1820 maturantë të Gjilanit i nënshtrohen testit të maturës, procesi ecën mbarë

Gjilani

1820 maturantë të Gjilanit i nënshtrohen testit të maturës, procesi ecën mbarë

Më: 13 qershor 2019 Në ora: 15:32
Pamje nga vendi i ngjarjes

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me drejtorin e Arsimit, Nazim Gagica, kanë parë nga afër procesin e testit të maturës, të cilit i janë nënshtruar 1820 maturantë dhe po zhvillohet në 11 qendra.

Haziri e Gagica kanë konfirmuar se ky proces po ecën sipas planifikimit pa asnjë problem.

“Për maturantët është manifestim jetësor sepse ata sot kalojnë nëpër testin e rëndësishëm profesional, i cili hap rrugë për jetën e tyre, për studime ose për mundësi punësimi. Uroj që të jetë një ditë e suksesshme për secilin maturant”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai theksoi se gjatë verës do të bëhet rishikimi i nevojave për shkollat profesionale, sikurse edhe rishikimi dhe riorganizimi i shkollave sipas kurrikulës.

“E falënderoj personelin arsimor dhe Drejtorinë e Arsimit për përmbylljen me sukses të vitit shkollor, por edhe të një viti të rëndë në sektorin e arsimit, sepse  paralelisht po shkojmë në reformat e brendshme administrative, standardizimin e normave, zvogëlimin e administratës në maksimalizim për të gjithë personelin dhe nevojat e arsimit. Do të jetë një vit i rëndësishëm, por mbi të gjitha, vendimet i hapin rrugë të rinjve dhe fëmijëve tanë. Numri i nxënësve po bie sepse nuk është më i njëjtë numri i maturantëve dhe ai i klasave të para. Në mes tyre është një shifër paksa shqetësuese”, pohoi Haziri.

Drejtori i shkollës së mjekësisë “Asllan Elezi”, Shaban  Tërstena dhe drejtoresha e shkollës “Thimi Mitko”, Sevdije Sadiku, konfirmuan  se procesi i testimit po ecën mbarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat