Dy fshatrat në Gjilan futen në karantinë - Bota Sot
Dy fshatrat në Gjilan futen në karantinë

Gjilani

Dy fshatrat në Gjilan futen në karantinë

Më: 22 mars 2020 Në ora: 11:03
Gjilan

Komuna e Gjilanit ka shënuar dy rastet e para pozitive me virusin COVID-19, duke e çuar në 31 numrin e rasteve në Kosovë deri më tani.

Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli ka thënë se dy fshatrat Zhegër dhe Vrapçiq do të futen në karantinë nga sot por jo edhe qyteti i Gjilanit.

Dje janë marrë 66 mostra nga Gjilani për t’u testuar me koronavirus, dhe dy nga to rezultuan pozitiv.

Dy rastet janë nga fshatrat Zhegër dhe Vrapçiq të kësaj komune dhe nuk kanë histori të përbashkët.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli ka thënë se për momentin në karantinë janë të dy fshatrat Zhegër dhe Vrapçiq por jo edhe komuna e Gjilanit.

“Fshati Zhegër dhe Vrapçiq janë futur në karantinë, por jo edhe qyteti i Gjilanit për arsye se ende ka nevojë për furnizime”, ka thënë Ismajli.

Ai ka thënë se nga fshati Zhegër është një I ri rreth 20 vjeçar i cili nuk ka pasur simptoma.

“Rasti pozitiv nga fshati Zhegër është rreth 20 vjeçar I cili është testuar dhe ka rezultuar pozitiv por që nuk ka pasur simptome. Familja janë tashmë në vetizolim”, ka thënë Ismajli.

Rasti tjetër nga fshati Vrapçiq është femër e cila ka ardhur nga Gjermania para dy jave por që e njëjta nuk ka treguar që ka ardhur nga ky shtet.

“Tjetri rast është një femër e ardhur prej gjermanise para dy jave, por e cila s’ka treguar që ka ardhur prej këtij shteti. Ajo është e martuar në Ferizaj dhe ka pasur kontakt me familjen në fshatin Vrapçiq”, ka thënë Ismajli.

Deri tash në Kosovë janë prekur 31 persona me koronavirus. Së pari është lajmëruar në Klinë e Viti. Pastaj Malishevë, Podujevë, Gjakovë, Prishtinë, Lipjan dhe së fundi në Gjilan.

Nga data 08.02.2020 deri me 21.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 567 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej tridhjetë e një (31) raste kanë rezultuar pozitive.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për t’i bërë ballë virusit që është përhapur në shumicën e vendeve të botës. E ka shpallur edhe “Gjendjen e emergjencës së shëndetit Publik”, ku shtetit i lejohet të përdor secilin resurs publik e privat për ta mposhtur virusin.

IKSHP’ja edhe një herë ka bërë thirrje për të qëndruar në shtëpi.

Edhe mikrobiologu Lul Raka ka kërkuar nga qytetarët që të jenë shumë të disiplinuar, pasi tani por sipas tij po futemi në dy javët vendimtare për jetë e më të dashurve tanë.

“Të dashur qytetarë të Kosovës. Po futemi në dy javët vendimtare për jetët e më të dashurve tanë. Pasi që nuk kemi as vaksinë e as ilaç kundër koronavirusit, arma e vetme na mbetet disiplina dhe kujdesi”, ka shkruar Raka në Twitter.

Ai ka kërkuar nga qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi. “Fatin e përballjes e keni në duart tuaja, ju lutem rrini në shtëpi”, ka shkruar Raka në rrjetin social.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat