UKZ dhe mësuesit nga Gjilani në Zvicër për bashkëpunim arsimor ndërkombëtar

Gjilani

UKZ dhe mësuesit nga Gjilani në Zvicër për bashkëpunim arsimor ndërkombëtar

Më: 20 maj 2025 Në ora: 12:22
Foto nga vendi i ngjarjes

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan njofton se në bashkëpunim me mësuesit e shkollave të qytetit, kanë nisur aktivitetin në PH Zug të Zvicrës, në kuadër të projekteve ndërkombëtare që synojnë forcimin e bashkëpunimit arsimor dhe hulumtimin e ndikimit të migrimit në edukim.

Një delegacion nga UKZ, prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Dukagjin Leka, profesoresha Shejnaze Gagica si dhe pesë mësimdhënës nga katër shkolla fillore të Komunës së Gjilanit po qëndron aktualisht në Zug të Zicrrës, ku do të kenë një javë me aktivitete akademike dhe bashkëpunime ndërkombëtare.

Gjatë kësaj jave delegacioni i UKZ-së dhe mësuesit, do të marrin pjesë në ligjërata, punëtori, vizita shkencore dhe aktivitete të tjera që synojnë shkëmbimin e përvojave.

Një nga aktivitetet më të rëndësishme të programit studimor, do të jetë angazhimi i drejtpërdrejtë në mësimdhënie brenda klasave të shkollave zvicerane, në qytete si Zurich, Zug dhe Luzern. Kjo do t’u mundësojë atyre të kuptojnë më mirë realitetin arsimor në një sistem të ndryshëm dhe të pasur me përvoja multikulturore”, thuhet në njoftimin e Universitetit.

UKZ njofton se në të njëjtën kohë, ka nisur edhe projekti i ri ndërkombëtar, i cili ka për qëllim të hulumtojë ndikimin e migrimit në arsimin shkollor. Sic theksohet në komunikatë, përmes këtij bashkëpunimi, synohet të kuptohet më mirë se si migracioni ndikon në përfshirjen, mësimnxënien dhe qasjen në arsim për fëmijët me prejardhje të ndryshme kulturore.

Për mësimdhënësit nga Gjilani, kjo është një mundësi unike për të parë nga afër se si menaxhohen këto sfida në një vend si Zvicra.

Ata do të jenë në terren, do të vizitojnë shkolla dhe do të jenë pjesë aktive e diskutimeve dhe praktikave që kanë të bëjnë me integrimin dhe zhvillimin arsimor të fëmijëve migrantë. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat