Gjilani sfidon Kadri Veselin, Qemajl Mustafa me aktakuzë i hyn garës për kryetar - Bota Sot
Gjilani sfidon Kadri Veselin, Qemajl Mustafa me aktakuzë i hyn garës për kryetar

Gjilani

Gjilani sfidon Kadri Veselin, Qemajl Mustafa me aktakuzë i hyn garës për kryetar

Më: 19 prill 2019 Në ora: 13:55
Qemajl Mustafa, Kadri Veseli dhe Flurmi Arifi

Gara për kryetar të Komunës së Gjilanit duket se do ta sfidojë fort kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.  Deklarata e tij se “PDK duhet të pastrohet nga njerëzit që janë përfshirë në afera korruptive”, nuk është duke u përfillur fare.  

Për ta marrë timonin e PDK-së në Gjilan tash zyrtarisht garës i kanë hyrë dy kandidatë: Flurim Arifi  dhe Qemajl Mustafa. Por, mbi Mustafën ende rëndojnë akuza për mashtrim e korrupsion. Akuza këto që nuk kanë fare rëndësi për ish- kryetarin e Gjilanit. Derisa PDK nga qendra thotë se deklaratat e shefit do të respektohen.

Qemajl Mustafa po pretendon që sërish të kthehet në krye të Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan. Ish- kryetari i Komunës së Gjilanit, ka shpallur kandidaturën për kryetar të degës së PDK-së në këtë qytet.

Këtë e ka konfirmuar vetë Mustafa për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, i cili tha se e ka dorëzuar edhe zyrtarisht kandidaturën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Ai madje thotë se e ka marrë edhe mbështetjen e partisë për këtë detyrë të re.  Por, mbi Mustafën ende rendojnë akuzat për mashtrim e korrupsion.

Gjykata e Apelit një muaj më parë ka treguar se nuk është pajtuar me vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, e cila e kishte hedhur poshtë aktakuzën për krim të organizuar ndaj Qemajl Mustafës dhe të tjerëve, me ç ‘rast jua kishte lehtësuar veprat të gjithë të akuzuarve.

E pa kënaqur me këtë lehtësim, Prokuroria Speciale e kishte apeluar vendimin.

Pasi e  kishte shqyrtuar lëndën Gjykata e Apelit ka vlerësuar se ka prova të mjaftueshme të cilat e krijojnë dyshimin e bazuar se Qemajl Mustafa dhe të tjerët kanë kryer veprën penale të krimit të organizuar në lidhje me keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe keqpërdorimeve në ekonomi.

Apeli me këtë rast ka kërkuar që Gjykata Themelore në Pejë ta caktojë seancën dhe të fillojë gjykimin e Qemajl Mustafës dhe 38 të akuzuarve të tjerë.

Mustafa: Gjykatat po luajnë me neve, jam i pafajshëm

Por, gjithë këto pretendime të organeve të drejtësisë Mustafës nuk po i bëjnë përshtypje fare. Ai në një prononcim për FaktePlus ka thënë se hetimet kanë pushuar qysh moti dhe ndihet plotësisht i pafajshëm.

“Absolutisht hetimet kanë pushuar moti. Akuza është ngritur në 2016-ën. Asnjë seancë nuk është mbajtur, luajnë me neve vazhdimisht. Unë nuk e kam ndërmend me i kushtu asnjë rëndësi aktakuzës. Kurrfarë rëndësie nuk ka. Jam i pafajshëm plotësisht që tre vjet u bënë e për kaq vjet nuk u mbajt asnjë seancë. Qëllimi i parë dhe i fundit është me na mbajt peng, me na mbajt lidh”, ka thënë Mustafa.

Ai thotë se gjykimi i tij as nuk ka nisur e as nuk ka përfunduar.

“Nuk është hiç në proces, as nuk ka nis që tre vjet. Unë jam i pasur, unë nuk kam vendim të gjykatës. Plotësisht jam i pastër”.

Mustafa shprehet i bindur se do të dalë fitues në këtë garë.

“Dje ka qenë afati i fundit për të dorëzuar kërkesat, këto kërkesa janë bërë, pra dy kandidatë  i kanë bërë kërkesat dhe ato janë zyrtare faktikisht. Nuk provoj unë kurgjo. Unë kurrë garave nuk iu hi veç me provu. E kam mbështetjen e plotë absolute të degës në Gjilan dhe krejt terenit të Komunës së Gjilanit dhe në qendër gjithashtu”, është shprehur ai.

Në garë për të parin e PDK-së në Gjilan është edhe Flurim Arifi, i cili edhe zyrtarisht e ka shpallur kandidaturën.

Arifi në një prononcim për FaktePlus ka thënë se e ka mbështetjen e degës dhe të strukturave të partisë.

Ai nuk ka dashur shumë të flas rreth kandidaturës së Mustafës, vetëm se ka treguar se në garë janë dy kandidatë.

“Unë i kam hy garës për fitore. Mbështetjen e kam të plotë. Tash po vjen edhe koha e “Dekadës së Re”, … zotohem se do ta udhëheqim së bashku deri në rikthimin e fitoreve të reja në Gjilan dhe do të përfaqësojë interesin e qytetarëve tanë kudo”, ka thënë ai.

Për zgjedhjet në degën e PDK-së në Gjilan kanë folur edhe nga qendra e partisë në Prishtinë.

Deklaratat e shefit do të respektohen  

Sekretari i PDK-së, Basri Musmurati ka thënë për FaktePlus se zyrtarisht nuk kanë marrë ende kandidaturën e dy pretendentëve.

“Ne zyrtarisht ende nuk kemi marrë asgjë, edhe ka kohë për këtë punë. Ata që shpallin kandidaturën duhet të dërgojnë me shkrim nga dega e tyre në të cilën kanë konkurruar. Ne nuk kemi informata dhe ne nuk po merremi me fjalët e internetit”, ka thënë Musmurati.

Ai nuk ka dashur të flas konkretisht për kandidaturën e Qemajl Mustafës dhe aktakuzën që rëndon mbi të.

Musmurati vetëm ka bërë me dije se deklaratat e shefit të partisë, Kadri Veseli, do të respektohen.

“Mbështetjen e partisë nuk e ka askush, sepse duhet ta ketë mbështetjen e anëtarësisë që e voton. Fjalët e kryetarit të partisë sigurisht që do të respektohen”.

Kujtojmë se Qemajl Mustafa dhe 39 të pandehurit e tjerë akuzohen se nga qershori i vitit 2008, deri në muajin shtator të vitit 2011 me dashje dhe dijeni, aktivisht kanë marrë pjesë në aktivitete kriminale të grupit të organizuar, e që kanë kryer krime serioze.

Sipas aktakuzës qëllimi i këtij grupi ishte të japin tenderë fitimprurës kompanive- operatoreve ekonomik, për ndërtimin e rrugëve, mirëmbajtjen e rrugëve, sinjalizimeve dhe për furnizime, duke eliminuar ofertuesit me oferta më të arsyeshme.

Grupi kriminal, pretendohet që ishte i strukturuar dhe që ka vepruar për një periudhë të konsiderueshme kohore.

Të gjithë të akuzuarit e këtij rasti ishin deklaruar të pafajshëm në sallën e asamblesë komunale të Pejës (ku edhe është mbajtur seanca gjyqësore) lidhur me pikat e aktakuzës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...