dhe me paraqitjet tyre, qoftë në një takim paraprak me veprimtarët, qoftë në sallën e Akademisë, ishin mbresëlënëse.

Prof. Dr. Frashër Demaj, një intelektual i kompletuar, i dashur dhe i rrespektuar, në Kosovë dhe Mërgatë, u prit me dashamirësi e durtrokitje. Kumtesa e tij, për ideatorin e lirisë, paqës dhe pavarësisë, ishte plotore, argumentuese. Por, ne po shkëpusim nga ajo copëza fragmetesh: "Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cërrcë të Istogut. Ai u lind rreth dy javë pas hyrjes së brigadave partizane të Malit të Zi – Brigadave Boka që nga populli quheshin Brigada e Zezë, për shkak të krimeve që ata kishin bërë mbi shqiptarët.

Më 10 Janar 1945 kur Ibrahim Rugova nuk ishte as gjashtë javësh, brigadat partizane e kishin arrestuar të atin Ukën (27 vjeç), dhe gjyshin Rrustën (67 vjeç) të cilët i kishin ekzekutuar pa asnjë proces gjyqësor.

Kështu Ibrahimi u rrit jetim në Cerrcë të Istogut, nën përkujdesjen e nënë Sofës. Rugova mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967. Më pas vijoi studimet në letërsi në Universitetin e Prishtinës,  ku diplomoi më 1971. Ai qëndroi gjatë një viti akademik (1976-77) në Paris, (në Ecole Pratique des Hautes Etudes), nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku i thelloi studimet e veta në fushën e letërsisë.

Ibrahim Rugova doktoroi në Universitetin e Prishtinës, më 1984 në degën e letërsisë.

Dr. Rugova për afro dy dekada punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në degën e letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës shkencore "Gjurmime albanologjike", që e botonte ky Institut.

Në vitin 1988 Dr. Rugova u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Angazhimet e tij në shkencë u kurorëzuan më 1996, kur ai u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe në të njëjtin vit u shpall “doktor honoris causa” i Universitetit të Paris VIII, në Paris. Ai botoi 10 vepra autoriale si dhe shumë artikuj shkencor e kumtesa në periodikë dhe revista të ndryshme shkencore në Kosovë dhe jashtë saj.

Rugova shquhej si një burrë i urtë, largpamës, fisnik dhe i traditës. Ishte i ndikuar nga idetë përparimtare e liridashëse të kohës. Dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë, që e sfidoi drejtëpërdrejtë regjimin komunist të Serbisë dhe Jugosllavisë, në një kohë dramatike dhe shumë të vështirë për shqiptarët.

Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe me forcat e tjera politike dhe me Kuvendin e atëhershëm të KSAK, nxitën dhe miratuan Deklaratën e Kushtetuese të 2 korrikut 1990. Deklarata e 2 korrikut i parapriu akteve tjera shtet-formuese si: Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator 1990, Referendumit për Pavarësinë dhe Sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991 dhe Zgjedhjet e para Parlamentare dhe Presidenciale, në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.

Në këto zgjedhje LDK-ja fitoi shumicën absolute të votave të shqiptarëve, kurse Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës, m një votim plebishitar. Ai u rizgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës, në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.

Pas përfundimit të luftës nën udhëheqjen e dr. Rugovës, LDK-ja në zgjedhjet lokale, në tetor të vitit 2000, fitoi 58% të votave të elektoratit kosovar.

Në lidershipin e Ibrahim Rugovës LDK-ja fitoi shumicën e votave edhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. Dr. Rugova fitoi edhe zgjedhjet nacionale të vitit 2004.

Profesor Demaj tha se Presidenti Rugova duke qenë personalitet i rrallë dhe me vlera të veçanta mori edhe çmime dhe tituj ndërkombëtarë, duke i cituar me radhë.

Në këtë përvjetor të kalimit në amshim të presidentit Rugova dua të rikujtoj disa fjali të thëna nga vet ai, të bazuara në traditën, nacionalen, politiken dhe vizionin rugovian, për një shoqëri demokratike dhe me vlera nacionale.

“Mbrojtja e pragut të shtëpisë” ishte bazament i traditës nacionale të shqiptarëve... që kërkonte Presidenti Rugova.

Kërkojmë që Kosova të jetë shtet i pavarur i integruar në bashkimin evropian dhe anëtar i NATO-s dhe në miqësi të përhershme me SHBA thoshte presidenti para rreth 26 vjetësh kur askush nuk e imagjinonte dot. Sot vizioni rugovian po bëhet realitet.

Pavarësia e Kosovës është me të gjitha kuptimet zgjidhja më e mirë që do të sjellë paqe e qetësi në të gjithë rajonin.

Kosova është një vend i vogël, thoshte presidenti, por ajo gjithashtu ka shumë pasuri që janë dhënë për ne nga Perëndia.

Është rrezik kur cilido religjion fillon të bëhet politikë. Pra presidenti këshillonte që feja dhe politika të jenë të ndara dhe secila në natyrën e vet, pa pretendime për të ndërhyrë në njëra tjetrën meqë përzierja e religjionit në politikë dëmton interesat kombëtare.

Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë.

Serbia nuk dëshiron ta njohë vendin tonë në mënyrë paqësore, prandaj ajo dëshiroi të na shkatërronte ne. Të gjitha përpjekjet tona për të gjetur një zgjedhije paqësore ishin të pamundura. Në mënyrë që ta shpëtojë popullin, NATO-s iu desh të ndërhyjë.

– Pushteti i mirë i dëgjon intelektualët e vërtetë, të cilët udhëhiqen nga ideja universale e progresit njerëzor. Kurse sot, pushteti i izolon, i anashkalon, i poshtëron, i fyen dhe i margjinalizon intelektualët.

Akademik Frashër Demaj tha se për vlerat humane, politike, diplomatike dhe akademike të Presidentit Rugova, kanë dhënë mendimet e tyre shumë figura të shquara botërore. Ilustrojmnë vetëm me ca syrësh:

Sali Berisha, ish- President dhe Kryeministër i Shqipërisë

Ibrahim Rugova, është prijësi dhe legjenda e qëndresës qytetare, misionar i madh i paqes, pavarësisë së Kosovës, mikut të madh, të çmuar të perëndimit në Ballkan. Doktor Ibrahim Rugova për 18 vjet udhëhoqi qëndresën legjendare të qytetarëve të Kosovës për liri, pavarësi, dinjitet. Ai u shndërrua në mishërimin e aspiratave, shpresave, idealeve më fisnike të qytetarëve të Kosovës, të cilat i mbrojti me një përkushtim të jashtëzakonshëm, me një qendresë epike, me sukses të madh.

Ismail Kadare, shkrimtar

Ibrahim Rugova, kryetar pa pallat e pa komb, luftëtar idesh, luftëtar i paqes, një burrë këmbëngulës dhe i vetmuar që e dërgoi popullin e vet drejt një të ardhmeje që nuk do të jete veçse e mirë, na përkujton angazhimin tonë dhe premtimet tona. Pa të, pa këmbënguljen e tij, pa rezistencën e refuzimit të tij, nuk do të kishte sot as Kosovë as shpresë për lirisë. Ai ishte një erudit, i paparashikueshëm dhe fleksibël njëkohësisht, njeri i dialogut, luftëtar këmbëngulës, shumë popullor, gjithnjë i sjellshëm, aq sa druajtja e tij, kultura e tij e thellë dhe maturia e bënin krenar.

Bob Doll, senator shumëvjeçar amerikan

Kur e kam takuar Ibrahim Rugovën për herë të parë, ai dukej si një zë i vetmuar, në betejë të vetmuar, duke bartur një shall që thoshte se do ta varte, vetëm kur ta sheh vendin e lirë. E shikoja duke ndjekur ëndrrën e popullit të vet nën kushte të jashtëzakonshme me urtësi dhe këmbëngulësi, dhe u bëra admirues dhe shok i tij. Çfarë kënaqësie ishte ta shoh më në fund në Prishtinë pa shallin e tij!

(Riçrad Hollbruk, diplomat i njohur amerikan)

Dr. Rugova ishte një njeri i madh dhe heroik që personifikonte shpresat dhe aspiratat fisnike të popullit të Kosovës për një shtetet sovran, të pavarur dhe të njohur nga komuniteti ndërkombëtar. Ka qenë privilegj për mua të punoja në aspektin profesional me Dr. Rugovën dhe ta konsideroja atë një nga miqtë e mi më të ngushtë gjatë rreth dy dekadave që kur u njoha me të. Përpjekja e madhe e Presidentit Rugova për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës ka të njejtat përmasa me fushatat e ngjashme paqësore dhe historike të Mahatma Gandidit, Nelson Mandelës dhe Martin Luther Kingut.

Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova ndërroi jetë më 21 janar 2006. Ai kaloi në amshim por vepra e tij politike e patriotike e fitoi pavdekësinë dhe do të skalitet në shekujt e historisë. Ai është personalitet rrallë i papërsëritshëm në historinë tonë. Sa më shumë kohë që kalon aq më shumë do të spikasin vlerat njerëzore, intelektuale, akademike dhe patriotike të njeriut që u lind dhe jetoi për paqen, lirinë, shtetin dhe demokracinë e Kosovës dhe të shqiptarëve", - përmbylli fjalën e tij, Prof. Dr. Frashër Demaj.

Image
Nga e majta: Abaz Imeri, Reshad Murati, Mentor Thaqi, Naser Rugova, Fazli Hajdaraj, Bahtir Kastrati

Deputeti i Parlamentit të Kosovës, njëherësh, profesor në Universitet, Nser Rugova, në emër të Familjes emblematike Rugova, përgëzoi organizatorët e kësaj Akademie dhe përshendeti e falenderoi për pjesëmarrje, të gjithë të pranishmit në sallën me dekor artistik dhe historik.

"Ndjehem i nderuar, i privilegjuar dhe shumë i emocionuar, për ftesën e bërë, nga Nëndega e Degës të LDK-së të Heroit Sali Çekaj. (Dhe, emri i Sali Çekajt i përlotë mërgimtarët). Ju, mërgimtarë të rrespektuar, edhe pse larg, keni qenë gjithëmonë pranë Atdheut në nevojë, qoftë përgjatë mbijetesës në paqen relative, qoftë në luftën për liri. Mirënjohja për ju, është obligim moral i shqiptarëve në trojet dardane dhe mëtej", tha, veç tjerash, Dr. Naser Rugova

Naser Rugova, i shkolluar dhe i edukuar pranë familjarit të tij, Ibrahim Rugova, ka mësuar dhe trashëguar shumë nga cilësitë dhe sjelljet e njeriut, ikonë e Kosovës. Modestinë, çiltërinë, qartësinë politike dhe përkushtimin për demokracinë, si vlerë supreme e një shoqërie të emancipuar, me synimin për t`u bërë pjesë e denjë e familjes evropiane.

Akademinë Përkujtimore, kushtuar Presidentit Rugova, e përshëndetën edhe Bahtir Kastrati, kryetar i LDK-së në Beneluks; Abaz Imeri, ushtrues i detyrës së kryetarit të Degës të LDK-së në Gjermani; Osman Ferizi, në emër të Shoqatave, të pranishme në Akademi; Xhafet Leci, veprimtar veteran prej gjysëm shekulli, përshëndeti në emër të veprimtarëve të hershëm të Mërgatës shqiptare. 

Pleqnari i mirënjohur i katër shteteve, Haxhi Rrahman Lajçi, i cili, veç përshëndetjes, dha edhe mesazhin e paqës, të harmonisë vëllazërore dhe të pajtimit ndërshqiptar, për të ruajtur të pacënueshme hapësirën tokësore të Republikës së Kosovës. Sepse ky është edhe amaneti i dëshmorëve dhe i mijëra viktimave të luftërave të përgjakshme ndër dekade e mote.

Krijuesi dhe aktori i ndjeshëm dhe i zellshëm, Mentor Thaqi, vazhdon t´i emocionojë dhe mrekullojë mërgimtarët shqiptarë, në Gjermani dhe shtetet tjera të Evropës. Përveç deklamimit artistik të krijimeve të tij, si: balada, monologje dramatike, e tjera, ai krijon vargje e poezi për nxënësit e mërgatës, të cilat i recitojnë në organizimet festive, përkujtimore dhe të rasteve tjera.

Kësaj radhe, deklamoi monologun, për Dr. Rugovën, që vijon:

"Ah bre Bablok, po ngusht ishe kenë e nuk e kishim pas ditë,

n´njai an´ tuj t´gjua mas shpine,

e n´tjetren n´shpi tonë tuj t´a pi duhânin tinëz,

hë marrja i mloftë e dheu i vorrit i shploftë,

bre, Zoti paftë e pagoftë, po keq gjujshin gur e mshef dur´...!"

Moderatorja e talentuar prishtinase, Labinote Syla, recitoi, me ndjenjë e mjeshtërisht, poezinë hymn të Fan Nolit: "Hymni i Flamurit".

Ndërsa mbesa e deputetit Hero Smajl Hajdaraj, Erza Hajdaraj, emocionoi të pranishmit, me poezinë e poetit Mentor Thaqi, kushtuar të rënëve dëshmorë të muajit janar, me titull "Kallnor Arbnor":

"Po bre, po,

jam Maja e Hajlës e Ibrahim Rugovës,

e mbështjellun me shallin e tij

dhe shoken e bab´s në roje brezi,

Gryka e Rugovës e Smajl Hajdaraj

hapave të bab´s Arif Reku me zjerm ner dhambë,

Gjeravica dhe Maja e Strellcit e Tahir Zemaj

me nip e djalë mes dy krahësh e mes dy krenash!

Më thërrasin edhe Albert e Kosovë Podguri,

dy cepat e një Flamuri..."

Kjo intermexo artistike e trinomit të sipërthënë, ngjalli emocione e dhembje krenare, tek të pranishmit në sallën e Akademisë Përkujtimore.

Këngëtarët e muzikës popullore, Besnik Shuti dhe Florim Thaçi, kënduan për Presidentin Rugova dhe Heroin Sali Çekaj. Teksti, muzika dhe zëri kumbues i binomit, bukur të harmonizuar, për disa çaste, largoi ndjesinë mortore, duke ngushëlluar të pranishmit me dhimbjen krenare.

Një mirënjohje dhe falenderim shkon për ekipin informativ artistik, si: Kameromanin i RTK-së, Ahmet Konjusha, fotografët e kudondodhur, në organizimet e Mërgatës, Rashid Murati dhe Gani Kryeziu, me regjistrimet filmike dhe fotografimet, si dhe kolegu i tyre, kameroman e gazetar profesionit, Halil Rrustemaj, i cili, mungoi, për arsye të përcjelljes të një aktiviteti tjetër, tashmë, janë bërë krijuesit e një arkivi viziv dhe artistik të Mërgatës shqiptare. Ne shërbehemi, madje gratis, me fotografitë e tyre, për ilustrimin e shkrimeve-reportazhe, në pasqyrimin e veprimtarive të Mërgatës.

Dikur, në Koperativat socialiste, në Shqipërinë tonë, kuzhinat quheshin "shpirti i repartit", sepse pas një pune normative e garuese të mundimshme, vetëm kuzhina, ishte shpresa shpëtuese. Familja Ramadani nga Ferizaj, me shefin e kuzhinës dhe të sallës, Nehat Ramadani, meriton çdo lavdatë, sepse, veç sjelljes dashamirëse, cilësisë të ushqimit, për Akademitë Përkujtimore, favorizojnë, madje ndjeshëm, koston ushqyese dhe shërbyese.

Me porosi të organizatorit, një falenderim publik të veçantë!

Duke rrespektuar një traditë, jo vetëm të shqiptarëve, por, edhe të popujve evropjanë, në raste përkujtimesh mortore, shtrohet  drekë, natyrisht, me numër më të kufizuar. Por, Organizatorët kishin vendosur të shtrohet drekë, për të gjithë të pranishmit në Akademinë Përkujtimore.

Kryesia e Nëndegës të LDK-së, në Rheinland Pfalz, e përbërë nga: Fazli Hajdaraj-kryetar, Xhevat Berisha e Riza Zeqiraj-nënkryetarë, Lush Cana- sekretar, Nexhmedin Syla-arkatar, Rashid Nikçi, Nezir Gjonbalaj, Ibrahim Rexhaj, Bujar Lajçi, Alush Zeqiraj, Sherif Haxhijaj, Shaban Nikçi, Fatmir Lajçi- anëtarë, tashmë, janë aktivistë të dëshmuar dhe veprojnë në kuadrin e Landit të tyre si dhe bashkëpunojnë me Nëndegët simotra dhe Shoqata numerike, brenda Gjermanisë dhe mëtej në Evropë.

Për organizimet e kësaj natyre dhe të tjera, konsultohen dhe marrin vendimet përkatëse. Shpenzimet i përballojnë me forcat vetanake. Por, prijnë në shuma më të mëdha ata që kanë biznese. Edhe kësaj radhe, gjysmën e shpenzimeve i mbuluan treshja: Bujar Lajçi, Lush Cana dhe Fatmir Lajçi. Ndërsa për gjysmën tjetër, u përgjigjën, proporcionalisht, anëtarët e Kryesisë të Nëndegës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat