Rreth sofres shqiptare me Shqiponjat e Bayernit

Gjermania

Rreth sofres shqiptare me Shqiponjat e Bayernit

Nga: Maxhun Smajli Më: 4 maj 2018 Në ora: 06:47
Drejtuesit e Shoqatës Kulturore e Humanitare Shqiptare “Shqiponjat e Bayernit” në Eggenfelden.

Thuajse të gjithë ndjejmë presionet e jetës sot, sidomos në mergim. Kudo njerëzit janë nën presion që të bëjnë diçka. Mirëpo, duhesh të përqendrohesh tek gjërat që kanë vërtet rëndësi për ty, gjëra që të pasurojnë jetën ty, familjarëve të tu, si dhe të shokve e miqve që të rrethojnë. Që të gjesh kohë për gjërat e rëndësishme, duhet të dish cilat janë ato. Dhe, kjo bëhet më lehtë nëse e ke të qartë çfarë ka rëndësi për ty.

Pesha e rend e dheut të huaj na tundos. Erdhëm në tokën e “premtuar” për të gjetur shpetimin. Në këtë tokë të “premtuar” na janë arratisur pranverat. Megjitatë, në këtë pjesë të botës, mergata shqiptare po vazhdon të rri zgjuar, duke iu bërë krah i fortë çështjes kombëtare. Shohim njerëz që përpiqen sinqerisht t’u sjellin lehtësim atyre që vuajnë, siq janë drejtuesit e Shoqatës Kulturore e Humanitare Shqiptare “Shqiponjat e Bayernit” në Eggenfelden.

Një natë të kthjellet dhe jo shumë largë dritave të qytezës së vogël të Pilstingut, u nisa  për në Eggenfelden.  Pas dhjetra kilometrash u gjinda në konakun e poetit, Bahri Shytit, ku ngrohtësishtë më pritën nikoqirët, Bahriu e Miradia.

Ulur rreth sofres shqiptare, ishin drejtuesit e SHKHSH “Shqiponjat e Bayernit”; Dr. Ibrahim Latifi, kryetar, Uran Statovci, nënkryetar dhe anëtarët e kryesisë dhe anëtarësisë së gjërë, Blerim Bojaj, Hashim Sahiti, Naser Peci, Muharrem Hasanaj, Gazmend Krasniqi etj..

Ndryshe, janë këta miq që i respektoj. Po të mos kishin qenë miqtë e mirë, si Dr. Ibrahim Latifi, poeti, Bahri Shyti, atdhetari, Hashim Sahiti e shumë të tjerë, do ta kisha të vështirë për të mbijetuar në Gjermani.

Sipas traditës shqiptare, Dr. Latifi më ftoi të ulëm pranë tij. Gotën e parë të  rakisë e ngrita për të zotët e konakut: “Për të mira gjithmonë bujarisë së këtij konaku!”, të dytën për miqtë rreth sofrës: “Mirë se u gjeta o, njerëz të dashur të mëndjes dhe të zemrës sime!” dhe me gotën e tretë urova poetin, Bahri Shytin, për librin e tij të tretë “Dhembje dhe krenari”, libër ky që posa e kishte parë dritën: “ Tani krijuesi je ti. Tani thellësia e jote do të mbërrijë në thellësitë e shpirtërave të lexuesve. Mbesim në pritje të librit tënd të radhës. Urime!”

Ashtu si një fllad i ëmbël dhe një pije e ftohtë në një ditë të nxehtë, mirëdashja dhe mirësia na freskojnë. Interesimi që shfaqej me vepra dhe fjalë të menduara mirë, që karakterizoheshin nga një frymë bujarie dhe një shkelqim moral shprehej nderimi dhe respekti për njëri-tjetrin.

Bashkëshortja e Bahriut, Miradia, si gjithmonë e përkushtuar për burrin e saj, të cilit i është bërë krah i fuqishëm, nderon mysafrët e këtij konaku, sipas traditës shqiptare, duke e mbushur sofren përplot me pije e gjëra ushqimore.

Me një të folur të hijshem, shfaqeshin kujtime të kënshme. Bisedat gjallëroheshin. Fytyrat ndriqoheshin, xhestet bëheshin më të gjalla. Herë-herë, por si kripa për gjellën, shfaqej humori.

Gotat boshatiseshin, shoqëronin njëra-tjetrën, ndërsa muhabeti dhe kënaqësia ndizej shoqëruar nga këngët. Bahri Shyti, Hashim Sahiti dhe Naser Peci, këngëtarë të jashtëzakonshëm, derisa këndonin vargjet e autorit, Bahri Shyti, me një shperthim shpirtëror, që aq përsosmërisht i kishte skalitur e radhitur, si pa u ndjerë të fusnin thellë e më thellë në atë botë aq drithëruese. Zëra të tillë janë oshëtim që dëgjohen gjithandej ku ka shqiptarë.

Unë, i kam të rralla qastet si ky, andaj, do ta marrë me vete, për gjithë jetën mikpritjen tuaj për të mos e harruar kurrë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat