Ndërhyrje heroike: Sabit Rexhepi nga Kosova ia shpëton jetën një gjermani në Mindelheim

Gjermani

Ndërhyrje heroike: Sabit Rexhepi nga Kosova ia shpëton jetën një gjermani në Mindelheim

Më: 5 qershor 2026 Në ora: 17:18
Sabit Rexhepi

Sabit Rexhepi nga Dumnica e Vushtrrisë, është shndërruar në një hero në republikën gjermane të Bavarisë, pasi me një akt të guximshëm, ku ka rrezikuar veten, ka kontribuuar në shpëtimin e jetës të një personi me aftësi të kufizuara në qytetin Mindelheim të rrethit Unterallgäu.

Ai, bashkë me një person tjetër, kanë parandaluar një zjarr të mundshëm në një banesë, që ishte shkaktuar nga ushqimi i lënë mbi sobë (shporet).

Sic merr vesh kp nga burime që janë në njohuri me ngjarjen, banorja e një apartamenti në Mindelheim ishte larguar për pak kohë nga banesa dhe pa dashje kishte mbetur jashtë, duke mos mundur të futej prapë në të. Në ndërkohë, nga shtëpia kishte nisur të dal tym.

Burimet kanë thënë se gruaja, kur e ka hetuar tymin në shtëpinë e saj ka bërtitur “zjarr, zjarr”, duke kërkuar ndihmë.

Rexhepi, bashkë me kolegun e tij Ufuk Sisman – të dy punëtorë që po punonin në një kulm, i janë përgjigjur menjëherë apelit të së moshuarës, sapo e kanë dëgjuar atë.

Ajo u ka treguar atyre se brenda ndodhej bashkëshorti i saj me aftësi të kufizuara fizike, i cili nuk ka qenë në gjende ta hapte derën dhe të largohej vetë, kur banesën e kishte përfshirë tymi.

Ata e kanë hapur derën e apartamentit me një mjet për hapje me force, të cilën, si mëson KosovaPress, në komunikimin e ndërsjellë e quajnë “Albaner”. Më pas e kanë nxjerrë burrin jashtë banesës.

Ekipi i emergjencës që erdhi më pas në vendngjarje, konstatoi se ai nuk kishte lëndime të rënda.

Mediet në Bavari të Gjermanisë e quajtën këtë veprim të Rexhepit dhe kolegut të tij si veprim që ndoshta edhe e shpëtoi një jetë dhe një shtëpi nga djegia.

Po ashtu, nuk kanë munguar as komentet pozitive të njerëzve për veprimin e kosovarit dhe bashkëpunëtorit të tij.

“Këta janë njerëz që duket qartë se e njohin dhe e zotërojnë profesionin e tyre. Jo vetëm zanatin e kulmuesit, por edhe një mjeshtëri tjetër që shoqëria e shekullit XXI po e humb gjithnjë e më shumë: vëmendjen ndaj të tjerëve, kujdesin, humanizmin dhe mbi të gjitha ndjeshmërinë për atë që ndodh përreth”, ka shkruar një komentues me profilin Jan-Erik Ahlborn. “Dy njerëz që padyshim e pasurojnë shoqërinë. Faleminderit për angazhimin tuaj, faleminderit që jeni shembull për të tjerët!”.

“Pa kontributin e emigrantëve, një qytetar me shumë gjasa nuk do t’ia dilte të mbijetonte”, ka shkruar një tjetër komentues, Hans Muster Man.

Rexhepi është një kosovar nga Dumnica e Vushtrrisë, që bashkë me familjen e tij jeton në rrethin e Mindleheim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat