Spitali i Gjilanit: Po trajtohen 71 pacientë për COVID-19, kemi 6 respiratorë - Bota Sot
Spitali i Gjilanit: Po trajtohen 71 pacientë për COVID-19, kemi 6 respiratorë

Gjilani

Spitali i Gjilanit: Po trajtohen 71 pacientë për COVID-19, kemi 6 respiratorë

Më: 3 gusht 2020 Në ora: 07:10
Foto ilustrim

71 pacientë për koronavirus janë duke u trajtuar në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, por ky spital ka vetëm 6 respiratorë.

Drejtori Klinik i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Ukshin Ismajli ka thënë se përveç respiratorëve kanë nevojë edhe për staf shëndetësor, pasi sipas tij ka mungesë dhe kanë vështirësi në trajtimin e pacientëve.

“Neve për momentin i kemi 6 respiratorë të cilat janë funksional me të cilët po mundohemi ta menaxhojmë situatën që e kemi. Në kemi nevojë për respiratorë, po ashtu edhe për kuadro. Po mundohemi të ja dalim, por e kemi goxha të vështirë”, ka thënë drejtori i Spitalit të Gjilanit.

Ismajli tutje ka shtuar se gjendja e përgjithshme e pacientëve është e mirë, përveç 5 pacientëve të cilat janë në ventilim.

“Në Spitalin Regjional të Gjilanit jemi mobilizuar sipas rregullave dhe preferencave të Institutit të Shëndetit Publik dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Për momentin sot ne i kemi të shtrirë 71 pacientë në njësitet relevante të cilat përkujdesen për pacientët e dyshuar dhe pacientët me COVID-19 pozitivë dhe në mjekimin intensiv, ku për momentin i kemi 5 pacientë në ventilim. Gjendja e tyre e përgjithshme e shumicës është stabile me përjashtim të disave në reparte që e kanë situatën më të rënduar”, ka thënë Ismajli.

Ai ka njoftuar se në Komunën e Gjilanit deri më tani kanë vdekur 17 persona nga koronavurusi.

“Që nga fillimi i pandemisë në Komunën e Gjilanit i kemi 17 pacientë të konfirmuar që kanë vdekur nga koronaviurusi”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat