Trinomi Rugova, Agani, Çekaj - bartës të paqës dhe të luftës

Gjermania

Trinomi Rugova, Agani, Çekaj - bartës të paqës dhe të luftës

Nga: Idriz Zeqiraj Më: 30 maj 2019 Në ora: 17:11
Pamje nga salla e Akademisë Përkujtimore

Me rastin e 20 vjetorit e rënies heroike, ke Rrasa e Kosharës, të komandantit Sali Çekaj, në Shtugart të Gjermanisë, u organizua Akademi Përkujtimore, me moton: "Heronjtë na bashkojnë". E veçanta e kësaj Akademie, ishte organizimi i përbashkët i disa Shoqatave të Landit Baden Würtemberg e gjetkë, si dhe Degës të LDK-së në Gjermani.

Moderatorët e talentuar, Gjylie Lecaj dhe Shefki Bytyçi, ftuan në skenë kryetarin e Qendrës Kulturore në Shtutgard, Vitor Spaçin, i cili përshëndeti të pranishmit dhe prezantoi Asociacionet pjesëmarrëse, në organizimin e kësaj Akademie Përkujtimore shumë domëthënëse:

"Qendra Kulturore Shqiptare, në Shtutgard, me kryetar Vitor Spaçi; Shoqata Kulturore Shqiptare, "Sali Çekaj", në Pfaffenhofen të Bavarisë, me kryetar Osman Ferizi; Shoqata Ansambli "Pavarësia", në Shtutgard, me kryetar Baki Mustafa; Shoqata Kulturore Shqiptare "Kosova", në Fellbach; Shoqata Kulturore "Atdheu" në Schwäbisch Gmünd, me kryetar Halil Zemaj; Shoqata Kulturore Shqiptare "Dardania" në Mannheim, me kryetar Naser Hoxha; Shoqata Kulturore "Kadri Zeka", në Kirchheim & Teck, me kryetar Taxhedin Baholli; Shoqata Kulturore Shqiptare "Shqiponja", në Schwäbisch Hall; Shoqata Kulturore Shqiptare "Sali Çekaj", në Zvicër, me ktryetar Qemail Haxhija; Shoqata Kulturore Shqiptare "Nëna Terezë", në Göppingen, me kryetar Jahja Gashi".

Tashmë, pothuajse, njëzëshëm, pranohet se trinomi Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Sali Çekaj, janë ideatorë të rezistencës aktive paqësore, me krijimin e institucioneve paralele shtetërore dhe organizimin e luftës të armatosur, madje, në kushtet supër-specifike të pushtimit serbo-sllavë dhe të argatëve të tyre shqipfolës, sabotatorë, deri në dështim, të luftës për çlirim të Kosovës.

Image
Vitor Spaçi

Si zakonisht, emri i zëshëm i Sali Çekaj, i prekë, deri në lot, shqiptarët në përgjithësi dhe mërgimtarët, në veçanti. Andaj, salla ishte e stërmbushur. Veprimtari i Mërgatës, Vitor Spaçi, vijoi me përshëndetjen e mysafirëve: "Na nderojnë me pjesëmarrjen e tyre: Ambasadori Beqë Cufaj, Komandanti i Kosharës, Hisen Berisha, këshilltar në Ministrinëe Mbrojtjes të Kosovës, major Kastriot Hoxha, pedagog në Akademinë Ushtarake Shqiptare, kryetari i komunës të Drenasit, Ramiz Lladrovci, konsulli Ymer Lladrovci, Festim Lato, president i Republikës të Maqedonisë, me seli në Hagë, kryetari i Degës të LDK-së, në Zvicër, Qemal Haxhija, me dhjetra bashkëpunëtorë të tij, ish-kryetarin e LDK-së në Gjermani dhe Diasporë, Hafiz Gagica, ish të burgosurin politik Idriz Zeqiraj, që ka një të kaluar të dhimbshme, me vuajtje jo të pakëta. 

Përshëndesim veprimtarët e shumtë, të cilët me dekada dhanë kontributin e tyre për Kosovën. Lidhjen e Krijuesëve Shqiptarë në Gjermani, që sot përfaqësohet me poetin dhe aktorin Mentor Thaçin. Me moton "Heronjtë na bashkojnë" dhe porosinë të jemi sa më afër njëri tjetrit, e shpallim Akademinë Përkujtimore të hapur.

Për këtë qëllim kam zgjedhur vendosjen e qiriut të ndezur në skenë. Tek kjo dritë do të kemi pikën e referimit. Kjo dritë e qiririt simbolizon dritë në Familjen Çekaj, dritë në Kosovë. Drita e qiririt është simbolikë e bashkimit, e paqës, e dashurisë për njerëzimin", - tha Vitor Spaçi, në cilësinë e përfaqësimit të Shoqatave organizatore të Akademisë Përkujtimore, kushtuar Sali çekaj, Hero i Kosovës.

Image
Major Kastriot Hoxha

Kastriot Hoxha, pedagog në Akademinë Ushtarake Shqiptare, në mes tjerash, tha:" Në emër të kolegëve të mi që organizuam, plamnifikuam dhe drejtuam trajnimin e djemëve të ardhur nga Kosova, Maqedonia, Diaspora, të përshëndes të gjithë pjesëmarrësit e trajnuar në qendrën stërvitore Surrel, Tiranë, familjet e tyre, familjet e dëshmorëve, të rënë për lirinë e Kosovës si dhe të gjithë juve, që merrni pjesë në këtë përvjetor. 

Ardhja në fshehtësi dhe kthimi i tyre me armatim dhe municion në Kosovë, ishte një mision shumë i guximshëm. Këta heronj e luftëtarë të pamposhtur, guxuan të organizoheshin, të trajnoheshin, të armatoseshin e të kryenin veprime luftarake, në kohën që as vetë serbët nuk mund të besonin. Këtë operacion e drejtonte komandant Sali Çekaj. Ai me qetësi, zgjuarësi dhe durim të admirueshëm, në bashkëpunim me grupin tonë, e realizoi me sukeses të plotë.

Përveç ushtrimeve fizike luftarake, ne bashkëbisedinim se si mund të realizohej çlirimi i Kosovës, taktikat, teknikat, armatimi që duhej përdorur. Por një vend të veçantë në këto diskutime komandanti Sali Çekaj ia kushtonte mbrojtjes të popullsisë civile. Ai kishte mandatin e udhëheqjes të Kosovës, për organizimin dhe drejtimin e gjithë kësaj veprimtarie shumë të rëndësishme.

Djemtë e Kososvës, pjesëmarrës në stërvitjet ushtarake në Shqipëri, përveç Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, në këtë përkujtimore nuk mund të rri pa i përmendur edhe shumë të tjerë si: Zymer Lulaj, Kadri Gubetini, Osman Ferizi, Bashkim Leci, Saim Tahiraj, Ramadan Begu, Shemsi Krasniqi, Iljaz Kodra, Murat e Seit Jashari, Adem Dërguti, Ekrem Sheholli,  Ilmi Peci,  Xhavit e Naim Gubetini e shumë të tjerë.

Të gjithë jemi krenarë për veprën e tyre heroike, përkulemi me respektin më të madh, për dëshmorët, sepse aty gjejmë frymëzimin dhe forcën, për të ecur përpara, drejtë zhvillimit e integrimit të shoqërisë sonë, - tha komandanti dhe pedagogu ushtarak Kastriot Hoxha.

Image
Image
Image
Image

Kryetari i Degës të LDK-së në Gjermani dhe i Kolegjiumit të Degëve në Diasporë, Hafiz Gagica, i cili ishte pjesë e përkujdesjes dhe e menaxhimit financiar, për tre grupet stërvitore në Shqipëri, foli për rëndësinë e kësaj nisme dhe të Sali Çekaj, si zyrtar politik, intelektual, ushtarak e luftëtar i përkushtuar, deri në rënien e tij heroike. Ai evokoi kujtimet nga bashkëpunimi 8-vjeçar me Sali Çekaj, në zyrën e LDK-së në Shtutgard, në cilësinë e nënkryetarit të saj.

"Kur flasim për Sali Çekaj, duhet t`i kthehemi kohës që ka vepruar. Brezi i ri duhet ta njohë figurën e e tij, përmes njerëzve që e kanë njohur nga afër. Ishte i dashur, i urtë, i afërt për miqtë, por shumë i rreptë me armiqtë. Saliu kishte urtësinë, burrërinë, mençurinë. Fuqia, dija e Saliut, nuk matet me deklarata. Ai nuk rrihte tavolinën, por rendte rrugëve të kurbetit, klubeve, për të siguruar mjetet, fillimisht, për mbijetesën në Kosovë, më vonë për rezistencën e armatosur. Saliu ishte pjesë e kombit, me të gjitha virtytet e tij.

Për afër 8 vjet shërbeu në zyrën e LDK-së në Shtutgard, vullnetarisht. Për ditët e krenarisë dhe të vuajtjes, ai demonstronte në mënyrën e tij. Edhe kur lavdërohej, edhe kur kritikohej, ai vetëm heshte. Kur vendosi për luftën, kishte parasysh edhe vrasjen, por nuk tërhiqej nga vendimi i tij. Kur e përcollëm me të birin Hysenin dhe nipin e tij, me një çantë në krah, tha se ju kam dhënë besën atyre djemëve, nuk mund t`i lë vetëm, më presin atje, në Koshare. 

Kishte ndërskamsa dje, ashtu siç ka edhe sot. Por, ai nuk ndalej. Pengesat në mes krahëve të ndryshëm, më shumë ishin primitive. Ka ardhur koha që gjithë shqiptarët, duhet të jenë të bashkuar. Edhe sot do të thoshte se ata që kanë fuqi kundër njëri-tjetrit, nuk ia duan të mirën Atdheut. Edhe sot pas 20 vjetësh, kombi ynë ka nevojë për figura të tilla unifikuese, siç ishte Sali Çekaj", - tha, në mes tjerash, bashkëpunëtori i Saliut, Hafiz Gagica. 

Bashkëushtruesi i detyrës së kryetarit të Degës të LDK-së në Gjermani, Blerim Hajdaraj, referoi në emër të Kryesisë të kësaj Dege:

"Të flasësh për figurën e Heroit Sali Çekaj, është një nder dhe përgjëgjesi, sepse flasim për një ndër figurat më të mëdha të kombit, në historinë më te re të Kosovës. Saliu ishte një figurë shumë diminsionale, që i ngërthen në vehte të gjitha ato veti, të cilat e madhërojnë atë si personalitet. Salihun e karakterizonin këto tipare:

- Burrëria tipike shqipëtare; 

- Atëdhedashuria: dashuri për Atdheun, dashuri për njeriun, dashuri për Familjën; 

- Fisnikria më modestinë dhë thjeshtësinë njerzore; 

- Besnikria ndaj shokëve, njerëzve dhe Atdheun; 

- Trimeria e gërshetuar më mençurinë dhë zgjuaresinë. 

Sali Çekaj e njohim si jurist, politikan, komandant gueril, pastaj komandant Institutional, i cili dijti që në menyrë unikale të gjitha t`i fusë në sherbim të çështjes kombëtare. Injoranca e elitës të sotme totalitare bolshevike, tentojnë ta nënvlerësojnë dhe ta lënë në harresë. E tëra kjo bëhet më të vetmin qëllim që t`i vazhdohet jeta gënjeshtrës së madhe historike, e cila po mundohet të ndërtoht nga hajnat e historisë, mbi të cilën ndërtuan karrierën e tyre politike dhe sot qënderojnë në majat e pushtetit kriminal në Kosovë, e që edhe shumica prej neve e mbajmë barrën e fajit, për mundësinë që po ua japim. Pra të gjithë ata që bëjnë miqësi më kriminelët, mund të cilësohën si të tillë! 

Kur u formua Ministria e Mbrojtjes, Sali Çekaj ishte aty ku e kërkonte koha. Ekzekutimin zyrtar të Ministrit, Kolonel Ahmet Krasniqi, nga banditët e LPK-së dhe Tirana zyrtare neokomuniste, Saliu e përjetoi shumë rëndë. I plagosur në shpirt, vazhdoi rrugën drejt Kosharës, i cili, bashkë me Agim Ramadanin, ishin ideatorët dhe zbatuesit kryesorë të heqjes të piramidës ndarëse ndërshqiptare", - tha, veç tjerash, djali i komandantit dhe deputetit Hero, Smajl Hajdaraj, Blerimi. 

Image
Komandant Hisen Berisha

Sali Çekaj institucion i shpresave shqiptare  

Dalja në skenën e Akademisë Përkujtimore, të Komandantit të Kosharës, Hisen Berisha, u prit ngazllueshëm, me duatrokitje të veçanta. Të pranishmit sikur kishin një Sali Çekaj, në miniaturë në foltore. Ishte shoku i tij i armëve.

"Sali Çekaj i vetmi institucion, i cili mbante ende gjallë shpresat e shqiptarëve, për liri dhe çlirim të Kosovës". Kështu e nismoi ligjëratën e tij Hisen Berisha, këshilltar në Ministrinë e Mbrojtjes, për të vazhduar: "Njëzet vjetorin e Luftës së Kosharës po e karakterizon tendenca e Serbisë, për të rikthyer në Koshare dhe midis shqiptarëve gurët e kufirit, të cilët i zhbëri dituria, angazhimi dhe lufta e Sali Çekut me bashkëluftëtarë.

Dhjetë vite përpjekje politike e ushtarake të Salës, kishin grumbulluar në fshatin Papaj të Tropojës, afër 300 luftëtarë shqiptarë nga të gjitha viset e tokës ilire. Sali Çeku ishte frymëzimi i tyre, ishte shpirti luftarak i “Spartanëve modern shqiptarë” në atë luftë.

Në marsin e vitit 1998, ushtria serbe mori nën kontroll tërësisht jetën civile, duke e shtrirë okupimin dhe juntën ushtarake në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Milosheviqi kishte nxjerrë tashmë ushtrinë nga kazermat dhe i kishte vendosur në pozicione luftimi.

Përpjekjet e Salihut rezultuan me marrëveshjen e Oslos, ku faktori shqiptar ushtarak i uniformuar dhe politik, vendosi për formimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të saj të armatosura, si dhe zgjodhi Kolonel Ahmet Krasniqin Koordinator i Shtabit Suprem.

Lufta në Drenicë e Dukagjin e shpalli mobilizimin e përgjithshëm të shqiptarëve për t’i dalë zot atdheut.

Presidenca e Republikës së Kosovës, hapur u bënte thirrje shqiptarëve “që të mos i braktisnin vatrat e tyre, por ta mbronin pragun e shtëpisë”, ndërsa arenën ndërkombëtare e njoftonte për gjenocidin që ushtria dhe policia serbe po e ushtronte në Kosovë.

Në rrethana të tilla, legjenda e pavdekshme e UÇK-së, Sali Çeku kthehet në Tiranë dhe bashkë me Komandantin Ahmet Krasniqin e marrin detyrën kushtetuese për organizimin, planifikimin dhe implementimin e planit për çlirimin me luftë të Republikës së Kosovës. Frytet e këtij angazhimi në qershorin e vitit 1998, e nisin për në Kosovë me formacionet e para të rregullta të UÇK-së.

Komandanti i shtabit suprem të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës ua dorëzoi këtyre njësive flamurin e luftës dhe urdhrin për çlirimin e Kosovës.

Sali Çeku ishte krahu tjetër i shqiponjës së Adem Jasharit në këtë luftë.

Fitorja e betejës së Loxhës nga formacionet e ushtrisë së rregulltë të Republikës së Kosovës, i ndryshuan të gjitha raportet në terren si dhe qasjen për luftë në vazhdim.

Qeveria e Republikës së Kosovës në mërgim, fillimisht e ndal financimin për aktivitetet e Presidencës së Republikës të Kosovës, ndërsa armatimet e nevojshme dhe të premtuara, për formacionet e UÇK-së brenda Kosovës nuk arritën kurrë në Dukagjin. Pra, bartësit e institucioneve qeverisëse, dështuan për të përmbushur obligimet kushtetuese.

Qeveria socialiste e Fatos Nanos, e dalë nga revolta popullore e vitit 1997, funksionalisht as vet nuk kishte shtrirje në tërë territorin e Republikës së Shqipërisë. Zona të tëra kontrolloheshin nga banda të armatosura. Armata e Shqipërisë, tashmë, ishte tërësisht e rrënuar, policia po ashtu. Ky sistem i improvizuar qeverisës u mundësonte operimin në Shqipëri të mekanizmave dhe shërbimeve sekrete millosheviçiane. Këtë operim pothuajse e kishte legalizuar takimi Nano – Milosheviç, në Kretë.

Ushtria e Millosheviqit, e cila po e zbatonte planin ushtarak “Patkoi”, e kishte refuzuar nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë, ndërsa në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë, përmes “dorës së zezë”, e kishte vrarë Komandant Krasniqin.

Në Prishtinë, me datë, 01 Prill 99, ishte arritur të merret peng Presidenti Rugova, duke e dërguar me përkujdesje ushtarake në Beograd.

Ushtria millosheviqiane ndërkohë u përkujdes që ta vras me pushkatim trurin e organizimit politik të shqiptarëve të Kosovës, akademik Fehmi Aganin. Kjo mizori serbe ia kishte arritur që me eliminime, me vrasje të paralizohet çdo qelizë e shtetit të Kosovës.

Sali Çeku kishte mbetur i vetmi institucion, i cili i mbante ende gjallë shpresat e shqiptarëve për liri dhe çlirim të Kosovës.

U ngjit në Qendrën Stërvitore Ushtarake në fshatin Papaj, hodhi krahët, si të shqipes, mbi kokat e oficerëve të UÇK -së dhe përkrah Rrustem Berishës, Agim Ramadanit e oficerëve e luftëtarëve tjerë të Grupit Operativ tre (GO3), u nis duke goditur për vdekje në Rrasë e Karaullën e Koshares, ushtrinë e Slobodan Millosheviqit.

Në Kosovën e paraluftës ne luftuam për lirinë si kategori, pa të cilën nuk mund të jetonim si komb. Tani na duhet të vendosim drejtësinë për të ndërtuar paqen.

Kurrë s’kemi qenë më të lirë për të bërë vepra të mëdha. Nuk duhet të na mungojë gatishmëria e sakrificës, për të vërtetën, nëse duam të fillojmë ndryshimin.

Por, sakrifica e Veteranit të Luftës dhe lirisë për Kosovën, dëshmorit dhe heroit të Kosovës, Nderit të Kombit Sali Çeku dje, na frymëzon që Ne sot, të marrim vendime të guximshme për popull.

Zoti e bekoftë trashëgiminë politike të Sali Çekut!

Amanet për brezat, që Kosova të jetë vetëm shtet demokratik dhe i pavarur", - e mbylli fjalën e tij brilante heroi i gjallë i Luftës në Koshare.!

Kryetari i Nëndegës së LDK-se për Baden Württemberg, Abaz Imeri, si nikoqir, përshëndeti dhe falenderoi të pranishmit, për pjesëmarrje në Akademinë Përkujtimore .

"Jemi sot ketu, për të nderuar veprën e heroit të kombit, Sali Çekaj, në 20 vjetorin e rënies në Betejën e Kosharës. E kujtojmë sot intelektualin e shquar dhe njërin prej udhëheqësve të parë të LDK-se, i cili ishte veprimtar për Pavarësinë e Kosovës, që e bashkërenditi veprimtarinë e vet politike, shtetërore, ushtarake në Lëvizjen e Pavarësisë të Dr.Ibrahim Rugovës.

Salih Çekaj si nënkryetar i Degës së LDK-së në Gjermani, u bë organizator i shkëlqyeshëm i shqiptarëve, për të ndihmuar, materialisht e politikisht, mbijetesën dhe organizimin Lëvizjen Çlirimtare të Kosovës, duke vepruar në Kosovë, Shqipëri dhe në mbarë Evropën.

Sali Çekaj ishte kryengritës në rezistencën politike. Ai u bë luftëtar në rezistencën e armatosur, mbaroi si dëshmor në luftën çlirimtare të Kosovës dhe u bë Hero i Kosovës. Kështu që emri dhe nami i Sali Çekajt, krahas emrave të Adem Jasharit, Fehmi Aganit, Agim Ramadanit, si dhe shumë kolosëve tjerë të pavarsisë së Kosovës, sot njihet dhe nderohet kudo në botën shqiptare.

Salih Çekaj ishte, jurist, intelektual, politikan, ushtarak, vizionar, dhe strateg.

Para së gjithash, ishte burrë i fjales dhe i besës, trim i vendosur i mençur, i matur dhe i thjeshtë.

Sali Çekaj, ishte njëri ndër komandantët më të shquar të luftës së UÇK-së.

Sali Çekaj për lirinë e Kosovës, luftoi me mjete politike dhe në fund edhe me pushkë në krahë !

E nderuara Familja e Sali Çekaj të jeni krenar, sepse

Saliu është nderi dhe krenaria e Kosovës dhe e mbarë kombit".

Poeti Mentor Thaçi u prezantua në Akademi me monologun "Moj e bukura Dardani":

Dikur n´Çakorr iu patem hapë vorr, e tash kufinin jau prunë n´Oborr,

e ju, e paski sosë kishe me rujtë Shtetin

tuj e ba myftar ibretin, tuj e shkelë n´fyt miletin,

po t´bâj be, mepas kenë unë me Ademin e Zahirin,

n´ryshe ishin pun´t,

qysh ua kemi bâ Danill´s, Drazh´s, Sav´s e Milivoj´s,

ua kishim thy hun´të me flakë baruti goj´s!

Dalja në skenë e Festim Lato, president i Republikës të Çamërisë, me seli në Hagë, ishte emocionuese. Çamëria - gjaku që nuk falet. Çamëria e masakruar, e përgjakur nga gjeneralt e zi grekë, në vitin 1944. Çamëria e boshatisur nga banorët autoktonë, vendorë, me bajoneta e zjarrë, 

"Në emër të Republikës të Çamërisë si dhe në emrin tim personal, ju përshëndes vëllazërisht. Këtu ndodhet edhe Komandanti im legjendar Hisen Berisha, të cilin e falenderoj shumë. Çamët janë gjallë dhe të pafajshëm. Ata nuk kanë qenë dhe nuk janë koloboracionistë të askujt, ashu siç i kanë akuzuar Greqia terroriste dhe komunistët filosllavë shqiptarë. Çamërit vazhdojnë të jetojnë me ëndrrën e tyre të bukur: Kthimin në vatrat e tyre stërgjyshore, në Çamërinë hyjnore", - tha. ndër të tjera, presidenti i Çamërisë në mërgim, Festim Lato.

Në emër të stafit diplomatik në Gjermani, përshëndeti ambasadori Beqë Cufaj. "Veprimtaria e Sali Çekaj fillon në politikë e deri te fronti i luftës në Koshare. Nuk mund të paramendohet Lufta e Kosovës, pa heroin Sali Çekaj. Figura si ajo e Sali Çekaj, nuk kanë për të vdekur kurrë, sepse është figura e njeriut që ka bërë shumë për kombin. Sali Çekaj ndërtoi figurën e luftëtarit, të heroit, të kultit.

Shtutgardi si kryeqendra shqiptare në Gjermani, që nga vitet `60-a, `70-a, `80-a, është vendi ku kanë vepruar desidentët shqiptarë, si Vëllezërit Gërvalla me shokë e deri ke Hafiz Gagica e Sali Çekaj, me shokë me LDK-në".

Hysen Çekaj, djali i madh i Saliut, kishte sjellur në Akademi foshnjën disa muajshe, Sali Çekaj, i ri, i cili ngjalli shumë emocione lotuese, por, edhe ngushëlluese. "Në emër të familjes Çekaj, ju falenderoj nga zemra të gjithëve, për nderimin që i bëni babait tim, familjarit tonë Sali Çekaj dhe heronjve tjerë. 

Për ne, çdo ditë fillon me mërzi, kujtime e rikujtime. E njëja ditë mbyllet me gëzime e mburrje. Saliu ka qenë dhe mbetet krenaria e famijljes tonë. Tani u bë edhe edhe krenaria e Kosovës, e kombit. Neve, si familje, edhe sot na duket sikur Saliu është gjallë dhe në mesin tonë. Ai, tashmë, ka shkuar në mesin e shokëve, në mesin e  heronjve. Shpesh bëj pyetjen: Mos, vallë, jemi koritur me dëshmorët, heronjtë? Nuk duhet harruar veprën e tyre. Të punojmë, të luftojmë, që të jenë ata krenarë për ne, siç jemi ne për ata.

Ne jetojmë me ëndrrën e heronjve, për një shtet të pavarur, të lirë. Ta çojmë mëtej ëndrrën e tyre fisnike. Lavdi dëshmorëve të kombit! Edhe një herë, ju falenderit", - fundoi fjalën e tij falenderuese, pinjolli i Famijljes Çekaj, Hyseni.

Moderatorja Gjylie Lecaj, i dhuroi një tufë lule bashkëshortës të Saliut, Hyle Çekaj: "Sot, në ditën e nënave, ju uroj, në emërin tim dhe në emër të të gjitha nënave. Njëherësh, i urojmë të gjitha nënat shqiptare! Bashkëshortja e Sali Çekaj, Hyla, lindi, rriti dhe edukoi fëmijtë e mrekullueshëm, andaj meriton nderimin tonë".

Nga Zvicra kishin ardhur enkas këngëtarët e mirënjohur, Vëllezërit Alimusaj, të cilër kënduan për Sali Çekaj dhe herojntë si dhe Besim Lokaj, nipi i Saliut, këndoi solo, për dajën hero.

Ansambli "Pavarësia" në Shtutgard, me drejtues Baki Mustafi, shkëlqeu me përformancën artistike, me ekzekutimin e valleve burimore shqiptare.

Image
Ansambili "Pavarësia" në Shtutgard
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat