Kërkohet rritja e cilësisë së produkteve dhe eksportimi i tyre jashtë vendit

Gjilani

Kërkohet rritja e cilësisë së produkteve dhe eksportimi i tyre jashtë vendit

Më: 30 maj 2019 Në ora: 14:30
Debati "Ushqim dhe produkte më të sigurta"

Përkundër tokave të saj të pëlleshme dhe të pakontaminuara, Kosova nuk prodhon mjaftueshëm produkte bujqësore.

Për këtë nevojitet rritja e prodhimtarisë vendore me produkte më të sigurta e më cilësore. Kështu u tha gjatë debatit "Ushqim dhe produkte më të sigurta", që u mbajt të enjten në Gjilan, ku morën pjesë ekspertë të fushës e përfaqësues të shumtë të bizneseve. Eksperti për tregti të lirë, Naim Huruglica, tha se Kosova nuk qëndron mirë as në eksport, ku raporti eksport - import mbetet me një diferencë jashtëzakonisht të madhe, 16:1.

Sipas tij, përderisa Kosova importon çdo produkt, eksporton vetëm 5-6 lloje të tyre, ndërkohë shtoi që Kosova nuk prodhon mjaftueshëm as produkte bujqësore.

Huruglica tha se ideja është se si Kosova të arrijë standardet evropiane. Ai foli edhe për lansimin e raportit të progresit nga Komisioni Evropian, për çka tha se Kosova ka ngecur në implementim.

Huruglica: Duhet ta shfrytëzpjmë potrencialin që kemi

"Në vitin 2018, Kosova ka importuar mbi 700 milionë euro ushqime. Dhe, kur them ushqime, aty hyjnë edhe bimët, në kuptimin psh. duhani. Do të thotë rreth 700 milionë euro ne i shpenzojmë për çdo vit për ushqime. Një pjesë shumë të madhe të tyre pa problem ne kishim me i prodhu, madje edhe me i eksportu. Nuk është pyetja që nuk dimë, apo nuk mundemi, vetëm është qasja se si ta  shfrytëzojmë potencialin që e kemi, ligjet që i kemi, mundësitë që na ofrojnë donatorët ë huaj, pasi edhe kjo që po e bëjmë sot është një ndihmë, është një lloj shkëmbimi i informatave me ju që të kemi sa më shumë informata se çfarë mund të bëjmë", tha ai.

Për marrëveshjen e MSA-së, Huruglica tha se për tre vite vetëm 1/3 e kritereve kanë gjetur implementim, gjë që nënkupton se mbetet shumë punë për t’u bërë.

Vitomir Fister, udhëheqës ekipi më projektin e BE-së "Mbështetje lëvizjes së lirë të mallrave", tha se në kuadër të këtij projekti, prioritet kanë cilësinë dhe sigurinë e produkteve.

Fister: Ne ju ndihmojmë, ju duhet t’i dini obligimet që duhen plotësuar

 "Projekti ynë është themeluar me qëllim që të ju ndihmojë të siguroni një infrastrukturë dhe të zhvilloni bizneset tuaja private. Ne jemi këtu që ta ndihmojmë ekonominë tuaj. Ne punojmë në përmirësimin e cilësisë së infrastrukturës... Ju duhet të pyesni veten se cilat janë ato obligime që duhet të plotësohen, këto do të ju tregojnë rregulloret teknike, jo standardet. Por, rregulloret teknike nuk funksionojnë pa pasur disa standarde, prandaj standardet mbështesin rregulloret teknike. Ne gjithmonë duhet të kontrollojmë të gjitha kërkesat që i bëjmë përmes konformitetit", tha ai.

 E rëndësi të madhe në kontrollimin e cilësisë, Fister tha se ka metrologjia.

Fister: Pa metrologji nuk mund të funksionojë asgjë

"Asgjë nuk mund të funksionojë nëse nuk funksionon metrologjia. Do të sigurohemi që ambienti është i filtër, të jetë aq sa është në Francë dhe në gjithë botën", shtoi ai.

 E, drejtori i departamentit të bujqësisë në komunën e Gjilanit, Ramiz Ramadani, tha se Kosova ka prodhime të besueshme dhe duhet të mbështetet më shumë në to sesa në import. Njësherësh, ai dha edhe një propozim, që të bëhet decentralizimi i granteve dhe subvencioneve nga niveli qendror në atë lokal.

Ramadani: Më i besushëm është prodhimi vendor

“Sa i përket prodhimit vendor, personalisht besoj se prodhimi vendor tek ne është i nivelit të lartë dhe unë mendoj që më shumë jam i prirë t’i besoj prodhimit tonë sesa prodhimit që vije nga importi, por defektet tona janë në paketim, janë në plasim ose në formën tjetër të marketingut...Prodhimi organik është ajo që duhet me u bë me kujdes të madh, sepse sipërfaqet ose ambientet tona nuk janë të kontaminuara, nuk kemi industri dhe mendoj që prodhimi që ne e konsumojmë është jashtëzakonisht i pastër bio dhe ndoshta fokusi do të ishte kryesor. Po pretendojmë të mbështesim prodhimet vendore, fokusi është me i plotësua nevojat e tona, për fat të keq në nivelin komunal tek sektori i pemëtarisë jemi më stabil, tek të gjithë sektorët e tjerë kemi deficite jashtëzakonisht të mëdha. Prandaj, mbrojtja e prodhimeve vendore do të jetë fokusi jonë, por mbi të gjitha ajo që na u kish imponua fermat tona janë të v ogla dhe konsolidimi i tokave është domosdoshmëri, sigurimi i sistemit të ujitjes dhe mbi të gjitha nevoja e sigurimit të fondeve mbështetëse për fermerët”, tha ai.

Gjatë këtij debati, përfaqësues të bizneseve patën rastin të pyesin panelistët dhe të marrin përgjigjet për temat që i preokupojnë. Ata u informuan edhe për grante të cilat i japin organizata të ndryshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat