Ismajli: Mbështetja ndaj personave me aftësi të kufizuara është mision i madh - Bota Sot
Ismajli: Mbështetja ndaj personave me aftësi të kufizuara është mision i madh

Gjilani

Ismajli: Mbështetja ndaj personave me aftësi të kufizuara është mision i madh

Më: 19 dhjetor 2019 Në ora: 14:11
Pamje nga takimi

Organizata Handikos në Gjilan ka prezantuar të enjten raportin vjetor të punës për këtë vit, mbi të arriturat dhe sfidat sa i përket përmbushjes së nevojave për personat me aftësi të kufizuara.

Në këtë ngjarje ka marr pjesë nënkryetari i Komunës së Gjilanit Arbër Ismajli, përfaqësues nga KFOR-i turk, sikurse edhe nga bizneset e shoqëria civile.

Fatmir Shurdhani, menaxher i kësaj organizate, theksoi se me mbështetjen e Komunës së Gjilanit, ka përmirësime në fushën e arsimit për këtë kategori, duke e falënderuar këtë institucion për mbështetjen me të gjitha kapacitetet e tyre.

Por, ai kërkoi që në vitin e ardhshëm të bëhet më shumë për t’iu mundësuar qasje më të lehtë personave me aftësi të kufizuara në rrugët e qytetit, sikurse edhe në institucione.

Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, tha se mbështetja ndaj personave me aftësi të kufizuara, është mision i madh.

“Ta ndihmosh një person me aftësi të kufizuara, është një mision i madh që vlerësohet edhe te Zoti. Si Komunë e Gjilanit e kemi mbështetur Handikos-in me mundësitë tona. Por, jemi të vetëdijshëm që nuk është e mjaftueshme karshi nevojave të kësaj organizate. Me aq sa kemi mundësi, nuk do të lëmë guri pa lëvizë për t’i jetësuar kërkesat e Handikos”, tha Ismajli.

Njeriu numër dy i Gjilanit tha se është i lumtur me funksionalizimin e Komitetit të personave me aftësi të kufizuara.

“Një hap i madh për adresimin e nevojave për këtë kategori e kemi bërë si komunë me themelimin e Komitetit të personave me aftësi të kufizuara. Jemi zotuar publikisht dhe po e ritheksoj edhe këtu, në prezencën tuaj, se të gjitha rekomandimet që dalin nga ky Komitet, do t’i zbatojmë”, tha ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat