Dega e LDK-së në Gjermani analizon zgjedhet dhe programon veprimtaritë e saj - Bota Sot
Dega e LDK-së në Gjermani analizon zgjedhet dhe programon veprimtaritë e saj

Gjermania

Dega e LDK-së në Gjermani analizon zgjedhet dhe programon veprimtaritë e saj

Nga: Idriz Zeqiraj Më: 13 nëntor 2019 Në ora: 12:59
Kuadrot e LDK-së Haki Rugova dhe Arban Abrashi me Kryesinë e Degës të LDK-së në Gjermani

Në Titz të Nordheim Westfallen Kryesia e Degës të LDK-së, në Gjermani, mbajti mbledhjen e radhës, me rendin e ditës:

1) Analizë e procesit zgjedhor në Mërgatë; shkaqet dhe arsyet e një votimi të pakët; roli i Mërgatës në zhvillimet në Kosovë: riorganizimi dhe themelimi i Nëndegëve të reja; ide, propozime, kritika.

2) Përgaditjet për mbajtjen e Akademisë Përkujtimore për Presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugova, në pjesën e dytë të janarit 2020, nga Nëndega e Rheinland Pflalzit, nën patronazhin e Degës si dhe programimi i veprimntarive tjera, përgjatë vitit 2020.

Me propozimin e anëtarit të Kryesisë të Degës, Fazli Hajdaraj, mbledhjes iu shtua edhe një çështje:

3) Marrëdhëniet në Kryesinë e Degës, përkatësisht, kryetarit dhe nënkryetarit.

4) Të ndryshme.

Në fjalën e hapëse, kryetari i Degës të LDK-së, në Gjermnani, Osman Ferizi, përshëndeti anëtarët e Kryesisë të Degës si dhe mysafirët: nënkryetarin e LDK-së dhe kryetar i komunës të Istogut, Haki Rugovën dhe sekretarin Organizativ të LDK-së, Arban Abrashin, të ftuar nga Kryesia jonë.

Kryetari Oman Ferizi bëri një ekspoze të punës pak mujore, në cilësinë e kryetarit të zgjedhur, në Kuvendin e 9-të Zgjedhor të Degës. Pastaj, fjalën ia dha nënkryetarit Haki Rugova, i cili përshëndeti të pranishmit dhe falenderoi për ftesën e bërë për atë dhe sekretarin Arban Abrashi. "Kam komunikuar me kryetarin Osman Ferizin. Raportet e punës e deri Proces-verbalet e dërguara nga ai dhe sekretari Agim Aliçkaj, janë një risi e bashkëpunimit korrekt të LDK-së në Mërgatë, me LDK-në në atdhe. Nisma e mbarë është dëshmi e vullnetit shtesë nga palët.

Kaluam një proces zgjedhor të suksesshëm. Pjesëmarrja në votim ishte deri 46 %, p.sh. në komunën e Istogut. Prania e votuesëve nga Mërgata e mirëseardhur. Por, jemi të pakënaqur me përmasën e votimit të pakët. I kuptojmë edhe pengesat, zhgënjimet nga shpërdorimet, që, tashmë, janë konstatuar përgjatë zgjedhjeve të shkuara lokale. Por, megjithatë, indiferenca në votim e anëtarësisë, nuk justifikohet. Nga ana jonë, pranojmë pamjaftueshmërinë e angazhimit tonë në Mërgatë. Por, premtojmë se do të jemi të pranishëm dhe do ta koordinojmë bashkëpunimin me mërgimtarët tanë. Unë jam i hapur, i gatshëm, për t`u përgjigjur në pyetjet tuaja, cilatdo qofshi ato".

Sekretari Organizativ i LDK-së, Arban Abrashi përshëndeti kryetarin Ferizi dhe Kryesinë e Degës të LDK-së në Gjermani, duke vlerësuar, njëherësh, "kontributin dhe rolin shumëdimensional për Kosovën dhe LDK-në. Zotëri Abrashi foli për rrjedhat aktuale të partisë në Kosovë. Tashmë, nuk jemi vetëm dy parti konkurrente, për drejtimin e vendit, sepse janë themeluar edhe shumë parti të tjera. Andaj gara është bërë më e fortë dhe për ta përballuar konkurrencën, aktivitetet tona duhet të jenë të siguruara.

Nëse angazhimi jonë ka qenë i mjaftueshëm apo jo, është diskutabile. Raportet e bashkëpunimit duhet t`i krijojmë qysh tani, sepse elektorati i Mërgatës ishte përcaktues, pse nuk kemi marrë primatin e krijimit të qeverisë. Me keqardhje, si na iku shansi i të qenit të parë? Duam të jemi në dijeni, paraprakisht, për organizimet tuaja, që edhe ne të jemi të pranishëm. Prezenca jonë duhet të jetë e planifikuar, si ta maksimalizojmë votën. Zgjedhjet ende nuk janë çertifikuar, për shkak të së drejtës të ankesave. Janë procedura standarde të ligjshme KQZ, PZAP, Gjykata Supreme, shkallët e ankesave.

Projektet e mëdha: Interpoli, MSA-ja, Liberalizimi, ishin në tavolinë. Nuk kemi kryer Demarkacionin, prandaj jemi shkarkuar, larguar si qeveri. Koalicioni PAN, me kryeministrin fatal, me politikën skandaloze, jo vetëm nuk i realizoi projektet që ua la qeveria e Mustafës të gatshme, por, pothuajse, i hoqi nga agjenda e realizimit. Rrugëtimet e Haradinajt ishin të rrëmujshme, të kota, nuk e priste, nuk e përfillte askush në Evropë. 

Për zgjedhjet e 6 tetorit, ka qenë një agjitim i orkestruar kundër LDK-së dhe elektorati ka rënë në kurthin e opionistëve të porositur, duke humbur shansin e fitores, pikërisht, në prag të zgjedhjeve. Tani duhet krijuar një frymë pozitive e shprese, për begatimin e LDK-së". 

Kryesia e Degës vazhdoi me programimin e koordinuar të veprimtarive, përgjatë vitit të ardhshëm, duke i shpërndarë, proporcionalisht, nëpër Nëndegët e saj, por, gjithnjë nën patronazhin e Degës:

- Nëndega e LDK-së në Rheinland Pfalz, organizon Akademi Përkujtimore për Presidentin Rugova, në gjysmën e dytë të janarit, në Ludwigshafen.

- Nëndega e LDK-së në Niedersachsen, do të organizon Akademi Përkujtimore për ideologun Prof. Dr. Fehmi Agani, më 2 shkurt 2020.

- Nëndega e LDK-së në Hessen mban Akademi për Heroin Sali Çekaj, në prill 2020.

- Shënimin e 30 vjetorit të themelimit të Degës të LDK-së në Gjermani, do të mbahet në Stuttgart, me organizim të Nëndegës të Baden Würtembergut.

(LDK-së Qendër në Kosovë do t`i propozohet ndarje të - Mirënjohje - për veprimtarët e shquar të LDK-së në Gjermani).

- Akademi Përkujtimore do të mbahen edhe për Kolonelët Heronj: Ahmet Krasniqi e Tahir Zemaj, legjitimues të Luftës në Kosovë.

- Organizime të kësaj natyre dhe shënimin e datimeve domëthënëse historike, do të bëhen edhe nga Nëndegët e LDK-së në Bavari, si: Nëndega e Starnbergut, Mynihut, Oberbajernit dhe gjetkë në hapësirën gjermane.

- Dega e LDK-së në Gjermani do të nisë bashkëbisedimin me rininë dhe bizneset në Gjermani, me synim sjelljen e investimeve në Kosovë.

- Kryesia e Degës mori angazhim për themelimin e Nëndegëve të reja, në mjediset ku ka grumbullim të mërgimtarëve tanë.

Kryesia e Degës të LDK-së në Gjermani, duke përfituar nga prania në mbledhje e përfaqësuesëve të LDK-së, Haki Rugova dhe Arban Abrashi, doli me disa kërkesa:

- Kryesia e Degës së LDK-së, shpërfaqë vullnetin e anëtarësisë në Gjermani, por, edhe në Mërgatë se dëshiron të përfaqësohet në strukturat vendimmarrëse të partisë në Kosovë, përkatësisht, në Këshillin e Përgjithshëm dhe në Kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

 - Shtimin e numrit të delegatëve në Qendër, të paktën në 5 sish.

- Një bashkëpunim dhe koordinim të mirëfilltë ndërmjet Degës tonë dhe Qendrës në të ardhmen, përkundër marrëdhënieve të ngrira           8-vjeçare.

- Pajisja me Libreza të anëtarësisë.

 - Krijimi i  mundësive për votimin e Mërgatës në vendet ku jetojnë aktualisht.

- Të shpërfillet elementi i shtetësisë së hequr dhunshëm, si pengesë e votimit, siç vepron partia-shtet në Bavari CSU, për shkak të miqësisë ideologjike me shtetin serb, që imponon heqjen e shtetësisë jugosllave, të cilën nuk e kanë pasur kurrë, ngase kanë lindur në Gjermani! E turpshme, deri në gërdi!

- Kryesia Qendrore të kërkojë nga kryetari i parë Hafiz Gagica, dorëzimin e Arkivit të Degës të LDK-së në Gjermani.

Çështja e tretë, që, paradoksalisht, mori shumë kohë, ishte:

Marrëdhëniet në Kryesinë e Degës, përkatësisht, kryetarit dhe nënkryetarit. Kjo zë fill me shkëputjen e disa anëtarëve nga Nëndega e Mynihut, me qëllim të krijimit të një Nëndege të re, për të cilën nuk pajtohet kryetari, Isuf Qetaj, me arsyetimin se nuk lejohet paralelizma brenda qytetit të Mynihut.

Kryetari i Degës, Osman Ferizi tha se "Kryesia jonë, në vizitën e bërë në zyrën e nënkryetarit Haki Rugova, koordinator për Mërgatën, e konsultuam edhe krijimin e një Nëndege të re në Mynih. Zotëri Rugova e aprovoi, duke u bazuar në rregulloren zgjedhore. Si kryetar Dege bëra ftesë për monitorim të procesit zgjedhor nënkryetarëve të Degës: Tahir Buçolli dhe Blerim Hajdaraj. Blerimi erdhi, me vonesë, nga një akademi të organizuar nga Nëndega e Mynihut, me kryetar Isuf Qetaj. Sjellja e Blerimit nuk ishte e zakonshme dhe pyetja e tij "çfarë është ky Kuvend, kur një Kuvend është mbajtur me 9 qershor në Mynih, ky kuvend nuk është i rregulltë". Lëshoi edhe një shprehje jo etike, për rrjedhojë u larguan nga mbledhja dy familje, edhe pse Blerimi kërkoi falje për shprehjen vulgare. Edhe Blerimi lëshoi sallën e  vendit.

Reagimi im ka qenë se ky është një Kuvend i ligjshëm, për krijimin e një Nëndege të re. Blerim, mos spekulo, ky është një Kuvend i rregulltë. Jeni në cilësinë e monitoruesit të Kuvendit. Ne të kemi respektuar dhe ju respektojmë, se je edhe djali i Heroit Smajl Hajdaraj, duhet të jesh i matur." Ndërkohë, disa nga salla janë shprehur më vrazhdë, me shprehjen "nëse nuk të pëlqen, shko nga ke ardhë". Aludimi duhet të këtë qenë, shko te Isufi.

Në shkrimin e bërë, për rrjedhën e këtij Kuvendi, Mxhuni Smajli, flet pës sjelljen jo korrekte të Blerimit, por, anashkalon reagimin e disa zërave nga salla, në adresë të Blerimit, si "koke ardhë me qëllim të keq", duke paragjykuar nxitjen nga një i tretë. Veç kësaj, gazetari përmend, më shumë se një herë: "Blerim Smajl Hajdaraj", edhe pse duhej të mjaftohej me "Blerim Hajdaraj". Dhe, ky shkrim cilësohet si fyerje dhe Blerimi don kërkim-falje.

Është hedhur dyshimi lidhur me një shkrim tjetër të Maxhun Smajlit. Nga hulumtimi i bërë, nuk rezulton që në atë shkrim të jetë objekt Blerimi. Ai është një shkrim nga - Blloku i gazetarit -, që trajton karaktere njerëzish, por, për ata që përcjellin marrëdhëniet ndër njerëzore, referenca ka adresë. Blerim Hajdaraj nuk bënë pjesë në atë kategori. Ai ka qenë dhe mbetet pozitiv. Ishte një keqkuptim, që, realisht, Blerimi nuk ishte fenomeni, nuk ishte as vetja e tij, fenomeni ishte dikush tjetër, jashtë sallës, jashtë Nëndegës. 

Kjo rezulton nga një hetim i kompletuar, i bërë për këtë çështje. Nuk është çështja e marrëdhënive kryetar-nënkryetar. Sepse marrëdhënia e tyre ka qenë e shkëlqyer dhe ashtu duhet të jetë edhe në të ardhmen. Dhe, po të vihej pika mbi -i-, ditën e takimit  me kuadrot e LDK-së, debati nuk do të zgjaste me orë. Blerimi ka pasur gjithëherë një edukatë dhe sjellje supreme. Veprimtar i matur dhe i zellshëm. Këtë e dëshmoi edhe përgjatë kryerjes së detyrës të kryetarit të Degës, së bashku me kolegët Abaz Imeri dhe Isa Shabani. Rrjedhimisht, e gjithë kjo mund të përmbyllet se ishte një fjalosje e rastit, aksidentale dhe duhet harruar si një ëndërr të keqe. Dhe, kjo duhet të bëhet edhe për hirë të ndjesisë së çiltër që ka Kryesia dhe anëtarësia e Degës sonë, për nënkryetarin e saj, Blerim Hajdaraj.

Kryetari i Nëndegës të Mynihut, Isuf Qetaj, shprehu shqetësimin se "20 anëtarë, përfshirë edhe anëtarë të Kryesisë të Nëndegës time, u larguan, duke krijuar Nëndegën e Bavarisë, (tani, të konvertuar në - Nëndegën e Oberbajernit - shënimi im). Nuk duhet lejuar krijimi i Nëndegëve tjera brenda territorit të Mynihut. Ne kemi krijuar Kolegjiumin e Nëndegëve Mynih-Starnberg. Paguajmë edhe anëtarësinë partiake. Kemi respektuar figurat në Qendër, jo kritikën." 

Dikush merakoset pse themeluesit e Nëndegës së re, përdorën emrin e Idriz Zeqiraj gjatë Kuvendit Zgjedhor. Unë kisha rast morti dhe ndodhesha në Turqi. Pra, mungoja. Krejt normale. Njerëzit fisnikë, së pari, respektojnë hierarkinë në bazë, sepse unë isha kryetar i Nëndegës të Bavarisë, në organizimin klasik të LDK-së në Mërgatë. Përndryshe, anashkalimi i hierarkisë në bazë dhe respektimi i hierarkisë në Qendër, është hipokrizi. Veç kësaj, Idriz Zeqiraj ishte pjesë e takimit të Degës sonë, me nënkryetarin Haki Rugova dhe kryetarin Isa Mustafa, të cilët miratojnë riorganizimin e LDK-së, deri në hapjen e Nëndegëve të reja.

Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, duke u kyçur në këtë çështje, konstatoi se ka mospajtime që rregullohen me status dhe me marrëveshje ndërmjet palëve në kundërthënie. Të punojmë pa ndërskamësa. Mynheni është mentropol, qytet i madh, ka vend edhe për 10 (dhjetë) Nëndegë, pa e penguar asnjëra-tjetrën. LDK-ja si parim ka respektimin e hierarkisë drejtuese, kryesinë dhe kryetarin që keni zgjedhur vetë, madje, në mënyrën demokratike më admiruese. Nënshkrimi i procesit nga kryetari dhe nënklryetari i Degës, është legjitim dhe respetohet edhe nga LDK-ja Qendër. Anarkia është edhe më e keqe, se sa mungesa e demokracisë".

Sekretari Organizativ i LDK-së, Arban Abrashi, hyri natyrshëm në rrjedhën e debatit. Ai tha se, tashmë, edhe kundërshtarët tanë politikë janë detyruar ta pranojnë se vendit i vyen një LDK-e e fuqishme. Kjo vlen edhe për anëtarësinë, LDK-në e Mërgatës. Abrashi, për ta ulur tensionin dhe pafundësinë stërzgjatëse, për një çështje që mund të reduktohej në pak minuta, filloi rrëfime faktike, nga praktika e jetës së tij partiake, duke relaksuar, deri në të qeshura të zëshme, fytyrat e ngrysura të anëtarëve të Kryesisë së Degës të LDK-së në Gjermani. Por, rrëfimet e sekretarit Arban, ishin fort domëthënëse dhe ngushtësisht të ndërlidhura, me çështjen, tashmë, të bërë tërkuzë! U pajtuam, më në fund, ky është suksesi, - fundoi fjalën e tij, zotëri Abrashi.

Nënkryetari Haki Rugova, njohës i mirë i Mërgatës shqiptare, ishte i prerë, madje, herë-herë, edhe i rreptë ndaj atyre, të cilët egoizmin e kishin të bollshëm. "Punoni e veproni me përgjegjësi, si strukturë e LDK-së në Mërgatë. Nuk ka kolegjium të Nëndegëve këtu, prandaj, mos shpikni terma të paqena. Mjaftohuni me ato që janë në status. E di që keni aftësinë intelektuale, burrërinë, nderin, respektin reciprok, për t`i tejkaluar mosmarrëveshjet dhe për t`u pajtuar e punuar së bashku. Jini të bindur se është themeluar një Nëndegë e ligjshme dhe ju porosisë të krijoni edhe shumë të tjera", - përmbylli fjalën e tij zotëri Haki Rugova.

Mledhjes i kontribuan, me praninë e tyre, edhe anëtarët e Kryesisë: Agim Aliçkaj, Fazli Hajdaraj, Isa Shabani, Abaz Imeri, Blerim Hajdaraj, Tahir Buçolli, Enver Musa, Bujar Lajçi, Xhevat Berisha, Jakup Gërguri, Rexhep Nikçi, Mustafë Luli, Musa Hamzaj, Milaim Gërvalla, Ibrahim Potoku, Berat Rexhaj.

Në fund, Kryesia ngarkoi kryetarin e Nëndegës Oberbajernit, Rexhep Nikçin dhe kryetarin e Komisionit për Informim të Degës, Idriz Zeqiraj, për të biseduar me palët dhe tejkaluar mospajtimet.

Kuadrot e LDK-së, Haki Rugova dhe Arban Abrashi, gjatë qëndrimit në Nëndegën e LDK-së në Gjermani, biseduan edhe për një serë çështjesh, që sot ka Kosova dhe LDK-ja, përfshirë edhe koalicionin e pritshëm.

Në emër të kryesisë së degës Idriz Zeqiraj, kryetar i komisionit për informim

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat