Kurteshi-Emini: Diskutimi për lokacionin e varrezave është çështje e mbyllur në Kuvend

Gjilani

Kurteshi-Emini: Diskutimi për lokacionin e varrezave është çështje e mbyllur në Kuvend

Më: 22 janar 2020 Në ora: 16:51
Shpresa Kurteshi-Emini

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) ka mbajtur sot mbledhjen e parë për këtë vit, nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ku ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal plotësimet dhe ndryshimet në Rregulloren për taksa, sipas sugjerimit të MAPL, pas sqarimeve që kanë dhënë drejtorët Valbona Tahiri (DZHE) dhe Sali Fazliu (DGJKP).

Po ashtu, KPF rekomandoi për Kuvend edhe propozimin për dhënien e mirënjohjes Ekrem Gjinollit (pas vdekjes), propozimin për dhënien e titullit “Nderi i Qytetit” për Fahredin Sherifin, propozim-vendimin për kompensimin e Komisionit për shqyrtimin e ankesave në procesin e emërtimit të rrugëve dhe adresave si dhe të komisioneve përzgjedhëse të anëtarëve të dy komiteteve konsultative.

Njëherësh, KPF me insistimin e opozitës, vendosi ta rikthejë në fillim të seancës së Kuvendit pikën për pyetje dhe përgjigje, të cilën e kishte zhvendosur në fund të saj, por duke kërkuar respektim të kohës prej 30 minutave, siç e parasheh rregullorja.

Po ashtu, KPF ka rekomanduar për Kuvend edhe raportet e punës së Komiteteve për vitin 2019 si dhe planet e punës për vitin 2020 të këtyre trupave komunale.

Lokacioni i varrezave si dhe orari i punës së subjekteve afariste, ndonëse nuk kanë qenë në rend dite, ishin dy çështjet, ku u përqendrua debati edhe në takimin e sotëm.

Opozita ka insistuar që këto dy pika të rikthehen për diskutim dhe vendosje, veçmas lokacioni i varrezave, duke thënë se kjo nuk është një çështje e mbyllur.

Pozita kishte mendim ndryshe, duke thënë se problemi i hapësirës së varrezave, është çështje e mbyllur sipas vendimit të KK, të vitit 2003 dhe planit zhvillimor komunal dhe nuk mund të kthehet në fillim, sepse kësisoj mund të humben edhe shumë vite të tjera, ndërkaq gjendja në varrezat ekzistuese është emergjente.

Shpresa Kurteshi-Emini ka thënë se sa i përket lokacionit të varrezave, Kuvendi e ka kryer punën e vet dhe nuk e shohim të nevojshme ta rikthejmë këtë pikë edhe njëherë, ndërkaq rregullorja për orarin e punës së subjekteve afariste, do të vijë sërish në Kuvend, pasi komisioni për akte statutare dhe normative ta kryej punën e tij, ka thënë ajo.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat