Gjilani e zbaton planin e veprimit për parandalimin e Coronavirusit - Bota Sot
Gjilani e zbaton planin e veprimit për parandalimin e Coronavirusit

Gjilani

Gjilani e zbaton planin e veprimit për parandalimin e Coronavirusit

Më: 11 mars 2020 Në ora: 14:40
Pamje nga takimi

“Komuna e Gjilanit është prapa vendimit të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë për vazhdimin e mësimit dhe respekton vendimin e ekspertëve të kësaj ministrie, të Institutit të Shëndetit Publik, të cilët kanë vlerëzuar se nuk ka shqetësime në këtë fazë për virusin Codiv-19, sepse përgjegjësia dhe vlerësimet janë bazuar në arsyetimet e tyre profesionale dhe shkencore”, kështu ka thënë sot në takimin që ka thirrur në mëngjes, drejtori Nazim Gagica.

Në këtë takim është prezantuar plani i veprimit dhe fokusi kryesor është vendosur në parandalimin e këtij virusi, përmes hapave të shumtë që janë prezantuar për tu ndërmarrë, duke bërë thirrje që të mos bëhet panikë, sepse deri më tani nuk ka asnjë rast të identifikuar me këtë virus në Komunën e Gjilanit.

“Jemi të fokusuar së bashku në parandalim dhe respektim të planit të veprimit. Nuk kemi raste të cilat janë të raportuar me këtë virus që ka përfshirë shumë shtete të botës. Plani i veprimit do të filloj zbatimin sot dhe angazhimi do të jetë maksimal për të krijuar kushte për mbarvajtjen e mësimit. Brenda tri ditësh do të bëhet dezinfektimi i të gjitha shkollave të Gjilanit, por njëkohësisht do të punohet me përkushtimin maksimal në realizimin e Planit të Veprimit”, ka thënë drejtori Gagica i cili ka prezantuar planin para drejtorëve të shkollave.

“Plani i Veprimit i prezantuar nga DKA është formimi i ekipit koordinues për parandalimin e koronavirusit ku përfshihen të gjithë përfaqësuesit e shkollave, pastaj caktimi i pikë-kontaktit me MASHT-in, caktimi i grupeve koordinuese nëpër shkolla, caktimi i pikë-kontaktit me DKA-në, caktimi i linjës së komunikimit me QKMF-në, gjithashtu do të caktohet linjat e komunikimit mes shkollave dhe prindërve, kujdes i theksuar për pastërtinë nëpër shkolla, gjithashtu DKA, inspeksioni sanitar dhe ai i arsimit raportojnë në baza ditore në MASHT, një kërkesë në emër të Komunës për material emergjent do ti drejtohet ministrisë për furnizim duke përfshirë të gjitha shkollat, Komuna dhe DKA do të bëjë shpërndarjen e materialeve dezinfektuese nga stoqet e veta, furnizimi me ujë nëpër shkolla do të jetë i rregullt gjatë procesit të mësimit, shpërndahen udhëzuesit e MASHT-it për prindërit dhe fëmijët për këshillim, etj”, ka thënë drejtori Gagica derisa ka angazhuar një numër shumë të madh të drejtorëve dhe stafit të drejtorisë në zbatimin e këtij plani.

Në këtë takim kanë marrë pjesë dhe do të jenë aktiv në zbatimin e këtij plani preventive edhe KRU “Hidromorava”, Instituti i Shëndetit Publik, Inspektorët e arsimit, inspektorët sanitary, këshilli i prindërve dhe përfaqësues të tjerë.

Për ndryshe në rast të ndonjë vendimi eventual i cili mund të merret nga niveli qendror lidhur me procesin e mësimit do të njoftohen të gjitha shkollat, nxënësit dhe prindërit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat