Lutfi Haziri: Avaritë që kanë dalë në komunën e Gjilanit janë shqetësuese për stabilitetin politik dhe politikat zhvillimore

Gjilani

Lutfi Haziri: Avaritë që kanë dalë në komunën e Gjilanit janë shqetësuese për stabilitetin politik dhe politikat zhvillimore

Më: 17 shtator 2022 Në ora: 15:24
Lutfi Haziri

Kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, njëherësh nënkryetar në nivel qendror, Lutfi Haziri, pas takimit të Kryesisë, ka mbajtur sot konferencë për media së bashku me Grupin e Këshilltarëve në Kuvendit Komunal, ku ka bërë të ditur se përgatitjet dhe angazhimet për Konventën programore të partisë, e cila do të mbahet më 24 shtator, që në fokus do ta ketë opozitarizmin dhe rolin e LDK-së në këtë fazë politike.

Ai tha se konventa programore e Degës së LDK-së në Gjilan, e cila do të mbahet më 24 shtator, pritet të zbardhë hapat e mëtutjeshëm opozitar në Komunë dhe politikat sektoriale, bashkëbisedimi me qytetarët, grupet e interesit, shoqërinë civile e mediat, në interes të zhvillimit të komunës sonë.

“Ajo që ne kemi në fokus të debatit është gjendja në Kuvendin Komunal. Humbja e shumicës politike e ndërtuar me rastin e zgjedhjes së ekzekutivit të ri, tashmë në Gjilan është faktuar. Partia në pushtet bashkë me partitë e koalicionit kanë ndërtuar një shumicë artificiale e cila nuk po funksionon.

Avaritë që kanë dal në Kuvendin Komunal janë shqetësuese për stabilitetin politik në komunën tonë dhe shqetësuese për politikat zhvillimore, të cilat kanë mbetur peng i zhvillimit për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme politike.

Ne thërrasim për stabilitet politik, ku roli jonë si parti e parë dhe më e madhja në Gjilan ka me qenë gjithmonë në funksion të zhvillimit. Por, ne nuk mund të marrim pjesë në kazanin e zierjes së shumicave artificiale”, ka thënë Haziri.

Ai më tej theksoi se përmes Komitetit për Politikë dhe Financa dhe përmes Grupit të Këshilltarëve të LDK-së kanë bërë thirrje që kalendari i rregullt i punës së Komiteteve të aktivizohet pasi komuna nuk ka kalendar të rregullt të politikave sektoriale në komitetet e Kuvendit Komunal.

“Është shqetësues fakti që asnjë investim i ri brenda dhjetë muajve nuk ka ndodhur deri sot në Gjilan nga kjo administratë. Përkundrazi, kanë ndërprerë kontrata si puna e Stadiumit, mos miratim të planit detaj të propozuar nga konsesionerët e Hidomoravës e që lidhet me pusetat në shtrirjen e rrjetit të ri të kolektorit të ujërave të zeza, mos ndarja e mjeteve të shpronësimit, pastaj ndërhyrje në Komisione profesionale e nepotizëm të theksuar në punësim etj. Krejt kjo avari e Kuvendit Komunal është reflektim i mospunës në ekzekutiv.

Ky vit është i humbur, por mund të jetë determinues a do të jetë mandat i humbur për Gjilanin. Interesi ynë është që ky vit i humbur të kompensohet me bashkëpunim e aktivizëm, duke u bazuar në rregullore dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale”, tha kryetari i Degës së LDK-së, Lutfi Haziri.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat