Bartja e mjeteve buxhetore të mbetura nga vitet 2023 dhe 2024 vazhdon të mbetet një çështje e pazgjidhur në Komunën e Gjilanit, përkundër thirrjeve të vazhdueshme të ekzekutivit komunal për ta adresuar atë.
Përkundër se një pjesë e bartjes është miratuar më herët, dy milionë e 937 mijë e 941 euro vazhdojnë të mbeten të paautorizuara për shpenzim. Për këtë cështje, ekzekutivi së bashku me përfaqësuesit e subjekteve politike opozitare kanë mbajtur takim si përpjekje për të gjetur një zgjidhje.
Në një prononcim për telegrafin, kryetari i degës së AAK-së në Gjilan, Nazim Gagica, konfirmoi se takimi me kryetarin Hyseni dhe përfaqësuesit e partive politike është mbajtur, dhe theksoi se është kërkuar që projektet ku do të investohen këto mjete të specifikohen qartë.
“Sot kemi pasur një takim me kryetarin dhe përfaqësuesit e partive. Jemi dakorduar që bartja e këtyre mjeteve të shoqërohet me specifikime të qarta për projektet ku do të investohen, dhe më pas kjo çështje të diskutohet në seancën e radhës”, tha Gagica.
Ai theksoi se AAK ka qenë përkrahëse që nga fillimi për projektet që janë në interes të qytetarëve, dhe do të vazhdojë të japë mbështetjen edhe më tej, për sa kohë që projektet janë të qarta dhe të dobishme për publikun.
“Bartjen e buxhetit e kemi përkrahur edhe më parë kur është proceduar nga qeverisja komunale. Kemi mbështetur gjithmonë projektet e rëndësishme dhe të nevojshme”, deklaroi ai.
Lidhur me seancën e fundit ku bartja nuk u votua, Gagica sqaroi se AAK kishte abstenuar për shkak të mungesës së informacioneve për projektet e përfshira, pasi sipas tij, kërkesa për bartje ishte paraqitur menjëherë gjatë seancës, pa dokumentacion paraprak.
“Në atë seancë ne abstenuam sepse nuk u sollën informacione paraprake për projektet. Kërkesa për bartje u paraqit aty për aty në seancë, pa specifikime të qarta”, shtoi ai.
Ai theksoi më tej se AAK ka pasur gjithmonë një qëndrim konstruktiv si opozitë dhe do të vazhdojë të analizojë me kujdes çdo projekt që paraqitet, duke dhënë përkrahje për ato që janë të nevojshme për qytetarët.
Ndërkohë, edhe shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së në Gjilan, Bujar Nevzati, deklaroi për Telegrafin se gjatë takimit janë dakorduar që kryetari Hyseni të dërgojë informacione shtesë për projektet.
“Presim që kryetari Hyseni të na dërgojë informacionet e nevojshme për projektet ku planifikohet të investohen rreth 3 milionë euro. Pas kësaj, ne si shumicë në Kuvend do të parashtrojmë kërkesat tona. Nëse arrijmë harmonizim, do të procedojmë për diskutim në seancë të Kuvendit Komunal”, tha Nevzati.