Mjekja shqiptare në Gjermani: Frika e një mbylljeje të dytë është e madhe

Gjermania

Mjekja shqiptare në Gjermani: Frika e një mbylljeje të dytë është e madhe

Më: 26 tetor 2020 Në ora: 11:57
Marsela Ceno

Kryetarja e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani, Marsela Ceno tha për Euronews Albania se rritja e madhe e numrit të infeksioneve me COVID-19 ka rikthyer frikën e një karantine të dytë në Gjermani.

Kjo, shpjegoi mjekja duket në reagimin e qytetarëve, shumë prej të cilëve janë ngritur në protesta, në apelin e mësuese që të vijojnë mësimin normalisht dhe tek tendenca e njerëzve të cilët njësoj si në muajt mars-prill, kur ishte karantina e parë, kanë nisur të dynden në markete për të blerë me shumicë artikujt bazë ushqimorë.

E pyetur lidhur me faktin nëse agresiviteti i virusit paraqitet i njëjtë me marsin gjatë kësaj vale të dytë, mjekja shqiptare e shpjegoi këtë duke e ilustruar me kapacitetet spitalore në shtetin gjerman.

“Mund të themi që po t’i referohemi shifrave, jemi në një nivel shumë të lartë infeksionesh të reja, ndërkohë që ky numër i lartë i të prekurve akoma s’i ka ezauruar kapacitetet spitalore. Në mars kishim 3-4 mijë raste me COVID-19 në ditë. Mund të themi që virusi e ka humbur agresivitetin e vet, por të gjitha këto janë aludime. Akoma nuk mund të themi diçka të sigurt”, u shpreh mjekja.

E pyetur lidhur me kohën  e saktë se kur mund të dalë një vaksinë ndaj COVID-19 mjekja Ceno tha se është shumë shpejt për të folur për një datë, në një kohë që një vaksinë do minimalisht 2 vjet të jetë gati dhe virusi ka vetëm 8 muaj që është mes nesh.

“Gjashtë firma në botë po punojnë për vaksinën, por duhen kaluar në teste të ndryshme që kërkojnë kohën e vet. Vaksina kërkon të paktën 2 vjet, ndërkohë që ne kemi vetëm 8 muaj që merremi më ketë këtë temë. Në Gjermani nuk ka asnjë datë fikse kur do të dalë në treg vaksina”, përfundoi mjekja Ceno.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat