Ajeti për 132 mijë e 500 euro fajde kërkoi 172.250 - Bota Sot
Ajeti për 132 mijë e 500 euro fajde kërkoi 172.250

Gjilani

Ajeti për 132 mijë e 500 euro fajde kërkoi 172.250

Më: 16 maj 2020 Në ora: 16:42
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit Abaz Ajeti.

Ekziston dyshimi i bazuar se pandehuri ka dhënë para me fajde në vlerë prej 132.500,00 €uro, për ti kërkuar pastaj me kamatë prej 30% nga viktima Ekrem I.. Në rrethanat e kryerjes së veprës penale, cilësitë personale të pandehurit, mënyra e vrazhdë e kryerjes së veprës dhe presioni i lartë ndaj viktimës E. I., ka sjellë në gjendje të rëndë shpirtërore dhe psiqike.

Me këto veprime i pandehuri A. A., dyshohet të ketë kryer veprën penale fajdeja nga neni 331 paragrafi 3 lidhur me 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjilan, është realizuar bastisja në vendbanimin e të pandehurit, me ç‘rast janë konfiskuar si dëshmi para të gatshme 20.300,00 €uro dhe dokumente që ndërlidhen me çështjet inkriminuese.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për sigurimin e të pandehurit në këtë fazë të procedurës.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

Nga ana tjetër Policia e Kosovës, Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike (DHKEK), si rezultat i hetimeve disa mujore ka arritur të sigurojë prova materiale dhe dëshmi relevante se personi i dyshuar A.A. (1976) është përfshirë në veprën penale “Fajdeja”.

Personi i dyshuar, tanimë i arrestuar dyshohet se viktimës i kishte dhënë para me fajde, në vlerë prej 132,500.00 €uro, për ti kërkuar pastaj kamatë prej 30% apo 172.250 €uro, gjithsej 39,750 Euro si fitim jo-proporcional, gjë të cilën dyshohet se e ka realizuar viktima në etapa të ndryshme kohore gjatë një periudhe dy vjeçare.

Me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjilan, sot me datën 15.05.2020 është realizuar bastisja/kontrolli në vendbanimin e të dyshuarit (tri banesa), me ç ‘rast janë konfiskuar si dëshmi 20,300.00 €uro (36x500 Euro, 5x200 Euro dhe 13x100 Euro), para të gatshme dhe prova materiale/dokumente që ndërlidhen me çështjet inkriminuese të raportit, i dyshuar-viktimë.

Personi i dyshuar është intervistuar në prezencë të avokatit të tij mbrojtës i caktuar sipas detyrës zyrtare dhe pas përfundimit të intervistës me Aktvendim të prokurorit të lëndës është ndaluar në Qendrën e ndalimit në afat prej 48 orësh.

Në lidhje me çështjen penale do të zhvillohen edhe procedura tjera hetimore në adresë të të dyshuarve tjerë të mundshëm të implikuar në këtë rast.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat