Nis fushatën e korrje – shirjeve në Gjilan, 61 autokombajna për korrjen e 3 mijë hektarëve me drithëra të bardha - Bota Sot
Nis fushatën e korrje – shirjeve në Gjilan, 61 autokombajna për korrjen e 3 mijë hektarëve me drithëra të bardha

Gjilani

Nis fushatën e korrje – shirjeve në Gjilan, 61 autokombajna për korrjen e 3 mijë hektarëve me drithëra të bardha

Më: 13 korrik 2020 Në ora: 16:09
Foto Ilustrim

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë sot hapjen zyrtare të fushatës së korrje-shirjeve të grurit.

“Gurbeti dhe punimi i tokës na ka mbajtur si shoqëri. Sot jemi në ditët më të mira dhe më të bardha, ku bereqeti dhe puna në tokën tonë është një gëzim me rendimentët që po shohim”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai ka konfirmuar se kërkesën e bujqve do ta adresojë në nivelet më të larta institucionale që të vlerësohet puna e cila është garancë e zhvillimit ekonomik.

Ramiz Ramadani, drejtor i Bujqësisë dhe Pylltarisë në Gjilan, ka bërë të ditur se Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me autokombajnerët, bujqit dhe me Komisionin komunal, kanë bërë të gjitha përgatitjet dhe vlerësimet që të filloj fushata e korrje – shirjeve.

“Në arat e Gjilanit janë 61 auto-kombajna të cilët do të korrin 3 mijë hektarë me drithëra të bardha. Prej tyre 2800 hektarë janë me grurë, mbi 80 hektarë me elb dhe pjesa tjetër tërshërë. Fal farës cilësore që është mbjellë nga fermerët dhe kushteve të volitshme klimatike gjatë vegjetacionit, presim rendimente jashtëzakonisht të mira në këtë vit”, ka thënë drejtori, Ramadani.

Ferat Vokshi, fermer nga fshati Velekincë, ka falënderuar kryetarin Haziri dhe Komunën e Gjilanit për angazhimin në mbështetje të bujqve dhe ka apeluar që të gjithë të punojnë maksimalisht tokën bujqësore.

Apelohet nga komisioni dhe drejtoria e Bujqësisë që pas korrjes së grurit të bëhet lavrimi i cekët, në mënyrë që të shmangen zjarret, sepse dëmet mund të jenë të mëdha dhe me rrezik të përgjithshëm.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat