Rugova - një emër i veçantë në historinë kombëtare - Bota Sot
Rugova - një emër i veçantë në historinë kombëtare

Gjermania

Rugova - një emër i veçantë në historinë kombëtare

Nga: Idriz Zeqiraj Më: 26 janar 2018 Në ora: 14:19
Idriz Zeqiraj

Sot, në 12 vjetorin e shuarjes të Presidentit Rugova, jemi mbledhur për t`i bërë homazhin e radhës, nderimin meritor, njeriut që, natyrshëm, identifikohet me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Fëmia Ibrahim frymoi kësaj  bote një ditë dhjetori dimëror dhe do të ikte kësaj bote në janarin e 2006-ës. Por, fëmijërinë dhe rinië e tij prej bonjaku, do ta ngrohte dashuria dhe përkujdesja tej prindëror e dy xhaxhallarëve të tij fisnikë dhe familja tjetër rugovase.

U shqua nga të tjerët si fillorist, me hartimet gjithë frymëzim. Shkëlqeu si gjimnazist në gjuhë të huaja. Nuk besoj të këtë pasur një rast të dytë, në Kosovë dhe më gjerë, në vitet `60-a, që një gjimnazist ta lexojë Kërlezhën në gjuhën serbo-kroate, Dostojevskin në rusisht, Balzakun në frengjisht. Rrezatoi pjekuri si student, duke u vënë në krye të menaxhimit të medieve të shkuara studentore, si "Bota e re", "Plejada", "Dituria".

I kujdesshëm, por i sigurtë, do t`i qasej politikës, më 1967. Ishte i pari që ideoi veprimtarinë legale, me parësi nga ajo ilegale, pas Plenumit të Brioneve, pra, gërshëtimin e tyre. Duke qenë student, erdhi nga Prishtina, në Mbledhjen Zgjedhore të Rinisë istogase. Ishte prova e parë e një debati pa cenzurë dhe me kërkesa radike, që Kosova të trajtohej njësoj me të tjerët, brenda Federatës jugosllave. Dhe, ishte studenti Rugovë, ai që përçoi këtë mesazh rinisë studentore. Jehona ngjalli shpresë dhe prodhoi guxim qytetar.

Gazeta "Bota e re", me kryeredaktor Daut Demakun dhe redaktor përgjegjës Ibrahim Rugovën, ishte oponencë e parë e shtypit të kohës. Guximi qytetar i studentit Ibrahim Rugova, u konsiderua sfidë ndaj pushtetit. Fatmirësisht, rektrori Dervish Rozhaja, doktoranti më i ri në moshë në Federatë, duke pasur koracën shkencore, e mbështeti, pa rezerva, dhe suksesshëm sudentin Rugovë. Një lidhje e tillë funksionoi mrekullisht mirë.

Ekonomia vajtuese në Kosovë, reflektohej edhe në varfërinë kolektive dhe idividuale. Për rrjedhojë, studenti Rugovë studjonte dhe punonte mësues në një fshat të Prishtinës. Duke e parë Ibrahimin, gjithëherë, në shoqërim me librin, qoftë duke i përcjellur edhe bagëtinë për kullotë, me të drejtë pyesin njerëzit: A ka pasur kohë pë dashuri rinori Ibrahim Rugova?! Përveç poezive të botuara, në faqet letrare të revistave rinore, ai botoi ciklin e poezive në "Flaka e Vëllazërimiit", në Shkup, atje ku kishin botuar edhe poetët e anatemuar nga regjimi: Jakup Ceraja, Teki Dervishi, Jusuf Gërvalla, Beqir Musliu dhe të tjerë, me titullin "Sa rëndë qenka me derdhë varg e lot", kushtuarr një vajze, me inicialet Z.B., e njohur për ne. Por, vetëm kaq. Asnjëherë nuk u panë në shoqërim dhe asnjëherë nuk e pranoi. U quajt koinçidencë, rastësi gërmash. Dhe, kjo emërtohet dashuri platonike, pra, dashuri në letra.

Në studimet e specializuara të letërsisë, me theks kritikën letare, në Paris, ke profesori i njohur Barton, fati  ishte për Rugovën. Atje ndau dhomën me shokun e gjeneratës, në grupin letrar të Gjimnazit të Pejës, Daut Berisha, shok dhe kushëri i Jusuf Gërvallës. Daut Berisha është piktor me nam dhe personalitet, në 12-shin e parë të intelektualëve francezë, të cilin, çdo president i Francës e konsulton, të paktën, dy herë në vit.

Pas studimeve sipërore, Rugova punon në Institutin Albanologjik, duke qenë, njëherësh, kryeredaktor i revistës të zëshme "Studime Albanologjike".

Polarizimet brenda Federatës jugosllave, do të kishin nismën në Kosovë. Revanshi serbo-sllav, me nacionalizmin e shfrenuar, filloi tkurrjen e të drejtave, edhe ashtu të mangëta të shqiptarëve. Tashmë, Dr. Ibrahim Rugovës i ra për hise përballja me shkrimtarët serbë, të cilët, së bashku me Akademinë dhe Kishën Ortodokëse serbe, i paraprinin politikës nacionaliste serbomadhe.

Në Kongresin e Shkrimtarëve në Novi Sad, Dr. Rugova demantoi dhe demaskoi, me fakte, politikën nacionaliste e revanshiste serbomadhe. Guximshëm dhe dinjitetshëm mbrojti Kosovën dhe popullin e saj, duke përfituar simpatinë edhe të republikave tjera, të konfrontuara me Serbinë.

Fundvitet `80-a, Kosova para alternativës: dorëzim apo qendresë, kundërshtim. Dr. Ibrahim Rugova, me shokë, zgjedhin të dytën. Nënshkruajnë kundërshtinë, të njohur me "Apeli i 215 intelektualëve". 

Erërat e demokracisë në Evropën Lindore, freskojnë edhe Kosovën. Dr. Rugova me shokë, në dhjetor 1989, themelojnë partinë e parë pluraliste në Ballkan, Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila, realisht, ishte lëvizje, pothuajse, gjithëpopullore. Tashmë, Kosova kishte zot shtëpie. Ngjarjet po rridhnin me shpejtësi. Suspendimi, heqja e autonomisë, largimet masive nga puna, mbyllja e institucioneve arsimore dhe tjera. 

Shqiptarët u dëbuan nga institucionet shtetërore. Atëherë, Dr. Rugova ideoi ngritjen e institucioneve  paralele. Radhazi, pasoi shpallja  e Deklaratës të pavarësisë, Kushtetuta e deri ke zgjedhja e Presidentit. Për rrjedhojë, pas shuarjes të partisë komuniste, brenda Kosovës, tani, u paralizua edhe administrata shtetërore serbo-sllave në Kosovë.

Raporti disproporconal i forcave, kushtëzoi proklamimin për "politikë paqësore" aktive, me sllpganin trinom të njohur: "LIRI, DEMOKRACI, PAVARËSI".  Por, gjithëherë, në rast të dështimit të paqës, opsioni për luftën, ishte plani B, që nënkuptonte luftën. Dhe, logjistika për planin dytësor u lëndëzua, me nismën për krijimin e Forvave të Armatosura të Republikës të Kosovës, (FARK) dhe të Shërbimit Informativ. Reagimi serbo-sllav ishte i egër dhe goditës. Megjithatë, organizimi rrjeshtues pas idesë të Presidentit Rugova mbijetoi.

Marrëveshja ushtarake në Osllo, flakëroi dhe u shua si kashta. Fryma e Kretës mbizotëronte politikën e së majtës, në Shqipëri dhe, për rrjedhojë, reflektonte edhe në Kosovë. Frustrimit të ushtarakëve të karrierës, tashmë, Komandanti Suprem, i dha fund: "Kthim prapa nuk ka". Dhe, ashtu ndodhi. Beteja e Loxhës, Lufta e Kosharës, si legjitimuese e UÇK-së, përballja ushtarake në Pashtrik dhe gjetkë në Kosovë, ishinn shprehje e një organizimi ushtarak, me infrastrukturë të përgaditur nga Kolonel Ahmet Krasniqi, një njohës i shkëlqyer i artit ushtarak.

Tashmë, të gjithë e pranojnë, se përgjatë luftës jo vetëm mungoi uniteti i faktorëve ushtarakë, por, për më keq, edhe u sabotua lufta. Kjo gjendje pamundësoi mbrojtjen e popullatës civile dhe masakrat qenë masive. Etja për pushtet përgjaku Kosovën, gjatë dhe pas luftës.

Përkujtimi për të vrarët gjatë dhe pas luftës, tashmë, është bërë traditë. Me shumësinë e vrasjeve prinë muaji janar. Dhe, gjëma e janarëve nis tej pesë shekujve e gjysmë më parë, pikërisht, me vdekjen e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut. Vajtimi i bashkëkohësit të tij, Lekë Dukagjinit, çoi peshë dhe përloti Malësinë dhe Arbërinë e tërë. Kuja e tij, paralajmëroi gjëmën, dramën, tragjikën shqiptare, për afro pesë shekuj me radhë.

Skënderbeu, bir i një kombi të vogël, siç ishin dhe mbetën shqiptarët, u bë mbrojtësi i madh i kombeve të Evropës dhe, jo thjesht, i Krishterizmit. Teorizimet shkollareske të sotme, të pseudo-studjuesëve islam, nuk mund ta zvetnojnë veprën madhore, të heroit tonë kombëtar. Kërkesat alogjike dhe tendencioze, për ta rishikuar dhe zvogëluar figurën e Skënderbeut, janë lehje në hënë. 

Ikja nga mërcenarizmi i dhunshëm, i imponuar nga Perandoria obskure Osmane, e cila ndërpreu dhe rrënoi edhe kulturën arabe, me shpatë e topa, dhe lufta për lirinë e Atdheut, Arbërisë, nuk ka të bëjë as me bukëshkalizëm e, aq më pak, me tradhtinë, aq shumë ngulmuese. Përkundrazi, ishte përgjigja e duhur ndaj Atdheut të robëruar, për shprangosje dhe liri. 

Në janar të vitit 1982, Vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, si paraprijës të një platforme agjitative e organizative të luftës për liri, do të ekzekutoheshin në pusi, në Untengruppenbach të Heilbronnit. Jusuf Gërvalla, një intelektual i kompletuar, një artist shumëdimensional, do të atentatohej, së  bashku me Kadrinë dhe Bardhoshin.

Enver Maloku, shef i Qendrës Informative të Kosovës, kuadër dhe bashkëpunëtor i Presidentit Rugova. Një dhjetëvjeçarë i begatë i veprimtarisë së tij atdhetare, i vrarë tinzisht, në pusi, para shtëpisë së tij, në nismë të luftës.

Smajl Hajdaraj, komandantë i UÇK-së, për Zonën e Rugovës, deputet i Parlamentit të Kosovës, i ekzekutuar më 17 janar 2002, në Lagjën Fidanishte në Pejë. Këto ditë u aktualizua vrasja e tij. Por, edhe u dizinformuar opinioni, pikërisht, nga njeriu i akuzuar për implikim në këtë ekzekutim. Ai sajon një shpifje në raport me Rugovën: "E vrau Serbia, për ta lehtësuar Rugovën, pasi pati një mospajtim",- trillon i lakuari për krimin e këtij rasti. 

Por e vërteta është se ishte nisma e Smajl Hajdarajt, për ta blerë makinën e blinduar, për Presidentin Rugova. Dhe, ka mjaftuar porosia e Smajlit, për vëllanë e tij, Fazliun, në Kaiserslautern të Gjermanisë, për ta realizuar aksionin, nga 1.000  marka për njeri, në një rreth të  kufizuar dhe pa zhurmë. Veç kësaj, Familja Rugova pohon se në vitet ` 90-a, Smajl Hajdaraj ka ndihmuar materialisht, kur ajo u ndodhë në krizë financiare. Është kjo lidhje e ngushtë dhe dobëbimi i LDK-së në Pejë, qëllimi i shenjëstrimit të Smajl  Hajdaraj.

Ekzekutimi më 4 janar 2003 i Kolonel Tahir Zemaj, me djalin Enisin dhe kuadrin e rinisë të LDK-së, Hasan Zemaj, janë vrasje me motive politike, për të pamundësuar dëshminë e tij, për krimet e luftës të "komandantëve". Strategu fitimtar i Betejës të Loxhës, Kolonel Zemaj, u  shpërblye me plumba. 

Dy të rinjtë, Kosovë dhe Albert Zeqiraj, do të ekzekutoheshin në krye të detyrës, ditën e hapjes të seancës së parë parlamentare, në Kosovën e lirë. Kosova ishte shofer dhe shoqëues i kryetarit të Istogut, Fadil Feratit si dhe truproje i Presidentit Rugova, në vizitat në Dukagjin. Atë e kishte caktuar Qendra, për shoqërim të afërt të Presidentit  Rugova, por ishte kërkuar mirëkuptim, të qëndronte në Istog, për arsye të aktivizimit të suksesshëm në fushatat zgjedhore. 

Presidenti Rugova është një emër i veçantë në historinë kombëtare shqiptare. Për nga rëndësia e shërbimit atdhetar, siç është liria dhe pavarësia e Kosovës, nuk ka ndërmjetës në historinë tonë, që nga lavdia e Gjergjit,pesë shekuj e gjysmë më parë.

Ndër shekuj do të përkujtohet vepra fisnike dhe e papërsëritshme e Presidentit Rugova.

Lavdi jetës dhe veprës së ndritur rugoviane!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test