​Haradinaj nga Gjermania: Krenar me mërgatën tonë, janë shtyllë e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës

Gjermania

​Haradinaj nga Gjermania: Krenar me mërgatën tonë, janë shtyllë e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës

Më: 4 dhjetor 2022 Në ora: 18:59
Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj bashkë me deputetët e Kuvendit, Time Kadrijaj dhe Bekë Berisha janë duke qëndruar në Gjermani, ku kanë zhvilluar disa takime me struktura të AAK-së atje.

Haradinaj përmes një statusi në Facebook, ka njoftuar se kanë takuar sot arkitektë, artistë, inxhinierë, mjekë, e ndërmarrës që kanë shënuar suksese të mëdha në Gjermani.

"Emocion i veçantë sa herë takohem me bashkatdhetarë. Gjatë qëndrimit në Gjermani, ndjehem krenar kur takoj arkitektë, artistë, inxhinier, mjekë, ndërmarrës të zotë, që jo vetëm na bëjnë krenarë për suksesin e tyre individual, por i japin paraqitjen e merituar Kosovës. Falë tyre, bota e njeh realitetin që edhe ne ndajmë aspiratat dhe vlerat njëjta evropiane", ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj ka takuar shumë bashkatdhetarë në tubimin e mbajtue sot në Bad Salzuflen.

"Së bashku me deputetët Time Kadrijaj dhe Bekë Berisha, sot në tubimin e organizuar nga bashkatdhetarët në Bad Salzuflen, shpreha falënderimin për shtetin gjerman, që po vazhdon me qëndrim konsistent, në favor të integriteti territorial dhe shtetësisë së Kosovës", ka thënë Haradinaj.

Në këtë tubim, ish-kryeministri Haradinaj i ka informuar bashkatdhetarët për rolin e Aleancës në opozitë

"I informova për situatën politike dhe atë të sigurisë në Kosovë, krizën ekonomike dhe energjetike në vend, e po ashtu kam sqaruar procesin e arritjes së marrëveshjes finale obligativo-ligjore për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Bashkatdhetarët u interesuan edhe për rolin e Aleancës në opozitë dhe po ashtu mora lajme të mrekullueshme për aktivizimin si asnjëherë më parë të mërgatës për Aleancën dhe vizionin e saj", është shprehur Haradinaj.

Haradinaj me këtë rast ka thënë se mërgata jonë ndër vite ka qenë shtyllë e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës.

"Mërgata jonë ndër vite ka qenë shtyllë e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës, përkrahje e pa rezervë e ekonomisë, e tani model i suksesit dhe të arriturave. Duke qenë gjithmonë mirënjohës për dedikimin e tyre të pakusht ndaj atdheut, i sigurova se Aleanca i ka dyert e hapura për secilin prej tyre", ka përfunduar Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat