Koronavirusi izolon një familje në Gjilan, ankohen se tash s’kanë para për ushqime dhe barna - Bota Sot
Koronavirusi izolon një familje në Gjilan, ankohen se tash s’kanë para për ushqime dhe barna

Gjilani

Koronavirusi izolon një familje në Gjilan, ankohen se tash s’kanë para për ushqime dhe barna

Më: 27 maj 2020 Në ora: 00:34
Pamje nga vendi i ngjarjes

Shtatë anëtarët e familjes Leka nga Livoçi i Epërm i Gjilanit rezultuan pozitivë me koronavirus më 24 prill.

Derisa gjashtë anëtarët e kësaj familje janë shëruar dhe vetëm njëri nga ta është rast aktiv, kjo familje vazhdon të jetë në vetizolim për çka edhe po ankohet lidhur me furnizimin me gjëra ushqimore dhe barna.

Kryefamiljari Behlul Leka ka treguar për problemet që janë duke u përballur.

“Brenga jonë është që nga data 24 prill deri më 11 maj na ka ndihmuar Komuna e Gjilanit. Prej kësaj date komuna nuk ka ndihmuar më me arsyetimin se janë bërë shumë familje në Gjilan që janë në vetizolim dhe nuk mund t’i ndihmojnë të gjitha. Fati i mirë është që na kanë ndihmuar fqinjët, familja dhe shoqëria – më shumë na kanë ndihmuar fqinjët se komuna”.

Ai ka treguar nëse është plotësuar lista që e kanë dërguar në komunë për furnizimin me gjëra ushqimore dhe barna të nevojshme.

“Të gjitha jo, por shumicën po – ujë, barna dhe gjëra elementare të tjera ushqimore”.

Leka është ankuar se tani ndonëse një anëtar i familjes që është i shëruar mund të dalë dhe të furnizohet me ushqime ose barna esenciale një gjë të tillë e kanë të pamundur për shkak të gjendjes financiare, pasi tre anëtarët që kanë punuar tani janë pa të ardhura.

“Tre anëtarë të familjes janë me terapi: nëna, bashkëshortja dhe djali. Ne jemi të papunë, pasi jemi në karantinë që na ruan policia 24 orë. Komuna na ka lëshuar një leje për një nga anëtarët që është negativ që të mund të dalim për furnizim, por ku të marrim para? Tre anëtarë të familjes – unë, babai dhe vëllai – kemi qenë duke punuar dhe tash jemi papunë. Na janë ndërprerë të hyrat nga komuna”.

Ai ka treguar edhe për simptomat e koronavirusit dhe si e kanë përballuar.

“E kemi kaluar shumë lehtë. Simptomat kanë qenë kollë dhe temperaturë. Në spital kemi qenë gjashtë anëtarë të familjes, por më pas kemi ardhë për trajtim në shtëpi”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat