Kuvendarët e Gjilanit miratojnë një shkëmbim pronësor për nevoja të kompletimit të projektit të kompleksit memorial

Gjilani

Kuvendarët e Gjilanit miratojnë një shkëmbim pronësor për nevoja të kompletimit të projektit të kompleksit memorial

Më: 27 shkurt 2020 Në ora: 17:23
Seanca

Kuvendi Komunal i Gjilanit, ka mbajtur sot seancën e radhës, nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ku ka shqyrtuar dhe miratuar rregulloren për transparencë, sipas sugjerimit të MAPL, plotësimet në rregulloren për taksa komunale, po ashtu sipas sugjerimeve të MAPL, planin komunal për ri-integrimin e qëndrueshëm të personave të riatdhesuar 2019-2020, propozimin për këmbimin e pronës private me pronën komunale, sipas planit rregullues urban “Qarku 1” si dhe dy informata, njëra për manifestimin “Flaka e Janarit” 2020 dhe tjetra për suksesin e nxënësve në gjysmë-vjetorin e parë 2019/2020.

Sa i përket rregullores për transparencë si dhe planit komunal për ri-integrim të qëndrueshëm të personave të riatdhesuar për periudhën 2019-2022, sqarimet e nevojshme i ka dhënë Sadri Arifi, shef i Shërbimit të Kuvendit.

Plani komunal për ri-integrim të qëndrueshëm të personave të riatdhesuar për periudhën 2019-2022 përfshinë objektivat e këtij dokumenti strategjik, ku janë adresuar të gjitha kërkesat që dalin nga Programi Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, ka thënë Arifi.

Ndërkaq, te çështja e ndërrimit të pronave, Sali Fazliu, drejtor për Kadastër, sqaroi se kjo bëhet për interesa publike dhe me qëllim të realizimit të planit rregullues “Qarku 1”, ku përfshihet edhe kompleksi memorial “Kodra e Dëshmorëve”, për nevoja të hapjes së rrugëve për automjete dhe këmbësorë, gjelbërimit dhe vend-parkingjeve.

Propozimi u përkrahë dhe u miratua nga grupimet politike LDK, PDK, AAK, Nisma, ndërsa VV abstenoi me arsyetim se nuk është kundër këtij projektit, por sipas tyre, paraprakisht janë bërë parregullsi në këtë zonë dhe tani po tentohet të mbulohen përmes miratimit të kësaj nisme për shkëmbim pronash.

Kuvendi u njoftua nga drejtori Nazim Gagica edhe me suksesin në gjysmëvjetorin e parë në të tri nivelet e arsimit, që krahasuar me gjysmëvjetorin e njëjtë të vitit të kaluar ka një ngritje të vogël.

Sipas raportit, nota mesatare e suksesit në nivelin e ultë është - 4.63, në nivelin e mesëm të ulët - 3.82, kurse në nivelin e mesëm të lartë - 2.73.

Ai dha sqarime edhe në interesimet konkrete të anëtarëve të Kuvendit, ndërkohë që u shpreh i shqetësuar me rënien e vazhdueshme të numrit të nxënësve, që ka shkuar deri në 5 mijë, në gjithë këto vite.

Ndërkaq, informatën për manifestimin e sivjetmë “Flaka e Janarit” 2020, një aktivitet ky kulturor kushtuar heronjve dhe martirëve të kombit, e paraqiti drejtoresha e Kulturës, Deniza Limani, e cila theksoi se për rreth një muaj aktivitet janë shpenzuar 65 mijë euro.

Nga anëtarët e Kuvendit u tha se një manifestim mbarëkombëtar si “Flaka e Janarit” duhet të përfshihet gjithsesi në kalendarin e Ministrisë.

Shpresa Kurteshi, kryesuese e Kuvendit tha se një kërkesë e tillë është bërë vazhdimisht, gati çdo vit në Ministri, por fatkeqësisht është kthyer me një mbështetje të vogël financiare dhe shumë herë nuk na është dhënë fare mbështetje financiare.

Për më tepër, ajo tha se pajtohet me këtë propozim, por tha se Drejtorisë për Kulturës duhet t`i jepet kohë për ta përgatitur kërkesën me shkrim, me të gjitha elementet e nevojshme dhe për ta sjellë në Kuvend për miratim.

Përndryshe, në mënyrë formale, nuk kemi pse ngutemi dhe e bëjmë një kërkesë të tillë, tha Kurteshi-Emini

Ndërkaq, në pjesën e pyetjeve, ku çështje të ndryshme ngritën Avdyl Aliu, Xhelal Hajrullahu, Nehat Osmani, Ibish Ibishi, Shefik Surdulli, Isa Agushi, Erlehta Osmani, Riza Abdyli, Arta Haziri, Gentrit Murseli, Milivoje Stojanoviq, Fitim Guda, Arijeta Rexhepi, Bujar Nevzati dhe të tjerë, përgjigje dhanë drejtorët Naser Korça, Selami Xhemajli, Zijadin Maliqi, Nevzat Rushiti, Deniza Limani, Nazim Gagica si dhe nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli e kryesuesja e Kuvendit, Shpresa Kurteshi-Emini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat