Sot, Këshilli i Bizneseve të Rajonit të Gjilanit, nën kryesimin e presidentit të saj, avokat Arsim Vranovci, së bashku më anëtaret e vet, kanë mbajtur një takim në Gjilan me zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian, përfshirë vet ambasadorin z. Aivo Orav.
Në shoqërim të ambasadorit Orav, të pranishëm ishin edhe z. Johannes Stenbaeck – Shef për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë; z. AnnaCarin Plato – Shefe politike në Zyrën e BE-së në Kosovë; Cyprien Francois – Shef për Çështje Politike nga Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe përfaqësuesja ligjore znj Albana Gjinolli nga Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Ky takim, ka qenë i një rëndësie të posaçme për komunitetin e biznesit në rajonin e Gjilanit, ku mes tjerash, është diskutuar për çështje të zhvillimit ekonomik në përgjithësi e në veçanti për rajonin e Gjilanit. Pika kryesore e këtij takimi ka qenë Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor nga BE-ja.
Ky fond i BE-së ka potencial për dyfishimin e rritjes së ekonomive të Ballkanit Perëndimore brenda dekadës së ardhshme. Vlera e tij është 6 miliard Euro për 2024 – 2027, nga të cilat Kosova ka mundësinë të përfitoj 880 milion Euro. Sidoqoftë, në këtë takim, u ndanë përvoja nga bizneset sikurse që është eksporti në tregun unik të BE-së, transferi ndërkombëtar i të dhënave personale, sfida këto që po përballen bizneset e Republikës së Kosovës.
Nga përfaqësuesit e BE-së, mes tjerash, u theksuan çështjet në të cilat do të punohet sikurse që është qasja në tregun unik evropian, çështjet rregullatore sikurse që është heqja e barrierave tregtare që do ta lehtësonin eksportin e mallrave dhe shërbimeve nga Kosova në BE por edhe sigurimi pajtueshmërisë lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale.
Gjithashtu, Presidenti Vranovci, po ashtu, bëri një prezantim të shkurtër për bizneset pjesëmarrëse, të cilët diskutuan me përfaqësuesit e lartë të BE-së rreth mundësisë së tyre për të qenë përfitues të kësaj nisme të BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Në fund, Presidenti Vranovci, i bën apel gjithë spektrit politik që sa më parë të sigurojnë stabilitet politik, në mënyrë që Kosova të përfitoj nga ky fond i BE-së, i cili ka rëndësi jetike për zhvillimin tonë ekonomik dhe të kontribuoj që bizneset tona të jenë konkurrentë me bizneset e rajonit dhe më gjerë.