Gjilani përmbyll programin 5 – vjeçar me USAID-in me vlerësim të lartë të gradimit

Gjilani

Gjilani përmbyll programin 5 – vjeçar me USAID-in me vlerësim të lartë të gradimit

Më: 24 nëntor 2021 Në ora: 18:57
Lutfi Haziri

Komuna e Gjilanit ka përmbyllur programin 5 – vjeçar të partneritetit me USAID TEAM, me vlerësim prej 75 pikësh për këtë vit, në kuadër të programit Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (USAID TEAM).

Përfaqësuesit e USAID TEAM kanë vlerësuar lartë përparimin e Gjilanit në këtë aspekt, pasi në vitin 2017 ishte vlerësuar me 44 pikë.

Ata theksuan se Gjilani është komuna që ka përparuar më së shumti në procesin e gradimit, derisa kanë uruar që kjo performancë të vazhdojë është në qeverisjen e re.

Kryetari në detyrë i Komunës, Lutfi Haziri, ka falënderuar përfaqësuesit e USAID TEAM për mbështetjen e jashtëzakonshme për Gjilanin, në fushën e prokurimit, financave, auditimit, personelit e zyrën e informimit, në ngritjen e kapaciteteve dhe mbështetjen e madhe me anë të pajisjeve.

“Falë mbështetjes së USAID TEAM, Gjilani është vlerësuar me 75 pikë dhe i falënderoj shumë për vlerësimin e lartë. Me këtë rast e falënderoj USAID-in pasi për 21 vite ka qenë partner dhe mik i madh i Gjilanit, duke na ndihmuar në shumë fusha”, ka thënë Haziri.

Haziri bëri të ditur se lajmi i mirë është që Gjilani ka fituar grant prej 296 mijë euro nga ana e organizatës gjermane GIZ për performancën në mjedis, derisa bëri të ditur se nga fondi i MCC të qeverisë amerikane, sot janë konfirmuar edhe 30 grante për gratë.

“Po ashtu, lajmi i mirë është që partnerët e mëdhenj të Komunës sonë, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka për Investime Europiane dhe Fondi i Ballkanit perëndimor, Gjilanin e kanë vendosur në kuadër të tetë komunave për të realizuar studimin e fizibilitetit për ngrohjen e qytetit dhe ky konfirmim neve na gëzon për të ardhmen e qytetit tonë”, ka shtuar kryetari Haziri.

Ai bëri të ditur se në muajin nëntor Komuna e Gjilanit ka tejkaluar të hyrat komunale për 114 për qind të inkasimit, ndërkaq në tatimin në pronë e ka tejkaluar në 120 për qind të grumbullimit.

Kryetari Haziri tha se gjendja pandemike është në menaxhim të plotë, ku vetëm 6 raste janë në vet-izolim, derisa konfirmoi se 56 për qind e qytetarëve janë vaksinuar me vaksinën e dytë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat