Sadiku: Pjesëmarrja dhe përfshirja e grave në vendimmarrje është e rëndësishme sa edhe vetë liria

Gjilani

Sadiku: Pjesëmarrja dhe përfshirja e grave në vendimmarrje është e rëndësishme sa edhe vetë liria

Më: 8 mars 2022 Në ora: 16:04
Arianit Sadiku

Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur sot seancë të veçantë për nder të 8 Marsit – ditës ndërkombëtare të Gruas, me ç`rast kryesuesi Arianit Sadiku folur për rolin dhe kontributin sublim të grave përgjatë gjithë historisë sonë.

‘Secila nga ju, në mënyra të ndryshme e keni shkruar historinë. Keni përfaqësuar dhe po vazhdoni t’i mjeshtëroni të gjitha llojet e ideve, vizioneve, punëve e sfidave të shumta, me forcë dhe realizim të shkëlqyeshëm shoqëror e shtetëror”, ka thënë Sadiku.

Duke folur për rolin e grave sot, Sadiku ka thënë se ato janë në ballë të ndryshimit dhe mospranimit të dogmave, si përpjekje për drejtësi, për thyerje të barrierave në luftë kundër dhunës në baza gjinore e kundër dhunës ne familje.

‘Këto përpjekje janë të mangëta nëse në to nuk përfshihet secili anëtar i shoqërisë, secili djalë e burrë, sepse përpjekja për barazi dhe për familje e shoqëri pa dhunë, është detyrë e secilit prej nesh’, ka thënë ai.

Sadiku ka folur edhe mirëqenien dhe pozitën e gruas në shoqëri, duke nënvizuar se në Kosovë është arritur një zhvillim i kënaqshëm sa i përket pozitës se grave në vendimmarrje.

‘Sot udhëhiqemi nga një grua presidente, dy zëvendëskryeministre e pesë ministre. Në nivel komunal janë pesë gra të cilat shkëlqyeshëm po drejtojnë dikastere të rëndësishme në ekzekutiv, kurse në Kuvend janë dhe 11 asambliste.

Përkundër këtyre fakteve, jemi të vetëdijshëm se demokracia është shumë më shumë se kaq dhe ka të bëjë me përpjekjen e përditshme kundër disa normave sociale të cilat mund t’i pengojnë gratë që t’i gëzojnë plotësisht të drejtat e garantuara me kushtetutë dhe ligje.

Tani ka ardhur koha që mentaliteti të ndryshojë. Ka ardhur koha që gratë ta kenë vendin e meritueshëm në shoqëri. Ka ardhur koha që ditët e datat të mos mbesin veç simbolike dhe shënim i thjeshtë, sepse barazia gjinore, përveç obligim ligjor, është edhe vlerë kombëtare.

‘Pjesëmarrja dhe përfshirja e grave është e rëndësishme sa edhe vetë liria’, ka thënë ndër të tjera kryesuesi i Kuvendit, Arianit Sadiku.

Ndërkaq, nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina Bunjaku, një fjalën e saj të rastit, duke i përshëndetur gratë në emër të kryetarit të Komunës, Alban Hyseni, ka thënë se për shekuj me radhë, burrat kanë pasur më shumë privilegje në çdo aspekt të jetës në shoqëri, por tani në shekullin 21 bota po shkon drejt ekuilibrit gjinor.

Ky ndryshim është i domosdoshëm dhe kërkohet në mbarë botën, sepse të gjithë jemi njerëz dhe meritojmë respekt dhe mundësi të barabarta. Progresi i grave është përparim për të gjithë ne si shoqëri.

T`u japësh përparësi grave, nuk është një opsion, është një domosdoshmëri’, ka thënë ajo, duke i këshilluar gratë që të jenë ambicioze, jo vetëm imituese.

“Mos u mundoni të imitoni një mashkull, por jini më ambicioze, jini këmbëngulëse dhe besoni në vetvete’, ka thënë ndër të tjera Morina Bunjaku.

Mesazhet e tyre për këtë ditë i kanë përcjellë edhe Lindita Salihu, zyrtare për barazi gjinore si dhe anëtaret e Kuvendit, Krenare Latifi Kqiku, Gresa Avdiu, Ardhmërie Musliu, Erestina Isufi e Ardita Ukshini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat