Iu vdiq nëna nga kanceri, familja nga Gjilani akuzon ‘mjekun popullor’ nga Bujanoci që ua shiti ilaçet

Gjilani

Iu vdiq nëna nga kanceri, familja nga Gjilani akuzon ‘mjekun popullor’ nga Bujanoci që ua shiti ilaçet

Më: 2 maj 2019 Në ora: 18:47
Foto ilustrim

Për muaj të tërë kishte qenë e prekur me tumor në pankreas.

60-vjecarja nga Gjilani ka vdekur në prillin e këtij viti.  Ajo kishte pasur një intervenim kirurgjik në QKUK gjatë vitit që e që ia kishte stabilizuar gjendjen.

Por pavarësisht intervenimit, familja e tashmë së ndjerës kishte marrë ilaçe popullore nga një person nga Bujanoci i cili  e cilëson vetën ‘mjek popullor’. Sipas familjarëve, ato ilaçe, të tashmë së ndjerës, nuk i kanë ndihmuar aspak. Familja e së ndjerës po e akuzon ‘mjekun popullor’ se ilaçet që i morën nga ai, ia mbytën nënën.

Tri ditë pasi që i ka mbushur 60 vjet E.Rrahmani nga qyteti i Gjilanit ka vdekur. Ajo që një kohë ishte qenë e diagnostikuar me tumor në pankreas.

Për këtë sëmundje ajo kishte pasur edhe një intervenim kirurgjik në Klinikën Abdominale të QKUK gjatë fundit të vitit që shkoi.

Intervenimi në QKUK sipas familjarëve kishte qenë i suksesshëm. Por e gjithë tortura siç ata e përshkruajnë për familjen Rrahmani nga Gjilani kishte nisur në momentin kur ata nënës së tyre kishin filluar t’ia japin disa ilaçe popullore të cilat i merrnin nga një person i cili e quan vetën mjek popullor e qe jeton në Bujanoc.

Ereth këtij rasti ka  folur djali i gruas që ndërroi jetë.  Rr. Rrahmani, ka rrëfyer se si gjendja shëndetësore e nënës së tij është përkeqësuar nga momenti kur ajo kishte filluar që ta pijë ilaçin që e kishin marrë nga mjeku nga Bujanoci.

“Ky personi (mjeku), po e përgatiste një ilaç për tumore. Ne dëgjuam për të dhe e kontaktova. Ai më tha që shumë personave u ka ndihmuar me të. Kur ma ka sjellë ilaçin në Gjilan, më ka thënë se 100 për qind do të ketë sukses. Unë me të kontaktoja përmes telefonit. Por pasi që ma ka sjellë ilaçin, asnjëherë ne nuk kemi mundë që të kontaktojmë me të”, tregon djali i 60-vjecares së ndjerë.

Por, ai thotë, se edhe nëna e tij deklarohej se pasi që e pinte ilaçin ndihej keq me shëndet.

“Prej momentit kur nëna ime ka fillua me e pi atë ilaç, gjendja e saj shëndetësore ka fillua me iu përkeqësuar. Mos më jepni më, se po mi djeg mushkëritë”, kështu na thoshte kur e pinte atë ilaç”, rrëfen tutje djali i 60-vjecares së ndjerë E.Rrahmani.

E ilaçin popullor të cilin kjo familje po ia jepte nënës së tyre  e kishin blerë 50 euro nga A. Selimi. Që nga momenti kur e kishin marrë ilaçin, familja thotë se më nuk kanë mundur që të kontaktojnë me mjekun.

“Ai tash na ka blloku në të gjitha rrjetet. Ilaçi ka kushtuar 50 euro, kanë qenë 4 shishe të qelqit të mbushura.  Në fund të dhjetorit ne kemi fillu me ia dhanë ato ilaçe. Ai më ka thënë se shumë persona e kanë përdorë edhe që tek te gjithë ka pas sukses”, rrëfen tutje djali i gruas që vdiq.

Mjeku që po akuzohet: Unë vetëm ia kam dhënë ilaçin, nuk e prodhojë atë

E mjeku popullor, A.Selimi, i cili jeton në Bojanoc thotë se është në dijeni për rastin, por se nuk beson se ilaçet që ai ia ka dhënë të ndjerës kanë ndikuar që ajo të humbë jetën.

A.Selimi ka pohuar se shet ilaçe të cilat sipas tij ndihmojnë në shërimin e tumorit. Thotë se ilaçi nuk prodhon efekte anësore.

“Po shes ilaçe kundër tumorit. Ai u konstultua me mua gjatë gjithë kohës. Po e njohë pak a shumë personin për të cilin ju po pyetni. Shumë persona janë shëruar nga ai ilaç. Tash varet se si ndikon tek shëndeti i tjetrit. Ilaçi nuk ka aspekt efekte anësore. Shumë persona janë shëru nga ky ilaç. Që dy vite unë merrem me këtë punë. Ilaçi ka përmbajtje bimore. Unë për pacienten në fjalë nuk e di se sa e ka pas sëmundjen e rëndë. Unë nuk po mundem me e ditë se qysh ka reagu”, tregon personi i cili e quan vetën mjek popullor.

Por, ai e pranon se ilaçet që ua shet personave të ndryshëm në Kosovë e jashtë saj, nuk i prodhon vet.

Ani se këtë punë nuk ua tregon edhe ‘nevojtarëve’ të cilëve ua shet këtë ilaç në vlerën e 50 eurove.

“Unë ilaçin e marrë nga dikush tjetër. Nuk e bëjë unë vet.  Unë nuk iu kam tregu gjithë atyre që ua jap ilaçin se ilaçet nuk i prodhojë vet. Ne jemi të obliguam që t’i ndihmojmë njerëzve”, shpjegon tutje ai. “Nga unë ilaçe marrin jo vetëm nga Kosova por edhe nga  Zvicra edhe kanë sukses. Ato i bënë një gru e moshuar që jeton në katun në një vend”, rrëfen tutje personi nga Bujanoci.

Megjithatë, për familjen nga Gjilani, A.Selimi, thotë se vetëm një herë kanë kërkuar ilaçe nga ai. Edhe pse numrin e familjarëve të së ndjerës ai thotë se ka bllokuar.

“Personi gjatë gjithë kohës më shkruante për gjithçka. Unë tash nuk mundem me e ditë krejt hollësisht për sëmundjen. Ai vetëm një herë e ka marrë tek ne ilaçin”.

Mjeku popullor nga Bujanoci, A.Selimi, thotë se nuk beson se gruaja në fjalë ka vdekur pas ilaçeve që ai ia ka dhënë.

“Nuk kemi çka me ba tash, ajo fatkeqësi ka ndodhë. Mirëpo nuk besoj që e ka pas prej ilaçeve. Ka plotë raste që janë shërua. E kemi një në Gjilan që është shërua, edhe ajo gruaja ka qenë e operuar”, përfundon ai,

E djali i gruas që ndërroi jetë në prillin e këtij viti, po u bënë apel qytetarëve që mos t’i marrin ilaçet e këtij personi.

“Mu nëna më shkoi. Por tash ka edhe njerëz të tjerë që po marrin ilaçe nga ai, Unë nuk dua që edhe dikush tjetër të pësojë si nëna ime. Dhembjet e saja kur e pinte ilaçin ende i kam para sysh”, thotë djali i gruas nga Gjilani e cila vdiq muajin që e lamë pas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat