Gjilani solidarizohet me familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri

Gjilani

Gjilani solidarizohet me familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri

Më: 26 nëntor 2019 Në ora: 15:58
Kuvendi Komunal i Gjilanit

Kuvendi Komunal i Gjilanit ka shprehur dhembje për viktimat e tërmetit në Shqipëri dhe njëherësh edhe solidarizimin me familjet e prekura nga kjo fatkeqësi e rëndë natyrore, ndërkohë që i ka bërë thirrje ekzekutivit që brenda mundësive ekzistuese t`iu dalë në ndihmë zonave të prekura.

Ndërkaq, qytetarët dhe shoqatat e ndryshme janë inkurajuar që të organizohen për të ndihmuar në çfarëdo mënyre personat dhe familjet e prekura nga lëkundjet e fuqishme të tokës.

“Në emër të institucioneve komunale shprehim dhembjen tonë për familjet e goditura dhe solidarizohemi e ndajmë dhembjen me to në këto momente të vështira që po kalojnë, pas fatkeqësisë natyrore”, ka thënë Shkresa Kurteshi- Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, që sot mbajti seancën e rregullt për muajin nëntor.

Ndryshe, të paktën 16 persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë plagosur si pasojë e tërmeteve të fuqishme që kanë goditur sot Shqipërinë.

Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndajë 500 mijë euro ndihma për të prekurit nga tërmetet.

Në ndihmë homologëve të tyre në Shqipëri iu kanë dalë edhe Policia e Kosovës dhe FSK-ja, ndërkohë që janë grumbulluar edhe ndihma në ushqime dhe veshmbathje për të prekurit nga tërmeti më i fuqishëm në 30 vjetët e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat