Reagim i shoqatave shqiptare në Gjermani - Bota Sot
Reagim i shoqatave shqiptare në Gjermani

Gjermania

Reagim i shoqatave shqiptare në Gjermani

Nga: Pal Sokoli Më: 1 tetor 2018 Në ora: 08:27
Pal Sokoli

Presidentit  të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi

Kryeparlamentarit të Republikës së Kosovës Kadri Veseli

Kryeministrit të Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj

Presidentit të Republikës së Shqipërisë Ilir Meta

Kryeminstrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama

 Fillimisht është nder dhe kauzë e madhe dhe e drejtë e shumëpritur për ne shqiptaret qe sot kemi institucionet tona për t’u drejtuar lidhur me shqetësimet, problemet, kërkesat dhe synimet tona kombëtare.

Ndaj duke parë gjendjen e sotme në hapësirat mbarëshqiptare, ne Mërgata Shqiptare në Gjermani, jemi të shqetësuar për ardhmerinë tonë kombëtare.

Kosova është e larë me gjak të djemve tanë, më të mirë, në çdo pëllëmbë të saj. Eshtë e larë edhe me gjakun e pafajshëm të fëmijëve, pleqve dhe motrave  të viktimizuar e që ende kemi të zhdukur nga regjimi terrorist serb i udhëhequr nga Sllobodan Millosheviçi.

Pavarësia e Kosovës paraqet fitoren më te madhe të kombit tonë, që nga përfundimi i shekullit të kaluar dhe fillimit të këtij shekulli. Nuk ka dyshim, që, nga këndvështrimi politik dhe kombetar-historik, ky ideal u arrit falë qëndresës heroike të popullit shqiptar, luftës vendimtare të UÇK-së dhe ndihmës së pakursyer të miqve tanë perëndimorë (SHBA-SË).

Kjo luftë që ishte vazhdimësi e levizjes së gjerë, masive e kombit tonë për çlirim nga zgjedha e huaj, rreshtimi i udhëheqësve tanë pro perëndimit dhe demokracisë perëndimore, duke iu kthyer familjes sonë evropiane, kultura e së cilës është bazë e tradites sonë të lavdishme pellazgo-iliro-arbërore.

Pas rishpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt 2008 dhe njohjes nga  116 shtete të botës, në kufijtë e sotëm  duke respektuar terësinë teritoriale, pushtetin mbi të, të mbrojtur edhe me kushtetutë të Republikes sonë, udhëheqja shtetërore përveç detyrimeve për zhvillimin, reformimin dhe rritjen e mirëqenies së popullit të saj ka edhe obligime të tjera brenda dhe jashtë shtetit të cilat duhet përmbushur për  integrim në asociacionet ndërkombëtare.

Zbulimi dhe luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit, shenjimi i vijës kufitare me shtetet fqinje, zhvillimi dhe përgatitja e Forcës së Sigurisë e Kosovës dhe transformimit te saj në Ushtri të Kosovës, janë disa nga kriteret që duhet të plotësohen që Kosova të pranohet në OKB dhe BE. Ndërsa shtetet fqinje  kanë filluar që të integrohen në organizatat e ndryshme ndërkombëtare e evropiane.

Duke i zgjidhur mosmarrëveshjet qoftë të vijave kufitare apo edhe të emërtimeve shtetërore siç ishte rasti i Maqedonisë. Kosova si pjesë përbërse e Federatës Jugosllave dhe me kushtetutën e saj te vitit 1974, kishte kufijtë e saj dhe me këtë teritor u shpall edhe si Republikë e Pavarur me demokraci parlamentare, që tregon edhe flamuri me hartën e tij.

Kohëve te fundit në opinionin informativ është aktual dialogu ndërshtetëror në mes të Kosovës dhe Serbisë që së shpejti duhet të perfundoi me normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore apo njohjeve reciproke, si kusht i anëtarësimit në BE dhe për Kosovën edhe në OKB. Paralajmërimi i Presidentit tonë z. Hashim Thaçi, se dialogu është i domosdoshëm dhe se na duhet të bëjmë kompromise, e që  do të jenë kompromise të dhimbshme, ka shqetësuar shumë opinionin tonë në vend dhe gjithashtu edhe neve, Mërgatën Shqiptare. Prandaj kërkojmë të deklaroheni se cilat janë këto kompromise të dhimbshme për shtetin e Kosovës edhe pse tani doli si: “korrigjim i kufijve”  si dhe duam  të dimë    për bashkimin e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës me rrethinat e tyre në Republikën e  Kosovës. Mendimi ynë është se, para se të fillohet me epilogun e  dialogut duhet të respektohen disa kushte të tjera paraprake:

Duhet që Serbia të pranojë gjenocidin që sistemi nacionalist i Sllobodan Millosheviçit zhvilloi kundër popullsisë së paarmatosur të Kosovës.

Të kërkojë falje për viktimat e pafajshme dhe të paguajë dëmet e luftës.

T’i gjejë  dhe kthejë personat e zhdukur,  qe të hiqet ankthi tash e sa vite për familjaret e tyre .

Të njohë dokumentet zyrtare të Republikës së Kosovës dhe  njohjen e shtetësisë së saj. Pasi kjo të ndodhë dhe kur Kosova të jetë e barabartë në dialog, atëherë Presidenti dhe institucionet e tjera shtetërore si, Kuvendi dhe udhëheqësit shtetëror të marrin qëndrime të përbashkëta për përcaktimin e vijës kufitare. Në korrigjimin e kufijve të kuvendojnë me  njohës të fushës së historiografisë  dhe drejtësisë ndërkombëtare nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët, por edhe njerëz nga Mërgata Shqiptare.

Ju përkujtojmë se përveç  popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, merita të mëdha ka edhe bashkësia ndërkombëtare, shtetet e Evropes , SHBA-të, që  garantuan dhe garantojnë ende shtetin e Kosovës brenda kufijve ekzistues dhe çdo ndryshim i tyre pa koordinimin e mbeshtetësve tanë, druajmë se mund të merret si devijim i rreshtimit të shtetit tonë nga kjo rrugë e përbashkët euroatlantike. Siç u cek edhe më lart, Kosova ka në flamurin e vet një hartë, që me ndryshimin e kufijve humbët edhe vlera e tij,”zbehet” edhe shtetësia, ndalon njohjet nga shtetet e tjera, por edhe rrezikon njohjet nga shtetet mike, të cilat  na kanë njohur deri më sot.

Sot jemi dëshmitar të rritjes së luftës së ‘’ftohtë’’ dhe të heshtur që po zhvillojnë, Rusia dhe Turqia, duke tentuar ta shtrijnë ndikimin e tyre ekonomik dhe ushtarak në Ballkan dhe në destabilizimin e Evropës së bashkuar. 

Ne mërgimtarët që jetojmë në Gjermani dhe më gjerë, jemi të shqetësuar shumë, sepse korrigjimi i kufijve të Kosovës gjegjësisht “bashkimi i teritoreve” nuk është sqaruar. Në intervistat e Presidentit të Kosovës z. H. Thaçi  dhe kryeministrit të Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama , shihet qartë, që përkrahin njëri- tjetrin dhe nuk tregojnë, se  çka është “ kompromise të dhembshme”. Edhe pse dihet se presidentët e shteteve të Serbisë dhe të Kosovës z. Vuçiç dhe z. Thaçi janë takuar në prani të znj. Mogerini, por edhe fshehurazi  e nuk përgjigjen për bisedat dhe rezultatet e Dialogut. Përshëndesim të gjitha institucionet që marrin seriozisht shqetësimet tona ashtu siç edhe reaguan disa udhëheqës të tjerë që janë kundër “lojës” me kufij  në dëm të shtetit të Kosovës.

Shqetësim tjetër për ne mërgimtarët në Gjermani e njëkohësisht edhe te gjithë shqiptarët kudo qe janë është edhe çështja e veteranëve të luftës. Kërkojmë që urgjentisht nga Kryeprokuroria e Kosovës të shqyrtohet lista e publikuar dhe të mos keqpërdoret e të njollosen luftëtarët e vërtetë të UÇK-së dhe me këtë edhe misioni i shenjtë i kësaj ushtrie.  

Qëllimi i reagimit tonë nuk është denigrimi i asnjë personaliteti apo orientimi partiak, por tregon gatishmërinë, angazhimin tonë për forcimin e shtetit të Kosovës dhe mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të tij.

Me nderime të  përzemërta:

LSHB-dega në Gjermani- Sebastijan Nuiqi, (Kryetar)

LSHAKSH- në Gjermani- Pal  Sokoli, (Kryetar)

LASH- Imer Ademi, (Kryetar)

Si dhe mbi 32 Shoqata kulturoro-sportive ne Gjermani.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test