Gjilani i mobilizuar kundër koronavirusit - Bota Sot
Gjilani i mobilizuar kundër koronavirusit

Gjilani

Gjilani i mobilizuar kundër koronavirusit

Më: 19 mars 2020 Në ora: 12:34
Pamje nga takimi

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka mbledhur sot Komisionin Komunal për Emergjenca, me ç’rast është bërë e ditur se në këtë komunë gjendja është e qetë dhe se nuk ka raste të dyshuara me koronavirus.

Në këtë takim është konfirmuar angazhimi maksimal institucional, për ruajtjen e qetësisë, të jetuarit pa panik dhe kujdesit maksimal.

Ismajli ka thënë se rekomandimet e institucioneve komunale dhe atyre të komisionit emergjent janë duke iu përmbajtur në mënyrë perfekte qytetarët në përgjithësi, komuniteti i biznesit dhe të gjithë punëtorët që në këto ditë janë duke dhënë shërbimet e tyre.

Nga ky takim është konfirmuar gjithashtu se edhe shërbimet e ndërmarrjeve publike janë duke u kryer në bazë të detyrës, por me staf të reduktuar.

Është potencuar që të gjithë qytetarët me simptoma të dyshuara me koronavirus menjëherë të lajmërojnë ekipet mjekësore dhe të respektohet metoda e vetizolimit, me qëllim të mos përhapjes së virusit.

Në kuadër të kësaj nënkryetari Ismajli ka bërë thirrje për përdorimin e vazhdueshëm të dorëzave, maskave, dezinfektuesve dhe higjienës në nivelin maksimal në mënyrë që të tejkalohet gjendja emergjente dhe të mos ketë raste me Covid19.

Për çdo rast, qytetarët mund të kontaktojnë në numrat e telefonit 112, 192, 193 dhe 194.

Qendra e Komisionit emergjent të Gjilanit është në konviktin e shkollave të mesme, prej nga menaxhohet situata me bazë të raportimeve të shpeshta dhe kontakteve të vazhdueshme me të gjitha nivelet dhe të gjithë resorët.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat