Gjermania po akuzon disa familje nga Kosova se e përhapën koronavirusin gjatë vizitave për festën e Bajramit

Gjermania

Gjermania po akuzon disa familje nga Kosova se e përhapën koronavirusin gjatë vizitave për festën e Bajramit

Më: 11 qershor 2020 Në ora: 09:56
Gjermania

Göttingeni është prej ditësh një pikë e nxehtë të Covid19 në Gjermani, sepse numri i të infektuarve është duke u rritur. Kjo po shoqërohet edhe me stigmatizimin e të huajve. Paragjykime ka edhe ndaj familjeve nga Kosova.

Qyteti universitar i Göttingenit arriti brenda një jave numrin e 50 infeksioneve të reja me Covid19 për 100,000 banorë. Nëse ky nivel kalohet në qytet do të rivendosen përsëri masat e karantinës. Dhe kjo varet kryesisht nga zhvillimet e mëtejshme në bllokun e banimit Iduna.

Përgjegjësja e shtabit të krizës për qytetin, Petra Broistedt, ka urdhëruar ngritjen e një qendre ambulante testimi në garazhin e bllokut të banimit Iduna, për të shmangur infeksione të mëtejshme gjatë rrugës për në klinika. Mjekë dhe studentë të mjekësisë testuan gjatë fundjavës mbi 400 banorë që banojnë në këtë kompleks me 407 banesa. “Aktualisht kemi 60 të infektuar në kompleksin e banimit Iduna,” shpjegon Broistedt, “të gjithë personat e infektuar dhe kontaktet e shkallës së parë do të qëndrojnë në karantinë për dy javë.” Anëtarja e këshillit bashkiak të qytetit nuk ka pranuar të shpallë karantinë të plotë për këtë kompleks banimi, siç kanë kërkuar tashmë disa në Göttingen. “Ne nuk mund të vendosim një gardh dhe tela me gjemba rreth këtij kompleksi banimi. Ai nuk është burg,” thotë Broistedt.

Kompleksin Iduna e quajnë tani kompleksi Corona

Heiko, i cili jeton prej vitesh në kompleksin Iduna, ndiehet ditët e fundit si i burgosur dhe si kriminel. Si të gjithë banorët e kompleksit, të cilin tani të gjithë e quajnë “Kompleksi Corona”, edhe atë shumë banorë të qytetit e bëjnë përgjegjës për shpërthimin e Coronës dhe për faktin se të gjitha shkollat në Göttingen do të mbyllen edhe për një javë tjetër, thotë ai. “Njerëzit më hedhin vështrime të shtrembëra në rrugë, apo më shajnë. Disa madje kanë pështyrë pas kurrizit tim.”

Paragjykime ndaj familjeve nga Kosova

Edhe më fort të prekur prej fajësimeve janë një numër familjesh nga Kosova që kanë ardhur në Gjermani në vitet 90 si dhe familje arabe. Prokuroria po heton, sepse Drejtoria e Shëndetit Publik dyshon se shkak për përhapjen e virusit ka qenë një festë e madhe private me rastin e përfundimit të Ramadanit, ku ishin mbledhur shumë vetë si dhe një grup prej 30 meshkujsh që kishin qenë në një Shisha-Bar dhe kishin ngatërruar masakat pasi kishin pirë nargjile.

Partitë e djathta dhe përkrahësit e tyre po e ndezin situatën me postime raciste në rrjetet sociale.

Familjet nga Kosova ankohen për stigmatizim dhe e kundërshtojnë me forcë faktin se kanë organizuar festa të mëdha me rastin e Bajramit. Ato thonë se “zero pacienti” kishte një kombësi tjetër dhe se ato e kishin informuar në mënyrë të përsëritur Drejtorinë e Shëndetit Publik që “zero pacienti” kishte shkelur karantinën, por pa sukses.

Raportim mediatik i njëanshëm

Meinhart Ramaswamy, anëtar i këshillit bashkiak të qytetit, i cili ka vite që kujdeset për familjet nga Kosova, kritikon faktin se mediat kanë informuar në mënyrë të njëanëshme. „Ne kishim një dentist këtu në Gëtingen i cili ishte për ski në Ischgl të Austrisë ku pati shpërthim të Coronës dhe pasi u kthye mjekoi këtu 500 pacientë. Askush nuk shkroi ne media për të,” – thotë Meinhart Ramaswamy. Sipas politikanit vendor:”Në një kompleks, ku jetojnë shumë njerëz në hapësira shumë të ngushta është bazë për shpërthime epidemish.”/DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat