Tefiku dhe Nushi, shpallen heronjë të kombit - Bota Sot
Tefiku dhe Nushi, shpallen heronjë të kombit

Gjilani

Tefiku dhe Nushi, shpallen heronjë të kombit

Nga: K.M Më: 21 dhjetor 2019 Në ora: 17:36
Pamje nga akademia e mbajtur në Gjilan

Në organizim të institucioneve komunale të Gjilanit dhe shoqatës së familjeve të dëshmorëve, sot në Gjilan është mbajtur akademi përkujtimore për nder të dëshmorëve Tefik e Hanumshahe Zymberi, të cilët me vendim të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, janë shpallur heronj të kombit.

Në këtë akademi, e cila është organizuar me rastin e ditëlindjes së 59-të të Tefik Zymberit, ka folur edhe kryesuesja e Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi-Emini, e cila duke i përshëndetur pjesëmarrësit në emër të kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri dhe institucioneve komunale, ndër të tjera ka thënë se jemi mbledhur sot këtu për të kujtuar jetën dhe veprën e Tefikut dhe Hanumshahes dhe për t`i kujtuar në këtë moment të gjithë heronjtë dhe dëshmorët të cilët kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës.

“Të flasësh për personalitetin e Tefikut dhe Nushit, është përgjegjësi e llojit të vetë dhe sigurisht që është edhe emocion, por më mirë se gjithkush ka folur jeta dhe vepra e tyre nëpër periudha të ndryshme kohore, duke e ngritur zërin për Kosovën në rrethanat më të vështira në të cilat është gjetur vendi ynë”, ka thënë ajo.

Sigurisht, ka vijuar më tutje Kurteshi-Emini, që këto personalitete përbëjnë dy nga figurat më të rëndësishme të kësaj periudhe dhe për të cilët më së miri do të flasë historia, por ne kemi obligim t`i nderojmë e respektojmë ata dhe të jemi mirënjohës ndaj veprës së tyre.

Po ashtu ne kemi obligim të punojmë në baza ditore që ta jetësojmë amanetin e Tefikut e Nushit dhe gjithë dëshmorëve tjerë, ka thënë Kurteshi-Emini.

Momente nga jeta dhe veprimtaria e heronjve Tefik e Hanumshahe Zymberi kanë rikujtuar edhe Shukri Buja, këshilltar i presidentit Thaçi, Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së familjeve të dëshmorëve, Ahmet Isufi, ish-komandant i ZOK-ut si dhe Ismet Tafili, bashkëveprimtar.

Në emër të familjes është falënderuar i biri Atdheu, i cili ka falënderuar organizatorët dhe pjesëmarrësit në këtë akademi, për të nderuar dhe respektuar prindërit e tij, por veçmas ka shprehur mirënjohje për axhën e tij Bajramin dhe bashkëshorten Igballen, të cilët, ai i thërret babë e nënë, duke thënë se atëherë kur jeta ua ktheu shpinën, ata iu ofruan një fole të re, i rritën dhe u kujdesën deri në ditët e sotme.

Tefiku (Kiki) dhe Hanumshahja (Nushi), për nga mënyra e sakrificës dhe flijimit, janë vetë Azem e Shote Galica, Fehmi e Xhevë Lladrovci dhe heronjtë tjerë që ranë për komb e atdhe.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat