Gjykata e Apelit ia ashpërson dënimin të akuzuarit për dhunimin e një gruaje në Gjilan

Gjilani

Gjykata e Apelit ia ashpërson dënimin të akuzuarit për dhunimin e një gruaje në Gjilan

Më: 6 nëntor 2021 Në ora: 16:52
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Gjilan ka shqiptuar dënim me 1 vit burgim me kusht ndaj të pandehurit Q.A, i cili nga prokuroria akuzohej se në grup me dy të miturit e tjerë N.N dhe R.R, më 2010 kishin dhunuar seksualisht të dëmtuarën L.L. Ndërsa, Gjykata e Apelit këtë vendim e ka konsderuar të padrejtë, andaj të pandehurit Q.A ia ka rritur dënimin me 1 vit burgim efektiv, ndërsa dy të miturve ua ka vërtetuar dënimin e gjykatës së shkallës së parë.

Për këtë vepër penale, sipas Kodit të Përkohshëm Penal, parashihej dënimi prej 5 deri në 15 vite burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pandehuri Q.A, për veprën penale të “Dhunimit”, nga Gjykata Themelore në Gjilan ishte dënuar me 1 vit burgim me kusht, i cili nuk do t’i ekzekutohej nëse brenda afatit prej 2 viteve nuk do të kryente vepër penale. Të miturit N.N dhe R.R, për veprën penale të “Dhunimit” janë gjykuar me nga 300 euro gjobë.

Kurse, i pandehuri A.B akuzohej për se kishte sulmuar seksualisht të dëmtuarën dhe ndaj tij ishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 500 euro.

Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton se të pandehurit dhe të miturit në shqyrtimin kryesor të mbajtur në nëntor të vitit 2018, kishin pranuar fajësinë për veprat penale, për të cilat akuzoheshin.

Gjatë arsyetimit të shqiptimit të dënimit me kusht, Gjykata e shkallës së parë kishte gjetur vetëm rrethana lehtësuese.

“Në shqiptimin e dënimit me kusht ndaj të akuzuarit Q.A, trupi gjykues për të mitur i ka pas parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese, pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, sjelljen e tij korrekte në gjykatë, për herë të parë ka rënë në ndesh me ligjin, nga kryerja e veprës kanë kaluar më shumë se 8 vite, i akuzuari i ka kërkuar falje të dëmtuarës”, thuhet në arsyetimin e gjykatës

Këto rrethana lehtëseuse, gjykata i kishte gjetur edhe ndaj të pandehurit A.B dhe të miturve N.N dhe R.R dhe ka argumentuar se dënimet e tilla ishin të drejta dhe në harmoni me peshën e veprave penale të kryera.

Kundër këtij aktgjykimi të marrë nga trupi gjykues për të mitur, i kryesuar nga gjykatësi Sahir Boroci, ankesë kishte parashtruar vetëm Prokuroria e Gjilanit, ku kjo e fundit kishte kërkuar që të pandehurit të dënohen me burgim prej 4 viteve.

“Gjykata e shkallës së parë ndaj të akuzuarve nuk ka shqiptuar dënimin e merituar sipas ligjit, duke e zbutur të njëjtin dënim deri në atë masë, i cili bie në kundërshtim me rregullat e përgjithshme të matjen dhe caktimin e drejtë të dënimit”, thuhej në ankesën e Prokurorisë.

Për më tëpër, prokuroria kishte argumentuar se gjykata kishte vlerësuar vetëm rrethanat lehtësuese, ndërsa nuk kishte marrë për bazë rrethanat rënduese që ekzistonin tek veprimet e të pandehurit.

Gjykata e Apelit, në vitin prill të vitit 2019, kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë vetëm sa i përket të pandehurit Q.A, dhe ndaj tij kishte rritur dënimin me 1 vit burgim efektiv.

Apeli ka arysetuar se rrethanat lehtësuese ishin mbivlerësuar dhe në asnjë rrethanë nuk arsyetohej shqiptimi i dënimit me kusht ndaj të akuzuarit Q.A.

“Gjykata e Apelit vlerëson se me dënimin me kusht që ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë ndaj të akuzuarit Q.A, nuk mund të arrihet qëllimi i dënimit”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Kurse ndaj të akuzuarit për sulm seksual A.B, Gjykata e Apelit kishte bërë rikualifikimin e veprës penale në Kodin Penal të Kosovës, pasi kishte konstatuar se inkriminimi i kësaj vepre me Kodin Penal të vitit 2013, ishte më i favorshëm për të pandehurin.

Pasi ishte bërë rikualifikimi i veprës penale, Apeli kishte konstatuar se ndaj të pandehurit A.B, kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale. Ndërsa, dënimin ndaj të miturve N.N dhe R.R e ka vërtetuar.

“Gjykata e Apelit është e bindur se me këto dënime do të arrihet qëllimi i dënimit i parashikuar në nenin 41 të KPRK-së”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ish-Prokurorisë Publike të Qarkut në Gjilan, i pandehuri Q.A, ngarkohet se në muajin maj të vitit 2010, me datë dhe kohë të parcaktuar, rreth orës 23:00, në një shtëpi të pabanuar, së bashku me madhorin Sh.A dhe të miturit N.N dhe R.R, e kanë dhunuar seksualisht të dëmtuarën L.L.

Sipas aktakuzës, nën kanosje dhe me anë të goditjeve fizike nga i pandehuri Sh.A, e ka detyruar të dëmtuarën L.L të kryejë marrëdhënie me të pandehurin Q.A dhe të miturit.

Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Dhunimi”, nga neni 193, par.3 lidhur me nenpar.5 të Kodit Penal, për të cilën parashihet  dënimi prej 5 deri 15 vite burgim.

Ndërsa, pandehuri A.B akuzohet se në qershor të 2010-ës e kishte sulmuar seksualisht të dëmtuarën, ku kjo e fundit pasi ishte detyruar nga i pandehuri Sh.A, të shkonte me të pandehurin A.B, ky i fundit kishte tentuar t’ia heq rrobat, mirëpo e dëmtuara kishte kundërshtuar.

Me këtë, ekziston dyshimi  bazuar se ka kryer veprën penale të “Sulmit seksual”, nga neni 195, par.1 të KPP-së.

Ndryshe, ndaj të pandehurit Sh.A, trupi gjykues ka bërë veçimin e procedurës penale, me arsyetimin se i njëjti gjendet jashtë shtetit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat