Përkujtohet Presidenti Rugova në 17-vjetorin e amshimit

Gjermania

Përkujtohet Presidenti Rugova në 17-vjetorin e amshimit

Nga: Idriz Zeqiraj Më: 9 shkurt 2023 Në ora: 13:47
Pamje nga salla përkujtimore

Dega e LDK-së në Gjermani, me kryetar Osman Ferizin, në koordinim me Nëndegën e LDK-së, në Rheinland Pfalz, me kryetar Alush Zeqiraj, organizoi Akademi Përkujtimore, në 17-vjetorin e amshimit të Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Figura madhore e udhëheqësit shpirtëror dhe faktik të Kosovës, Dr. Rugova, vazhdon me përmasën e madhështisë, si ikonë e themelimit të shtetit të Kosovës. Andaj, edhe interesimi i shqiptarëve, për t`u bërë pjesë e nderimit të figurës më madhore të kombit, vjen duke u shtuar.

Në sallën madhore, në Frankenthall të Ludwigshafenit, gjihtçka ishte gadi, për ta shënuar këtë përkujtesë fisnike. Kryesia e Degës të LDK-së në Gjermani dhe ajo e Nëndegës nikoqire, pritën kryesitë e nëndegëve dhe shumë anëtarë të kësaj partie, por, edhe mërgimtarë të tjerë, pavarësisht përkatësisë partiake. Binin në sy garda e hershme e mërgimtarëve, të cilët iu përgjigjen thirrjes të Presidentit Rugova, për ta ndihmuar Atdheun-Kosovë, për mbijetesë ekonomike dhe mbrojtje nga armiku serbo-sllavë.

Intonimi i hymnit "Kur ka ra kushtrimi n`Kosovë", i ngriti në këmbë të pranishmit. Moderatorja simpatike, Magdalena Blakaj, e shpalli të hapur Akademinë Përkujtimore, duke ftuar në foltore kryetarin e kësaj Nëndege, Alush Zeqiraj, për fjalën e rastit, i cili u uroi mirëseardhje mërgimtarëve nga anekënd Gjermania dhe jashtë saj. Ai përshëndeti kryesinë Degës dhe kryesitë e Nëndegëve, familjet e dëshmorëve, të pranishme në Alkademi: Çekaj, Zemaj, Hajdaraj, Zeqiraj, Demaj; anëtarësinë, mysafirët dhe gjithë të pranishmit. Gjithashtu, kryetari Zeqiraj përshëndeti veteranin e UÇK-së, Çerkin Zeneli, i ardhur mysafir nga Dragashi.

Image
Pamje nga salla përkujtimore

Moderatorja Magdalenë ftoi anëtarin e kryesisë dhe zëdhënës i kësaj Nëndege, veprimtarin e hershëm, Fazli Hajdaraj, për të folur për jetën dhe veprën e Presidentit Ibrahim Rugova. Fjalën e tij e filloi, duke cituar Rugovën, nga një intervistë të dhënë, një gazete sllovene, se "kokën mund të ma ndërroni, por mendimin kurrë!" Vërtet, një thënie lapidare! Dhe, veprimtari Fazli Hajdaraj, vazhdoi: "Në këtë ditë të shënuar, të dhimbjes krenare, për burrështetasin, ikonën, arkitektin, shkrimtarin, akademikun Ibrahim Rugovën, nderojmë jetën dhe veprën e Tij. U lind dhe u rritë në Cercë të Istogut, në familjen e Sadri Elezit, nga Malaj të Rugovës. Ai bëri histori në fund të shkullit 20-të dhe në fillim të shekullit 21.

Presidenti Rugova e kuptoi se politika shqiptare duhej të udhëhiqej nga parimi për liri e pavarësi. Frymëzimi i Rugovës ishte i natyrshëm dhe shumë progresiv, nga leximi i letërsisë klasike, të shkrimtarëve mendjendritur, të cilët, me veprat e tyre kanë lënë gjurmë në historinë botërore. I shkëlqyer si nxënës i 8-vjeçarës, shkollar i mesem, në fakultet si dhe në studimet post-diplomike, deri në specializimin për kritikë letrare dhe doktoraturë.

Rugova gërshetoi, mrekullisht mirë, veprimtarinë krijuese me atë politike. Dhe, këtë e filloi si student, duke drejtuar gazetën "Bota e re", për të vazhduar botimin në "Fjala" dhe mediet tjera të kohës. Më 1988 u zgjodh në krye të Shoqatës të Shkrimtarëve, duke u përballur, madje suksesshëm, me gardën nacionaliste të shkrimtarëve dhe të akademikëve serbo-sllavë. 

Më 1989 themeloi partinë e parë plurale në Ballkan, LDK-në, duke u vënë në ballë të proceseve të vështira, për një 10-vjeçarë radhazi. Për ta refuzuar pushtetin represiv serbo-sllavë, krijoi institucionet paralele, duke bllokuar të gjithë sistemin zyrtar. Në fillim të viteve `90-a, shpalli Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën, zgjedhjen lokale e qendrore, zgjedhjet presedenciale; qeverinë paralele, pjesërisht në ekzil; fondin shtetëror për mbijetesën dhe mbrojtjen e Kosovës, e deri te krijimi i Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës (FARK) dhe Shërbimin Informativ.

Image
Fazli Hajdaraj, Magdalena Blakaj dhe Erza Hajdaraj

Presidenti Rugova ishte një krijues brilant. Është autor i disa librave letrare e kritike. Sensi politik i shprehur në librin "Refuzimi estetik" dhe "Demokracia dhe Pavarësia", janë vlerë e fondit të letrave shqipe.

Rugova u bë model frymëzimi për liri dhe demokraci, jo vetëm për popullin e vet, por edhe për popujt ballkanikë dhe të Evropës Lindore. Kjo meritë madhore i është njohur botërisht, duke marrë shumë vlerësime nga bota demokratike, me dekorata dhe tituj prestigjiozë. "Ishte burri i madh i shtetit të Kosovës",- vlerësonte Rugovën, akademik Mark Krasniqi. Gazeta qendrore e Mariborit shkruante se "Ibrahim Rugova është i vetmi shqiptar, që ka guximin të fletë, ashtu siç mendon". Rrjedhimisht, Ibrahim Rugova ishte dhe mbeti shqiptari më i madh i trojeve shqiptare", - tha, ndër të tjetra, në ligjërimin e tij të gjatë, anëtari i kryesisë, Fazli Hajdaraj.

Shkollarja e zgjuar, Erza Hajdaraj, deklamoi, artistikisht, monologun kushtuar Presidentit Rugova, shkruar nga poeti mjeshtëror dhe veprimtari i Mërgatës, Mentor Thaçi.

Nënkryetari i Degës të LDK-së, Tahir Buçolli, në emër të kryetarit të Degës, Osman Ferizi, përshëndeti këtë aktivitet përkujtimor, duke personifikuar figurën madhore të Presidentit historik të Kosovës, si arkitekt e vizionar i pashoq. Ne krenohemi që jetuam epokën e ndritur të Rugovës, edhe pse në kushtet specifike dhe krejt të panatyrshme.

Image
Alush Zeqiraj, kryetar i Nëndegës

Kryetari i Degës të LDK-së, në Beneluks, Bahtir Kastrati, përshëndeti me përzemërsi kryetarin e Degës, Osman Ferizi dhe kryetarin e Nëndegës nikoqire Alush Zeqiraj, për organizimin e kësaj Akademie. Zoti Kastrati foli në supërlativë, për figurën unike të Presidentit Rugova. Rrugëtimin e gjatë, për ta nderuar veprën zëmadhe të Presidentit Rugova, e konsideron si obligim moral, madje pa i numëruar kilometrat.

Erza Hajdaraj, tashmë, në rolin  e moderatores, fton në foltore Magdalenë Blakaj, për ta recituar një poezi, kushtuar Presidentit Rugova, të shkruar nga studjuesja dhe poetja e mirënjohur, Kozeta Zylo, nga Nju Jorku.

Një telegram përshëndetje ka ardhur nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në adresë të kryetarit të Nëndegës, Alush Zeqiraj, të cilin e lexoi Erza Hajdaraj. Në mes tjerash, thuhet: "Rugova, para se të ishte prijës shpirtëror e politik, ishte një krijues, poet, kritik e mendimtar. "Refuzimi estetik" i tij ndaj diktaturës, totalitarizmit e shtypjes të kohës, ishte nisje e mendimit të lirë. Ky rrugëtim i tij prej krijuesi, u ndërpre nga një thirrje e kohës, për t`i prirë lëvizjes më të madhe historike të shqiptarëve në Kosovë.

Rugova, njeri me një natyrë të brishtë prej poeti e intelektuali, u bë zëri i kërkesës të popullit të Kosovës, për liri, pavarësi e demokraci. Një zë i fuqishëm, që nuk ndryshoi asnjëherë.

Programi dhe vizioni i tij politik, për një Kosovë të pavarur e sovrane, e barabartë mes popujve të familjes evroatlantike, me miqësi të përhershme me SHBA, u bë shpejt platformë nacionale të shqiptarëve të Kosovës. Kjo platformë vazhdon të mbetet udhërrëfim për ne edhe sot.

Çdo vit sikurse sot, pesha e trashëgimia e presidentit Rugova, përballë proceseve shtetformuese, jeton e do të jetojë bashkë me kombin tonë. Rugova mbetet frymëzim e model i njeriut të urtë, intelektual e prijetar. Idetë e tij jetojnë në historinë e shtetit të Kosovës dhe të tilla do të mbesin përjetësisht.

Si i tillë ai mbetet figura më e madhe historike e gjithë popullit të Kosovës. Identifikimi me Te, dje, sot dhe nesër, paraqet vlerë, e këtë vlerë ne do ta mbrojmë dhe kultivojmë me përkushtim, me dije dhe admirimin më të madh".

Akademia Përkujtimore u përmbyll me dy pika muzikore, nga këngëtari Besnik Shyti.    

Organizatorët shtruan drekë për pjesëmarrësit e largët.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat