Kryetar i Komunës së Gjilanit: Sivjet do t`i ndajmë 300 bursa për studentë

Gjilani

Kryetar i Komunës së Gjilanit: Sivjet do t`i ndajmë 300 bursa për studentë

Më: 31 mars 2022 Në ora: 18:26
Alban Hyseni

Kuvendarët e Gjilanit, në seancën e sotme, e cila u mbajt nën drejtimin e Arianit Sadikut, kryesues i Kuvendit Komunal, kanë shqyrtuar Raportin financiar janar-dhjetor 2021, i cili është përcjellë me një debat mospajtues pozitë-opozitë sa u përket borxheve të trashëguara, të cilat sipas drejtorit të Buxhetit, Riad Rashiti, arrijnë në 26 milionë euro.

Ndërkaq, Avdyl Aliu (LDK) tha se borxhi real është diçka mbi 11 milionë dhe jo aq sa thuhet në raport.

Në lidhje me borxhet, kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka thënë se Komuna e Gjilanit, në të vërtetë është në minus për 35 milionë euro, nëse llogaritet edhe borxhi që të tjerët i kanë Komunës.

Ndërkaq, duke dhënë përgjigje në interesimet e ngritura prej këshilltarëve komunalë, kryetari Hyseni ka thënë se e është e vërtetë që nuk ka pasur projekt detaj për stadiumin e qytetit, pasi është ndryshuar kategoria, prandaj nuk po mund të vazhdojnë punimet pa u kthyer përgjigja nga organi shqyrtues në lidhje me ligjshmërinë e kontratës.

Sa u përket bursave për studentë, ai dha një lajm të mirë, duke thënë se sivjet do të ndahen 300 bursa, meqë shuma e planifikuar më herët prej 90 mijë euro, është rritur edhe për 60 mijë euro të tjera dhe kështu janë krijuar mundësi për të rritur numrin e përfituesve.

Sa i përket shënimit të përvjetorit të Betejë së Zhegocit, më 15 prill, kryetari Hyseni ka siguruar se manifestimi do të mbahet dhe se për këtë qëllim ka kontaktuar me shoqatat e luftës në lidhje me organizimin.

Në përgjigje të pyetjes për një deponi ilegale, e cila u ngrit si shqetësim në Kuvend, ai ka thënë se në të vërtetë ka disa deponi të tilla, duke sqaruar se Komuna ka ndërmarrë një fushatë vetëdijesimi në raport me ambientin, ku përfshihet shpërndarja e kontejnerëve, eliminimi i deponive të egra dhe monitorimi i gjendjes.

Kurse sa i përket zonës ekonomike, kryetari Hyseni tha se është bërë një marrëveshje me universitetin dhe pritet të fillohet me studimin e fizibilitetit, ndërkohë që në lidhje me pyetjen për kontrollet shëndetësore në shkolla, ai tha se kjo do të fillojë nga shtatori.

Kryetari Hyseni e ka sqaruar para kuvendarëve edhe çështjen e ndërprerjes së procedurës në rastin e thirrjes publike për ndarjen e subvencione në kulturë, rini dhe sport, për shkak se është konstatuar një lidhje e afërt, ose një konflikt interesi ndërmjet një anëtari të komisionit dhe disa përfituesve.

Procedura është ndërprerë dhe do të përsëritet nga fillimi, ka thënë ai.

Opozita (LDK, AAK) ka shprehur mospajtime lidhur me këtë thirrje publike, duke thënë se mundësinë për të ndodhur diçka e tillë e kishte paralajmëruar në seancën e kaluar.

Kuvendi ka miratuar edhe vendimin për rritjen e planifikimit të buxhetit nga tejkalimi i realizimit të të hyrave vetanake të vitit 2021 si dhe vendimin për bartjen e mjeteve financiare nga të hyrat vetanake të pashpenzuara nga vitet paraprake, në shumë totale prej mbi 1.774.000 euro, pas një arsyetimi që ka paraqitur drejtori për Buxhet, Riad Rashiti, i cili ka dhënë edhe sqarime tjera sipas interesimit të këshilltarëve.

Ndërkaq, sa i përket transferit të mjeteve nga kategoria ekonomike te rezerva në shpenzime kapitale, Rashiti ka thënë se bëhet fjalë për një shumë prej 760 mijë euro, të cilat do të barten te kodi buxhetor për shpronësime.

Po ashtu te klubi rotarian ‘Gjilani’, do të bartet shuma prej mbi 43 mijë, mjete këto të grumbulluara në Gala mbrëmjen “Pak nga ne, shumë për ata”.

Kuvendi i ka akorduar titullin “Qytetare Nderi” znj. Barbara Langmack. Në emër grupit të aktivistëve politikë të viteve 90-ta, që e ka iniciuar propozim, ka folur Ismajl Kurteshi, i cili ka thënë se zonja Langmack ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për qytetarët e Kosovës e në veçanti për Gjilanin, që nga viti 1992 e këndej.

Duke konstatuar se Kuvendi i Gjilanit, në mënyrë unanime e nderoi me titullin ‘Qytetare Nderi’ zonjën Langmack, kryesuesi i Kuvendit, Arianit Sadiku tha se presim që në një të ardhme të afërt, ajo të jetë mysafire e Kuvendit për t`ia dorëzuar solemnisht çmimin.

Po ashtu, në këtë seancë është miratuar Strategjia mbi përfshirjen sociale në Komunën e Gjilanit, të cilën, në emër të grupit punues, e prezantoi Anita Ademi, kryesuese e Komitetit për Personat me Aftësi të Kufizuar. Ajo ka thënë se strategjia ka për qëllim avancimin e shërbimeve për këtë kategori të shoqërisë.

Kuvendi ka rishikuar edhe vendimin për caktimin e anëtarëve në Komitetin për Politikë dhe Financa dhe Komitetin për Komunitete, sipas kërkesës së MAPL-së dhe ka vendosur që ndryshimet e rekomanduara t`i bëjë në bashkëpunim me subjektet politike në Kuvend.

Kuvendi ka shfuqizuar rregullores 01.Nr.016-60542 të datës 24.07.2020 për procedurën e ndërtimit të objekteve me karakter të përkohshëm në pronat e personave fizikë dhe juridikë, pasi ajo, siç ka thënë Ali Arifi, drejtor për Urbanizëm, ishte në kundërshtim me ligjin.

Po ashtu, Kuvendi formoi komisionin për vlerësimin e ofertave, me një përbërje prej 5 anëtarëve, ku përfshihet edhe një përfaqësues nga shoqëria civile.

Kuvendi e ka shqyrtuar edhe kërkesën e Drejtorisë së Arsimit për ndarjen e bursave për studentë të komunës së Gjilanit, të cilën e ka arsyetuar drejtoresha Selvete Sylejmani si dhe ka formuar komisionin përkatës prej 7 anëtarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat