Gjilan: Duna në familje, fenomen shqetësues

Gjilani

Gjilan: Duna në familje, fenomen shqetësues

Nga: Ilmi Musliu Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 15:28
Jetish Maloku, kryeprokuror

Nga të gjitha rastet e trajtuara në Prokurorinë Themelore në Gjilan, pas zhvillimit të hetimeve, janë ngritur 186 aktakuza, në 17 raste janë bërë propozime për shqiptimin e masave të trajtimit të detyrueshëm, 4 propozime për shqiptimin e masave edukative, 2 kallëzime penale janë hedhur, derisa në 3 raste janë pushuar hetimet, thotë kryeprokurori Jetish Maloku.

Prokuroria Themelore në Gjilan, është ndër më aktivet dhe më efikaset në vend sa i përket hetimit dhe ndjekjes së kryerësve të veprave penale, përfshirë edhe zyrtarët e lartë. Gjatë vitit që shkoi, kjo prokurori ka pranuar 2,592 kallëzime penale të natyrave të ndryshme, me gjithsej 3,255 persona dhe vetëm 44 lëndë janë bartur në vitin 2019.

Kryeprokurori Jetish Maloku thotë se prioritet i rëndësishëm i Prokurorisë Themelore në Gjilan, ka qenë, është dhe mbetet lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në veçanti korrupsionit në nivele të larta dhe në sistemin e drejtësisë.

Gjatë vitit që shkoi janë hetuar zyrtarë qendrorë dhe lokalë, gjyqtarë, prokurorë, kryetarë të Komunave, inspektorë tatimorë, zyrtarë policorë, shëndetësorë, doganorë si dhe zyrtarë arsimorë.

“Kemi ndjekur një politikë të ashpër penale dhe kjo pasqyrohet me kërkesat për masat e sigurimit dhe llojin e masës së dënimit, të kërkuar nga prokurorët e shtetit”, thotë Maloku, duke nënvizuar se prokuroria e Gjilanit do të jetë e pa kompromis në këtë drejtim.

Gjithashtu, sipas kryeprokurorit Maloku, në regjionin e Gjilanit ka rezultuar të jetë një problem madhor edhe dhuna në familje, gjë që dëshmohet me numrin e lartë të këtyre veprave penale.

Gjatë vitit 2018, falë bashkëpunimit dhe koordinimit me Policinë e Kosovës, Zyrën për Mbrojtjen e Viktimave dhe Gjykatën Themelore në Gjilan, me prioritet janë trajtuar 212 raste të dhunës në familje, thotë Maloku.

Nga të gjitha rastet e trajtuara, pas zhvillimit të hetimeve, janë ngritur 186 aktakuza, në 17 raste janë bërë propozime për shqiptimin e masave të trajtimit të detyrueshëm, 4 propozime për shqiptimin e masave edukative, janë hedhur 2 kallëzime penale dhe për 3 raste janë pushuar hetimet.

Në të gjitha veprat penale, të cilësuara si dhunë në familje, 90 për qind e viktimave kanë qenë femra, të cilat kanë përjetuar dhunë psikike dhe fizike, madje në shumë raste, viktimat kanë qenë nën urdhra mbrojtës.

“Prokuroria Themelore në Gjilan do të vazhdojë ta trajtojë me seriozitet të theksuar dhunën në familje, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ta parandaluar këtë fenomen shqetësues dhe mjaft të përhapur”, thotë kryeprokurori Maloku, duke shtuar se pavarësisht trajtimit me prioritet dhe masave parandaluese të këtyre rasteve, ku rezultatet janë të dukshme, prapëseprapë numri i veprave penale të kësaj natyre mbetet i lartë.

Përndryshe, kjo prokurori ka zbatuar me sukses edhe procedurat alternative për zgjidhjen e rasteve të ndryshme penale.

Përmes zbatimit të procedurave alternative, siç janë marrëveshja mbi pranimin e fajësisë, ndërmjetësimi dhe pezullimi, gjatë vitit ë kaluar janë zgjidhur 708 raste, ose  28 për qind e lëndëve të dorëzuara në këtë institucion.

Më saktësisht, përmes procedurave alternative janë arritur 684 marrëveshje për pranimin e fajësisë, ndërsa 24 raste janë zgjidhur përmes procedurës së ndërmjetësimit, duke kursyer kohë dhe mund jo vetëm për institucionin e prokurorisë, por edhe për gjykatën, gjë që ka rezultuar me ngritjen e efikasitetit në vendosjen me shpejtësi të rasteve të tilla, thotë Maloku.

Procedurat alternative mbeten një metodë e preferuar e punës, që Prokuroria Themelore në Gjilan do ta zbatojë edhe gjatë këtij viti, kur synon t`i zgjidh deri në 50 për qind të lëndëve, me qëllim të vënies së drejtësisë brenda një kohe sa më të arsyeshme.

Përndryshe, rezultate ka pasur edhe sa i përket konfiskimit dhe sekuestrimit të pasurive (sendeve) me të cilat është kryer vepra penale dhe pasurisë së fituar me vepra penale. “Ky sukses është arritur përmes bashkëpunimit të ngushtë të prokurorisë me të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit, para se gjithash me Policinë e Kosovës, Gjykatën Themelore në Gjilan, institucionet komunale si dhe institucionet tjera në zbatim të ligjit”, thotë kryeprokurori Jetish Maloku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat