​Pesë familje në Gjilan vendosen në vetziolim, mbyllet reparti i pediatrisë

Gjilani

​Pesë familje në Gjilan vendosen në vetziolim, mbyllet reparti i pediatrisë

Më: 11 maj 2020 Në ora: 00:03
Foto nga takimi

Shtimi i rasteve me koronavirus në Komunën e Gjilanit ka bërë që kryetari Lutfi Haziri të thërrasë për sonte mbledhjen e shtabit emergjent.

Me këtë rast është vendosur që pesë familje në Gjilan të vihen në vetziolim, pas shpërthimit të 9 rasteve të reja me COVID-19.

Po ashtu të gjithë punëtorët e pediatrisë në Spitalin rajonal të Gjilanit do të vetizolohen dhe reparti i pediatrisë do të mbyllet përkohësisht dhe nga tash e tutje shërbimet do të ofrohen përmes QKMF-ve.

IKSHPK ka konfirmuar se në 24 orët e fundit në Komunën e Gjilanit janë 9 raste të reja me COVID-19, prej tyre 8 në Gjilan dhe një rast në Livoç të Epërm, për të cilin kryetari Haziri tha se është banor i Gjilanit.

Ai tha se të gjitha rastet janë si pasojë e kontakteve familjare të një punëtoreje të Gjilanit, e cila punon në një klinikë private në Prishtinë.

“Nga 28 mostra të marra, nëntë prej tyre kanë rezultuar pozitivë si pasojë e natës së mbrëmshme kur një punëtore teknike që punon një spital privat në Prishtinë është infektuar dhe sot ka dalë se edhe familjarët e saj janë po ashtu të infektuar dhe sipas kontaktit më vonë është shpërndarë edhe te tre punëtorë të tjerë të pediatrisë, pasi që një anëtar i kësaj familjeje është punëtore e spitalit rajonal të Gjilanit”, ka thënë Haziri.

Ai tha se për pesë familjet e prekura me koronavirus do të vihen masa e vetizolimit deri në vendimin e ardhshëm që do të merret nga Ministria e Shëndetësisë.

Komiteti për menaxhimin e pandemisë dhe emergjencat civile tha se ka nën kontroll situatën e krijuar me koronavirus dhe se do të ndihmojë brenda kapaciteteve ekzistuese familjet e prekura me pako ushqimore dhe higjienike.

Po ashtu u kërkua nga qytetarët që të mos bëjnë panik dhe të vazhdojnë me respektimin e rekomandimeve të institucioneve shëndetësore për parandalimin e përhapjes së COVID-19, si dhe të mos dalin në qytet pa nevojë, përndryshe do të ketë gjoba mandatore.

Ndryshe, në Gjilan janë gjithsej 12 raste aktive me koronavirus. Deri më tash në këtë komunë janë konfirmuar 58 raste, prej tyre një me përfundim fatal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat