100 të rinj të Gjilanit nënshkruajnë kontratat e punës praktike me pagesë

Gjilani

100 të rinj të Gjilanit nënshkruajnë kontratat e punës praktike me pagesë

Më: 17 prill 2019 Në ora: 19:16
Kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri dhe ambasadorja Nataliya Apostolova morën sot pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave për praktikë në kompanitë vendore

Kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri dhe ambasadorja Nataliya Apostolova morën sot pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave për praktikë në kompanitë vendore të 100 të rinjve nga rajoni i Gjilanit me pagesë, me qëllimin që gjatë të ardhmes të njëjtët të mbeten aktivë në punë dhe të krijojnë të ardhura për vete dhe familjet e tyre.

Kjo është bërë e mundur përmes mbështetjes së BE-së dhe Komunës së Gjilanit, të cilat si institucione kanë qenë në partneritet të plotë që ky projekt ka shënuar efektet pozitive me angazhimin e 100 të rinjve në punë.

Kryetari Haziri ka thënë se këto kontrata për të rinjtë e këtij regjioni janë një lajm i gëzuar për të gjithë, pasi me këtë po krijohet mundësia shumë e mirë për ushtrimin e profesionit të agrobiznesit dhe krijimin e të ardhurave njëkohësisht.

“Sipas statistikave, në vitin 2018 Gjilani hyn në mesin e komunave me ambientin më të qëndrueshëm për zhvillimin lokal ekonomik, i bazuar në bujqësi. Përgatitja profesionale e të rinjve, trajnimet e shumta dhe puna praktike në sektorin e prodhimit, janë një bazë e fuqishme e zhvillimit ekonomik lokal”, tha Haziri.

Ndërsa, ambasadorja Nataliya Apostolova, tha se me numrin e bizneseve aktuale në Gjilan beson fuqishëm se numri i të punësuarve do të rritet, përkundër kërkesave të mëdha për vende pune.

Ajo ka potencuar se BE është duke investuar vazhdimisht në projekte me vlerë të lartë në regjionin e Gjilanit, për të krijuar mundësi më të mëdha për të rinjtë, punësim të tyre në sektorin privat, zhvillimin e sektorit të bujqësisë së bashku me të gjitha komunitetet që jetojnë në këtë pjesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat