Në Ludwigsburg përkujtohen vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka - Bota Sot
Në Ludwigsburg përkujtohen vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka

Gjermania

E enjte, 18 tetor 2018

Në Ludwigsburg përkujtohen vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka

Nga: Idriz Zeqiraj Më: 2 shkurt 2018 Në ora: 11:39
Pamje nga salla

Qendra Kulturore Sportive "Bardhosh Gërvalla", në Ludwigsburg, me kryetar Bedrush Nezaj, në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore "Kadri Zeka", në Kichheim-Teck, me kryetar Taxhedin Bakiu dhe Shoqatën e Krijuesëve Shqiptarë në Gjermani, me kryetar Pal Sokolin, organizuan Akademinë Përkujtimore, titulluar "Trinomi i lirisë", kushtuar Vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Në sallën e stolisur me flamuj shqiptarë dhe vendorë, me portretet e flakadanëve të lirisë, Jusufit, Kadriut, Bardhoshit, qëndronin në heshtje, si në një mortje të freskët rinore. Në mesin e të pranishmëve ishin familjarë të heronjëve, shokë të shkollës, shokë të jetës në këtë qytet si dhe bashkë-veprimtarë të tyre, përgjatë viteve `70-a dhe nismë të `80-ave.

Me intonimin e Hymnit Kombëtar, në shoqërim me këngë nga këngëtari i zëshëm, Besim Lokaj, u hap kjo Akademi, e llojit të veçantë, për emocionet që mbartin heronjtë rinorë të Untengruppenbach-ut, të Shtutgartit, të Gjenevës, të Kosovës, Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka. Poeti produktiv e cilësor, njëherësh, edhe skenarist dhe moderator i kësaj Akademie, Mentor Thaqi, u prezantua me Molologun, të krijuar enkas për Heronjtë e Mërgatës, duke gërshëtuar historinë e trungut familjar të tyre, me veprimtarinë ilegale dhe legale, për lirinë e Kosovës, të këtij brezi heronjësh.

Image
Kryetari i Qendrës Kulturore Sportive "Bardhosh Gërvalla", Bedrush Nezaj

Moderatori Thaqi fton në foltore kryetarin e Qendrës Kulturore Sportive "Bardhosh Gërvalla", Bedrush Nezaj, i cili i përshëndeti të pranishmit, për pjesëmarrjen e tyre fisnike. E para e radhës ishte kryetarja e Degës së LDK-së, në Gjermani, Donikë Gërvalla; Familjet e dëshmorëve: Gërvalla, Çekaj, Zemaj, Tolaj, Ukëhaxhaj, Zeqiraj. Shoqatën Kulturore "Kadri Zeka", me kryetar Taxhedin Bakiun; Qendrën Kulturore Shqiptare, me kryetar Vitor Spaçin; "Shoqatën e Krijuesëve Shqiptarë në Gjermani", të kryesuar nga nënkryetari Neki Lulaj; Qendrën Kulturore në Heilbronn, me kryetar Emin Demaj; Shoqarën Kulturore, "Atdheu", në SChwabisch Gmund, me kryetar Tahir Buçolli, MKSH të kryesuar me Lon Karrica e Nue Lekaj. Gjithashtu, kryetari Nezaj, përshëndeti veprimtarët atdhetarë: Nami Ramadanin, Kolë Mërturin, Ibrahim Ukëhaxhaj, Smajl Çekaj, Abaz Imerin Kadri Gërvallën, Nezir Fejzën, Emin Demaj, Hysni Mehollin dhe të tjerët

Kryetari Bedrush Nezaj, në mes tjerash, tha se Qendra jonë Kulturore, ndjehet krenare, që mban emrin e atdhetarit Bardhosh Gërvalla, i cili jetoi dhe punoi në këtë qytet, tej 40 vjet më parë. Ne, Kryesia dhe anëtarësia, në kuadrin e Qendrës Kulturore dhe Klubit Sportiv, jemi fort të përkushtuar, për të përmbushur veprimtaritë e programuara, qysh në nismë të vitit 2018. Me aktivitetet tona kulturore e sportive, sikur realizojmë, në një masë, porositë e heroit Bardhosh, i cili, qysh në rininë e tij, kishte gadishmëri, për t`i ndihmuar dhe emancipuar mërgimtarët tanë.

Skenari ishte konceptuar në përshtatje me prirjet profesionale të heronjëve. Arti, poezia dhe muzika mbizotëronin programin akademik. Besim Lokaj me këngën për pavdekësinë e "Trinomit të lirisë": Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla.

Image
Poeti Mentor Thaqi me shokë

Moderatori Thaqi fton në skenë veprimtarin veteran, Xhafer Leci, kryetar Nderi i Shoqatës Kulturore "Kadri Zeka", në Kirchheim-Teck, për një fjalë rasti. Zotëri Leci i përshëndeti të pranishmit, duke i falenderuar për pjesëmarrjen e tyre. Përgjimi, përndjekja, deri në plagosje dhe vrasje, të veprimtarëve politikë të Kosovës, daton që nga viti 1981. Tentativë-vrasja e parë është bërë në prill të vitit 1981, në Frankfurt, kundër Rasim Zenelit, i cili ka mbetur në karrikën invalidore të përjetësisht. Disa muaj më vonë, në tetor 1981, është vrarë në Bruksel Vehbi Ibrahimi. 

Vrasja e trefishtë, e Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka u bë në pusinë e ngritur, pranë banesës të Jusufit, në Untengruppenbach, në natën e 17 janarit 1982. Ishte një humbje dhe goditje e rëndë për Mërgatën shqiptare, Kosovën dhe Shqiptarinë mbarë. Vëllezërit Gërvalla i njoha në protestat dhe demonstratat, që organizonte Lëvizja Popullore e Kosovës. Jusufi ishte një zë i veçantë në Mërgatën shqiptare të asaj kohe. Ai shquhej në fjalime dhe shkrime, duke ngjallur shpresë dhe besim tek bashkatdhetarët. Tetë vjet më vonë, në prill të vitit 1990, në Bruksel, vritet me atentat, veprimtari i çështjes kombëtare, Enver Hadri", - përmbylli fjalën e tij Xhafer Leci.

Pason kënga "Pyet Kosova", e kënduar mjeshtërisht nga këngëtari Bujar Osaj.

Image
Kryetarja e Degës të LDK-së, në Gjermani, Donukë Gërvalla

Moderatori fton në tribunë kryetaren e Degës të LDK-së, në Gjermani, Donikë Gërvallën. "Sonte jam këtu, si bija e Jusuf Gërvallës. Ju përshëndes të gjithëve dhe u jam mirënjohëse për pjesëmarrjen tuaj masive në këtë përkujtesë akademike. Ky është klubi më i dashur dhe më simpatik për mua. Keni bërë mirë që aktiviteteve kulturore, i keni shtuar edhe Sportin, duke i aktivizuar  fëmijtë tuaj në lojëra sportive , për t`i larguar nga rruga, dhe kotshmëshmëria. Andaj, edhe unë vijë të takohem me ju. Në këtë qytet jetoi dhe punoi Bardhoshi. Këtu i njohu dhe e njohën mërgimtarët e hershëm shqiptarë, të cilëve u ndihmoi në çështjen e letrave, të dokumentacionit të ndryshëm zyrtar. Vajza e heroit, Jusuf Gërvalla, Donika, i dhuroi Qendrës Kulturore Sportive "Batdhosh Gërvalla" kompletin e librave të Jusufit si dhe librin biografik familjar, të përgaditur nga xhaxhallarët  e saj, Hyseni dhe Avdyli.

Poeti, tashmë, i mirënjohur Neki Lulaj, njëherit edhe nënkryetar i Krijuesëve Shqiptarë në Gjermani, u paraqit me poezinë bukur të realizuar, për Trinomin e lirisë, për Trinomin e lavdisë, e cila u pëlqye nga të pranishmit.

Moderatori Mentor Thaqi fton në foltore shokun e shkollës të Jusuf Gërvallës, ish të burgosurin politik, Idriz Zeqiraj, për të evokuar copëza kujtimesh të shkollarit Gërvalla. Ai përshëndeti organizatorët e kësaj Akademie, përlavdëroi veprimtarinë kulturore dhe sportive të Qendrës Kulturore Sportive "Bardhosh Gërvalla", të udhëhequr nga kryetari i vyeshëm Bedrush Nezaj me shokë. "Jusuf Gërvallën e njoha në Gjimnazin e Pejës, në vitet `60-a. Jusuf Gërvalla dhe Ibrahim Rugova shquheshin në Gjimnazin më numerikë të Kosovës. Jusufi në artet e bukura: pikturë poezi, kompozim, kitare dhe këngë, Pra, ishte një artist i kompletuar. Ndërsa Ibrahimi bëri emër në leximin e literaturës klasike në gjuhë të huaja: serbokroatisht, rusisht dhe frengjisht si dhe poezi. Jusufi dhe Ibrahimi ishin pjesë e grupit letrar të Gjimnazit. 

Për më shumë, Jusufin e njoha në shtëpinë numër 45, në Rrugën "Ramiz Sadiku", në Pejë, ke Nëna Shkurte e Berishëve. Me këtë familje Jusufi kishte lidhje familjare dhe ishte në një klasë me Nazmiun, djalin e kësaj shtëpie, ku unë banoja. Kryezoti i kësaj shtëpie nuk jetonte dhe Jusufi organizonte mbremje muzikore argëtimi me vajza e djemë shkollarë. I pranishëm ishte edhe kushëriri Daut Berisha, tani piktor me nam në Francë, me të cilin studenti në specializim Ibrahim Rugova, do ta ndante dhomën për dy vjet radhazi në Paris. Jusufi ishte i preferuari i dajve dhe gjyshi, nga nëna, i kishte falur emrin, qysh në gjallje të tij. Por, ai, edhe pse ishte larguar herët nga fshati dhe në të gjithë sjelljen e tij, ishte integruar në qytet, Jusufi do të mbetej fort i lidhur me fashatin, Dubovikun e tij të dashur. Dhe, kjo ndjenjë malli e dashurie, hetohej e dëshmohej në poezitë e tij rinore.

Në mbremjen e 18 janarit 1982, në ora 20.oo, duke qenë në Burgun e trishtë dhe famëkeq të Burrelit, nga valët e Radio-Tiranës, që emetonin program të limituar, u dha, si lajm i parë: "Kosovës po i vritën djemtë", duke përmendur: Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, si dhe vend-vrasjen Untengruppenbach, afër Stuttgartit, në Gjermani". Por, vetëm kaq. Këtë gjëmë e përjetova me lot e vajë. Dhe, në kushtet e një burgu, sa të izoluar, aq edhe të rëndë e çnjerëzor, vuajtja e mërzia kulmon. Në pritje për të mësuar diç më shumë, pasoi heshtja. Shqipëria ishte e zënë me rendimentet në kooperativat bujqësore, rritjen e gjedhit dhe të pulave. Enver Hoxha kurrë nuk do  t`ia harronte Jusuf Gërvallës, kur i bëri pyetjen:

-"Cfarë do të bëhet me Kosovën?"

Enver Hoxha: "Çështja e Kosovës do të zgjidhet me fitoren e Revolucionit në shkallë botërore!"

Jusuf Gërvalla, në letrën pasuese, bënë pyerjen hipotetike: "Por, sikur ky Revolucion të mos bëhet kurrë?!"

Dhe, këtë shprehje dyshimi të hapur, nuk e kishte pritur kurrë nga intelektuali vizionar, Jusuf Gërvalla. Andaj, nuk ia fali kurrë.

Vrasja e Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, pas 49 vitesh, nga atentati ndaj Hasan Prishtinës, ishte vrasja më e bujshme shqiptare.

Me radhë, publicisti dhe poeti Ali Berisha, foli dhe recitoi poezi, gjithë ndjesi.

Veprimtari veteran, Fahredin Tafallari, bashkëpunëtor i Vëllezërve Gërvalla, evokoi kujtimet e kohës, kur ai kishte qenë pranë heronjëve. Zotëri Tafallari është kronisti më i angazhuar i Lëvizjes Popullore të Kosovës, në Mërgatë. Ai ka botuar libra dhe ka pasqyruar veprimtaritë e Jusuf Gërvallës me shokë. Ai shprehu shqetësimin e ligjshëm se rina nuk po angazhohet në aktivitetet kombëtare në Mërgatë dhe kjo rrezikon harrimin, asimilimin e pritshëm.

Programi vazhdoi me leximin, recitimin e krijimeve poetike të poetëve: Sylejman Aliçkaj, Zef Prenka, Shaban Çelaj.

Kryesia e Qendrës Kulturore Sportive "Bardhosh Gërvalla", ndau mirënjohje për:

Sokol Dobraj, 2. Zeqir Hulaj, 3. Neki Lulaj, 4. Mehdi Gjocaj, 5. Nami Ramadani, 6. Ibrahim Ukëhaxhaj.

Shpenzimet për darkën e mysafirëve i mbuloi veprimtari biznismen Kadri Gërvalla.

Pjesa e dytë programit vazhdoi me muzikë patriotike dhe argëtuese, në interpretuara nga këngëtarit Mehdi Gjocaj me shokë.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test