Gjilani nis pastrimin dhe dezinfektimin e rrugëve - Bota Sot
Gjilani nis pastrimin dhe dezinfektimin e rrugëve

Gjilani

Gjilani nis pastrimin dhe dezinfektimin e rrugëve

Më: 18 mars 2020 Në ora: 11:09
Foto ilustrim

Komuna e Gjilanit, sot në mëngjes ka nisur aktivitetin për pastrimin dhe dezinfektimin e rrugëve dhe trotuareve, në kuadër të rekomandimeve të kryetarit Haziri dhe Komisionit Emergjent, si masë preventive për t’i mbrojtur qytetarët nga mundësia e përhapjes së virusit COVID19.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça, në prononcimin para gazetarëve, ka thënë se kjo është masë preventive për t’i mbrojtur qytetarët e Gjilanit dhe në varësi prej vlerësimeve të gjendjes kjo edhe mund të përsëritet me të vetmin qëllim që ambient ku lëvizin qytetarët të jetë i dezinfektuar.

“Me rekomandimin e kryetarit Haziri dhe vlerësimeve të Komisionit emergjent për mobilizim kundër Covid-19, kemi marrë këtë veprim në terren për dezinfektimin e rrugëve dhe trotuareve. Komuna e Gjilanit është në gjendje gatishmërie dhe fton të gjithë qytetarët që të jenë vigjilent me kujdes maksimal dhe njëkohësisht për çdo dyshim, luten që të paraqiten në institucionet shëndetësore për t’u testuar. Nuk ka vend për panik në asnjë moment, sepse Komuna e Gjilanit ka marrë të gjitha masat për parandalimin e këtij virusi”, ka thënë drejtori Korça.

Ndryshe, më herët gjatë ditës është bërë e ditur se është futur në izolim dhe kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri për shkak se i njëjti kishte kontakt me njërin nga personat nga Gjakova që rezultoi pozitiv me koronavirus.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat