Haziri: Kemi aktivizuar të gjitha shërbimet e parapara me pakon e tretë të lehtësimit të masave

Gjilani

Haziri: Kemi aktivizuar të gjitha shërbimet e parapara me pakon e tretë të lehtësimit të masave

Më: 1 qershor 2020 Në ora: 15:39
Lutfi Haziri

I pari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se kjo komunë ka aktivizuar të gjitha shërbimet për lehtësimin e masave.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri në konferencën për media, ka njoftuar se si Komunë ka aktivizuar të gjitha shërbimet që janë të parapara me pakon e tretë të lehtësirave në përballjen me pandeminë globale COVID-19.

“Gjatë gjithë aktivitetit që institucionet komunale kanë ndërmarrë në këtë periudhë të përballjes me pandeminë COVID-19 së bashku edhe me institucionet në nivelin regjional, kanë qenë në shërbim të sigurisë dhe ruajtjes së shëndetit publik të qytetarëve. Ditëve të fundit të muajit maj është bërë dezinfektimi i objekteve fetare. Jemi duke punuar që çerdhet e Gjilanit të normalizohen deri me datën 3 qershor. Kjo për arsye që vendimi dhe rekomandimi për masat mbrojtëse kanë ardhur shumë vonë”, ka thënë Haziri.

Ai ka thënë se deri të mërkurën do të jetë gjithçka gati, që fëmijët në çerdhe dhe nxënësit në klasat e nënta të jenë të sigurt dhe të mbrojtur në institucionet arsimore, duke përfshirë kështu edhe përgatitjet që Drejtoria e Arsimit duhet t’i bëjë edhe për testin e arritshmërisë dhe atë të maturës.

Haziri ka njoftuar, po ashtu, se rastet e të prekurve me COVID-19 janë duke shkuar drejt shërimit të plotë dhe, sipas tij, këtë do ta kuptojmë pas testimit që është planifikuar të bëhet gjatë kësaj jave, me shpresën që rezultatet do të dalin negative.

Ai ka apeluar që të vazhdohet me masa mbrojtëse, sepse siç ka potencuar, “jemi në rrugën për imunizim kolektiv dhe mbrojtja, kujdesi dhe distancimi social, e cila është rruga më e mirë në përballje me pandeminë globale”.

Haziri ka konfirmuar se Komuna e Gjilanit ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë afër qytetarëve të saj që shqetësimin me shëndetin publik ta kalojmë së bashku. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat