Punëtori i morgut të Gjilanit me pretendim tronditës: Thirri dikush në dhomën e kufomave - Bota Sot
Punëtori i morgut të Gjilanit me pretendim tronditës: Thirri dikush në dhomën e kufomave

Gjilani

Punëtori i morgut të Gjilanit me pretendim tronditës: Thirri dikush në dhomën e kufomave

Më: 24 qershor 2020 Në ora: 09:38
Ymer Ibishi

Rrëfimet nga morgu i spitalit janë jashtëzakonisht interesante, ndonjëherë edhe të frikshme. Nuk flitet njësoj, si për vdekjen, ashtu edhe për jetën, edhe pse të dyja këto rrinë pranë njëra-tjetrës.

Ymer Ibishi, zyrtar në spitalin e Gjilanit, pjesën më të madhe të kohës së tij e kalon në shtëpinë ku nuk frymon njeri tjetër pos tij, brenda atyre mureve që njihen si shtëpia e të vdekurve. Ai nuk ndjehet keq mes të vdekurve. “Është obligim moral që i gjalli të përkujdeset për të vdekurit”, thotë Ymeri.

Banorë të kësaj shtëpie kanë qenë persona të moshës prej 5 ditësh e deri në 93 vjeç, nga të gjitha nacionalitetet dhe besimet fetare. Qëndrimi më i gjatë në morg ka qenë tri net. Në raste të tilla, zakonisht pritet ardhja e familjarëve nga bota e jashtme, sidomos kur ata janë larg, si në Australi, SHBA e gjetiu.

Në botë njihen raste të rikthimit në jetë të personave të “vdekur”. Ibishi nuk ka pasur ndonjë përvojë të tillë, por ka pasur momente tjera interesante. Atij i ka ndodhur që të dëgjojë zilen e telefonit në dhomën e të vdekurve.

Për një moment, nuk e ka kuptuar se çka po ndodh dhe si është e mundur që nga “komora” të vije zilja e telefonit. Kur është afruar te personi i vdekur, ka kuptuar se telefoni po binte në trupin e të vdekurit.

“Nuk e mora telefonin për ta hapur, sepse nuk doja t`i lajmërohesha dikujt të panjohur nga morgu i spitalit. Ndoshta ai që telefononte ende nuk e kishte marrë lajmin e hidhur”.

Si besimtar i madh, ai mundohet t`ua lehtësojë dhembjen familjarëve, kur vijnë për të marrë trupin e pa jetë.

Atij, gjatë kohës që punon në morg, i ka ndodhur edhe një befasi e madhe. “Me duart e mia ia kam hapur dyert e morgut një personi të gjallë”, rrëfen Ibishi, ndërkohë që nis dhe e tregon rastin.

“Unë dola jashtë për të pastruar pak ambientin përreth objektit dhe pas një kohe u ktheva dhe e mbylla derën, për të dalë deri në qytet, që t`i kryeja disa punë. Kur u ktheva pas një kohe, pashë se dorëza e derës së morgut, po lëvizte nga brenda. U habita. Askënd nuk e kisha lënë brenda kur dola. Nuk kishte as kufoma në morg atë ditë. Mendova se diçka po ndodh”.

Ymeri e vazhdon tutje rrëfimin. “Kur e hapa derën pashë një plak që po përpiqej të dilte. Më vonë, ai më tregoi se ishte futur brenda për nevoja të tij, pasi e kishte parë derën të hapur, duke mos e ditur se çka ishte ky objekt. Kur i tregova se kishte hyrë në morg, aty ku rrinë të vdekurit, ai desh u çmend”.

Në një rast tjetër, një vajzë të re, rreth 20-vjeçe, kishte ardhur për ta parë trupin e babait të saj, që sapo kishte vdekur nga infarkti.

Ymeri kishte dyshime nëse duhej ta lejonte ta shihte, pa qenë ndonjë person më i vjetër me të, por ajo e kishte bindur se do të tregohej e fortë. Ashtu edhe ndodhi.

“Qava unë përpara asaj vajze të re që erdhi të piqej me babanë e saj dhe u tregua aq e fortë përballë dhimbjes dhe vdekjes”, thotë Ymer Ibishi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat