UP-ja dhe Komuna e Gjilanit nisin bashkëpunimin ndërinstitucional

Gjilani

UP-ja dhe Komuna e Gjilanit nisin bashkëpunimin ndërinstitucional

Më: 3 shkurt 2022 Në ora: 15:39
Pamje nga takimi

Në rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, u nënshkrua sot marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet UP-së dhe Komunës së Gjilanit.

Marrëveshja u nënshkrua nga prijësit e të dyja institucioneve, rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni.

Në deklaratën e tij, rektori Sahiti tha që marrëveshja e nënshkruar sot paraqet marrëveshjen e parë ndërinstitucionale të UP-së të lidhur me komuna. Rektori foli për rëndësinë që kjo marrëveshje ka në avancimin tutje të misionit të tretë të universitetit – atë të shërbimit për komunitetin.

“Universiteti i Prishtinës, përpos misionit bazik, për mësimdhënie dhe mësimnxënie, si dhe kërkim shkencor, punon edhe në avancimin tutje të veprimtarisë shërbyese ndaj komunitetit. Komunat paraqesin adresën adekuate për të vënë stafin dhe kapacitetet tona në funksion të shoqërisë,” tha rektori, i cili u shpreh entuziast për nisjen e këtij bashkëpunimi.

I lumtur për bashkëpunimin me UP-në u shpreh edhe kryetari Hyseni. Ai theksoi që është nder dhe kënaqësi e veçantë që, si i pari i Komunës së Gjilanit, të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me UP-në.

“Është i paimagjinueshëm niveli i zgjidhjeve që mund të ofrojë angazhimi i kapacitetit njerëzor nga UP-ja në komunën tonë. Bashkëpunimi i UP-së me komuna nuk ka qenë praktikë deri më tani, por mendoj që është një iniciativë e nisur nga ne dhe që duhet të ndiqet në vazhdimësi edhe nga të tjerët,” theksoi Hyseni.

Marrëveshja e nënshkruar ka për synim përcaktimin e kornizës së bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, përfshirë këtu: bashkëpunimin në hartimin dhe zbatimin e projekteve; organizimin dhe realizimin e forumeve profesionale në fushat relevante; realizimin e këshillimeve profesionale reciproke; ofrimin e mundësive për realizimin e praktikës profesionale për studentët; harmonizimin e përmbajtjeve mësimore me nevojat e tregut të punës; si dhe funksionalizimin e institucioneve të përbashkëta profesionale dhe shkencore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat