Telegram Urimi i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, nga Doktorant Mr. asc. Nikollë Shabani

Gjermania

Telegram Urimi i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, nga Doktorant Mr. asc. Nikollë Shabani

Nga: Nikollë Shabani Më: 9 shtator 2020 Në ora: 10:34
Nikollë Shabani

Të nderuar anëtarë të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi,

i nderuari kryetar historik i shqiptarëve në Mal të Zi, profesor Mehmet Bardhi,

i nderuar kryetar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, z. Saubih Mehmeti,

të nderuar Ju të gjithë që dikur ishit anëtarë të denjë të kësaj Lëvizjeje kombëtare shqiptare/LD në MZ, e viteve 90-ta, që vepruat dhe punuat për çështjen shqiptare të këtyre trevave në Pellgun Verior të Shkodrës/ Ulqin, Tivar, Ratac, Tuz, Malësi e Madhe, Podgoricë, Rozhajë, Plavë, Gusi e Pazar i Ri.

Urime 30 vjetorin e themelimit të LD në MZ, subjekt i parë shqiptar në këto treva etnike të kombit tonë, dita kur me 9 shtator 1990 në Tuz lindi ky subjekt politik!

Të bësh këtë Urim detyrohesh ta rifreskosh kujtesën e lexuesit si dhe të pranishmëve në këtë përvjetor, dhe me këtë rast und do e veçoj kujtimin tim për Ju nga ky kënd:

Kush ishin ata që e themeluan LD në MZ ?

Ishin profesorët tanë të cilët u përjashtuan nga puna gjatë viteve të 80-ta pas sakrificave dhe burgosjeve, torturave dhe përbuzjeve ç’njerëzore, ata qëndruan heroikisht dhe në vitet e 90-ta e themeluan subjektin politik, i cili në anëtarësinë e tij kishte secilin shqiptar nga trevat tona shekullore në MZ.

Shfrytëzoj rastin të falënderoj gjithë ata anëtarë të cilët ende sot e ndjejnë veten krenarë në radhët e kësaj partie shqiptare, falënderoj njëkohësisht kryetarin Prof. M. Bardhin, i cili me zemërgjerësinë e tij kurrë nuk i fajësojë bashkëpunëtorët e ngushtë të cilët në një moment e braktisen këtë subjekt politik, duke formuar subjekte të reja, apo duke shkaktuar plasaritje të ndryshme në qëndresën e shqiptarëve të këtyre trevave.

Me kënd ishte në koalicion LD në MZ ?

Në kohën e viteve 90-ta shqiptarët dhe vet LD në MZ kishin vetëm një koalicion, atë kombëtar, kishin koalicion me presidentin Ibrahim Rugova, me presidentin Sali Berisha, kryetarin Arben Xhaferin, Akademik Mark Krasniqin, krye-parlamentarin Pjetër Arbnorin etj., dhe këtë Lidhje për ne e mbante kryetari i LD-së në MZ, M. Bardhi në koordinim të ngushtë me Prof. Fehmi Aganin. Ky koalicion u zbeh shumë herë, por në parim në vetvete ende jeton…

LD në MZ ka edhe një nderë të veçantë, sepse lideri i saj ende vepron në mesin tonë, kështu që apeloj tek gjithë shqiptarët, veçanërisht sot në këtë kohë të rikujtimit të viteve 90-ta në Mal të Zi, duhet të përfitoni në bisedë apo konsulencë me Prof. Bardhin, kryetarin historik të shqiptarëve në Mal të Zi.

Nga e tërë ajo elitë intelektuale e udhëheqësve shqiptarë të kohës para 30 Viteve, vetëm dy janë në jetë, Sali Berisha dhe Mehmet Bardhi, të cilët me vizionin e tyre politik dhe kombëtar arritën që t’i bashkojnë shqiptarët rreth një kauze, e cila i afron dhe mobilizon shqiptarët që të organizohen në qëndresën e tyre të fortë ndaj atyre të cilët punonin kundër interesave shqiptare në MZ, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni..!

Image
Mr. Nikolle Shabani dhe Prof. Mehmet Bardhi para Bundestagut Gjerman -Berlin 2004 pas një varg takimesh në këtë Institution

LD në MZ ishte shpesh shënjestër e qeverive lokale dhe qendrore, sa që u copëzua dhe u zëvendësua me subjekte tjera politike, të cilat as për së afërmi nuk mund t’i afroheshin kontributeve të saja. LD në MZ me mprehtësinë e kokave të saja shpeshherë i habiste edhe qarqet evropiane. Më kujtohet vështrimi e një politikani gjerman kur u njoftua se LD në MZ u veçua veçmas si subjekt politik në pavarësimin e MZ me 2006, ku të gjithë u radhiten në blloqe rreth opsionit; “pro” dhe “kundër”, ai tha: „I lumtë, ky subjekt partiak bënë politikë tejet largpamëse që një ditë do ia shohin të mirën shqiptarët në MZ“. Po ashtu duhet cekur edhe gjëra tejet të hidhura, sulmin famëkeq që iu bë shqiptarëve pas referendumit të Malit të Zi, kur u sulmua Malësia shqiptare e vendit, mu në mëngjesin e ditës së themelimit të LD në MZ..!?

Lidhja qëndrojë dhe do qëndrojë, sepse ju e mbajtët, ne do ta mbajmë, e ata që sot nuk janë me Lidhjen tonë, nesër do bëhen me të, sepse nuk munden ta ndërtojnë ardhmërinë pa u bazuar në themelet dhe veprat e saja madhore!

Shumë shokë dhe miq nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe më gjerë po presin që ne disa të deklarohemi për situatën aktuale në MZ, dhe unë ua dërgoj këtë mesazh; lexoni në retrospektivë qëndrimet tona, intervistat, apelet etj., do e kuptoni më saktë qëndrimin tonë për të sotmen, dhe ndoshta po ua vështirësojmë punën, por shpalosni të kaluarën që të kuptoni të sotmen tonë në Mal të Zi, dhe në një të ardhme të shpejt nuk do mungojnë qëndrimet tona me elaborime më të zgjeruara.

Personalisht, në mes tjerash, mua më lidhë edhe një ndjenjë personale me këtë jubile, ngase i bëra 30 vite jetë në Mërgatë, por dua të veçoj një gjë, se edhe pse larg atdheut unë u bëra anëtar i kësaj Lëvizjeje kombëtare shqiptare, që në fillimet e saja dhe librezën e anëtarësisë e pranova nga tri figurat ma të ndritura të kësaj partie, Prof. M. Bardhi, Prof. Tahir Pereziqi dhe Prof. Ibrahim Ceka.

Lavdi dëshmorëve që sot prehën në paq, jetë të gjatë të gjallëve si dhe mbarësi të përhershme me parimin; Një komb, një qëndrim..!

Urime 30 vjetorin e LD në MZ, ngase kemi se çfarë të festojmë, por edhe për çfarë të brengosemi kur e kujtojmë këtë datë të themelimit të këtij subjekti politik të shqiptarëve në trevat etnike në MZ !

Lavdi të rënëve për liri, rroftë kombi shqiptar!

Image
Image
Image
Image
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat